Hygerta Sako ka folur për herë të parë, fare hapur, mbi motivet që e shtynë të bëhej pjesë e Big Brother VIP Kosova 4, duke pranuar se vendimi i saj lidhej jo vetëm me eksperiencën televizive, por edhe me përfitimet ekonomike dhe zgjerimin e audiencës.
Në një intervistë të fundit, prezantuesja sportive u përball me pyetjen se çfarë e bindi të hynte në një format të tillë. Ajo e pranoi se oferta ishte shumë tërheqëse dhe e vështirë për t’u refuzuar.
“Oferta ishte joshëse, duhet ta pranoj. Nuk kam qëndruar kot, 102 ditë nuk janë pak,” u shpreh Sako, duke theksuar angazhimin e gjatë gjatë qëndrimit në shtëpi.
Megjithatë, ajo nënvizoi se si një grua në punë dhe kryefamiljare, nuk do të ndërmerrte një hap të tillë vetëm për famë apo eksperiencë televizive. Sipas saj, pjesëmarrja në reality show kishte edhe një dimension praktik dhe financiar.
“Ka edhe një kosto ekonomike kjo gjë. Audienca ishte arsyeja kryesore, për të marrë atë pjesë që nuk e kisha në Kosovë,” deklaroi ajo, duke shtuar se synonte të forconte prezencën e saj në tregun kosovar, ku nuk ishte aq e njohur sa në Shqipëri.
Në përfundim të aventurës në “BBVK 4”, Hygerta Sako u rendit si finalistja e pestë, ndërsa fitues i këtij edicioni u shpall Londrimi.








18 Mar 2026 





