INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
“GULF” dhe mashtrimi prej 5 milionë eurosh, shpallet në kërkim administratori shqiptar, aksioneri tregon çfarë do bëhet me tollonat e shitur

“GULF” dhe mashtrimi prej 5 milionë eurosh, shpallet në kërkim administratori shqiptar, aksioneri tregon çfarë do bëhet me tollonat e shitur

Publikuar më: 15:57 21-04-2018

Prokuroria e Tiranës ka nisur zyrtarisht hetimet për menaxherët shqiptarë të kompanisë “Gulf”, duke shpallur në kërkim policor menaxherin kryesor, Albano Alikon.

Burime nga Prokuroria e Tiranës janë shprehur për Top Channel se objekt i hetimit nuk është mbyllja e pikave të tregtimit të karburantit, por skema mashtruese e shitjes së tollonave pak ditë para mbylljes së aktivitetit, skemë e cila dyshohet se është krijuar nga Aliko.

Prokuroria dyshon se menaxherët e “Gulf”-it, me vetëdije kanë shitur nëpërmjet tollonave shumë më tepër litra karburant nga sa ka patur në gjendje kompania. Ndonëse karburanti është shitur me vlerë të reduktuar brenda pak ditëve, dyshohet se nga kjo skemë janë mbledhur mbi 1,5 milionë euro.

“Gulf” ju blinte prej disa kohësh furnizuesve të mëdhenj naftë me 1500 lekë litrin dhe shiste tollonë me 1200 deri në 1300 lekë litrin. Kjo vuri në lëvizje furnizuesit, të cilët nisën të kërkonin llogari, ndërkohë që detyrimi që

“Gulf” kishte krijuar vetëm ndaj dy kompanive të njohura është 900 mijë dhe 700 mijë, gjithsej 1.6 milionë euro në total. Ndërsa dëmi që i krijoi klientëve, të cilëve u kanë mbetur në dorë tollonë pa vlerë, është 1.5 milionë euro.

Mbi 2 milionë euro është detyrimi që kompania kishte ndaj pikave të shitjes së karburanteve që kishte marrë me qira, të cilat thuhet se prej 4 muajsh nuk paguheshin. Në total, dëmi shkon mbi 5 milionë euro, por këtu nuk llogariten detyrimet tatimore të cilat administrata fiskale nuk i ka bërë të ditura. Për këtë arsye, përveç shpalljes në kërkim policor të menaxherit kryesor të “Gulf”-it në vendin tonë, Albano Aliko, prokuroria i ka kërkuar Tatim-taksave si dhe bankave, që të bllokojnë çdo aset apo llogari që ka lidhje me kompaninë “Gulf”, në mënyrë që të përdoren për të minimizuar sadopak vlerën e dëmit financiar që ka shkaktuar.

Bllokimi i pikave të tregtimit të karburantit, sipas njërit prej aksionerëve të “Gulf”, Apostol Doçi, i cili foli për “Neës 24” ka ardhur si pasojë e detyrimeve të pashlyera te Tatimet. Apostol Doçi zotëron 12,5 për qind të aksioneve në kompani dhe ai konfirmon se borxhi i papaguar është 40 milionë lekë.

“Borxhet te Tatimet, principali janë 37 milionë lekë, 3 milionë lekë janë që merr sistemi interesa, është diku te 40 milionë lekë. Gjithë borxhi nuk është shifër alarmante se kjo është pagesa e një muaji te Tatimet, ma ha mendja që deri në fund të muajit likuidimi i parë që do të bëjmë, është borxhi te Tatimet. Likuidimi i dytë është sistemimi i tollonave te populli, tek institucionet shtetërore dhe furnitorët”, u shpreh Doçi.

Mbyllja e këtyre pikave ka shqetësuar qytetarët, të cilët, me tollona në duar, janë interesuar në këto karburante se çfarë do të ndodhë me tollonat e tyre. Aksioneri i kompanisë, Doçi, premton se situata do të ndryshojë shumë shpejt për qytetarët.

“Gjithë pikat e karburanteve ‘Gulf’, që janë diku te 52 pika, janë të bllokuara për momentin, nuk funksionojnë edhe zyrat qendrore nuk funksionojnë, sepse janë bërë disa denoncime nga qytetarët për tollonat që kanë dhënë lekët dhe nuk po marrin karburant. Iu premtoj qytetarëve që mos mërziten, sepse të gjithë qytetarët që kanë kartat dhe tollonat, “Gulf” do të fillojë të funksionojë”, u shpreh ai.

Article Logic
Execution time: 0.0040020942687988