INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Grabitja me armë në Vlorë, të moshuarit tregojnë minutat e tmerrit

Grabitja me armë në Vlorë, të moshuarit tregojnë minutat e tmerrit

Publikuar më: 12:34 10-10-2017

Dy të moshuarit që u grabitën dhe u dhunuan ditën e djeshme kanë rrëfyer momentet e tmerrit.

Sipas 81-vjeçarit dhe bashkëshortes së tij 75-vjeçe, tre persona të armatosur kanë hyrë në banesën e tyre dhe kanë grabitur parat e pensionit, telefonat celular dhe sende të tjera me vlerë, mes të cilave dhe një unazë të cilën pas lutjeve të gruas, se i përkiste djalit që nuk jetonte, grabitësit ja kanë kthyer përsëri.

“Këtë e shtynë, e përsheshën aty, dhe as e ngrinin, as e bënin. E zinin për fyti. U ngrita ashtu si isha, më dhanë një të shtyrë, rashë dhe unë. Këmbë e duar vajta në krevat. Atëherë e ngritën këtë dhe e përplasën aty.
Kjo (gruaja) ulërinte. Na thonin "Mos lëvizni se do ju vrasim". Pastaj na kërkuan paratë. Unë u tregova i sinqertë, i thashë që kisha në portofol, por më thanë ato i morëm. I thashë ato janë të pensionit, ne nuk kemi para.
Pastaj shkuan andej nga dollapi i kësaj. Gjetën edhe ca lekë andej. Ne e dimë ç’kemi hequr. Gruan e goditën, mua më shtynë. Kjo bërtiste, ndërsa mua më panë ashtu gjysmak. Dy vetë erdhën brenda, një i gjatë, i hollë, ndërsa një i shkurtër, pak ezmer.
Panë foton e djalit aty, edhe i tha gruaja që na e kanë vrarë. Edhe thanë betohuni për djalin që nuk do njoftoni policinë. I morën varësen dhe unazën, por unazën ja kthyen se iu lut kjo. Ai i gjati, se ai tjetri nuk donte. Menjëherë ne thirrëm policinë. Edhe erdhi vetë drejtori, nëndrejtori, shefi i policisë, nja 20 vetë”, rrëfen 81-vjeçari.

Ngjarja e rëndë është regjistruar në zonën "1 Maji" dhe policia po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

NJOFTIMI I POLICISE


Më datë 09.10.2017, Salla Operative Vlorë njoftohet prej shtetasit R.O., se i kanë hyrë në banesë tre shtetas të cilët nën kërcënimin e një arme zjarri i kanë vjedhur disa sende të ndryshme.

Ngjarja ka ndodhur në lagjen “1 Maj”, në banesë ka qënë shtetasi R.O., 81 vjeç sëbashku me bashkëshorten e tij shtetasen S.O., 75 vjeçe, kur kanë hyrë tre shtetas ende të paidentifikuar dhe nën kërcënimin e armës së zjarrit kanë marrë (vjedhur) në banesë disa sende të ndryshme si varëse, dy aparate celular dhe një shumë vlerash monetare.

Policia po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve të kësaj ngjarje.

Article Logic
Execution time: 0.0035941600799561