INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Firmoset marrëveshja, Imamët e Kosovës do të ndihmojnë për rehabilitimin e të burgosurve

Firmoset marrëveshja, Imamët e Kosovës do të ndihmojnë për rehabilitimin e të burgosurve

Publikuar më: 19:29 11-05-2018

Të premten në Prishtinë, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri dhe kryetari i Bashkësinë Islame të Kosovës, myftiu Naim Tërnava, nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi për "realizimin e rehabilitimit dhe ri-integrimit të personave të burgosur".

Ministri Tahiri tha se përmes ofrimit dhe organizimit të ligjëratave fetare për të burgosurit "besojmë shumë se do të rritet vetëdija si në mesin e personave të privuar nga liria, që mbahen në institucionet korrektuese, ashtu edhe në institucionet e përfshira në zbatimin e këtij memorandumi" raporton VOA.al

Ai tha se idetë radikale kanë përfshirë gjithë botën dhe Kosova nuk ka mbetur imune nga kjo dukuri, por "fatmirësisht ka rënë ndjeshëm numri i qytetarëve të Kosovës që janë pjesë e konflikteve të huaja, kjo falë edhe angazhimit institucional për të ndërmarrë masa konkrete në parandalimin e kësaj dukurie".

Kryetari i Bashkësisë Islame, myftiu Naim Tërnava, tha se do të jenë 20 imamë që do të përfshihen në këtë proces.

Myftiu Tërnava tha se Bashkësia Islame do të japë edhe më tej kontributin e vet në luftimin e çdo gjëje që shkon në dëm të Kosovës dhe do të jetë e përkushtuar që të luftojë ekstremizmin.

“Feja jonë islame nuk ka asgjë të bëjë me terrorizmin e radikalizmin. Bashkësia Islame e Kosovës ka qenë zëri i arsyes gjithherë dhe ka ngritur zërin e saj dhe ka bërë të ditur që islami është larg këtyre dukurive”.

Nga mesi i vitit 2012, Kosova është përballur me shtimin e shkallës së radikalizimit të të rinjve posaçërisht me përfshirjen e tyre konfliktet në Lindjen e Mesme

Sipas shënimeve të policisë së Kosovës, që nga atëherë 255 persona të gjinisë mashkullore në periudha të ndryshme kanë udhëtuar për në zonën e konfliktit dhe të cilët trajtohen si luftëtarë të huaj terrorist, ndërsa numri i luftëtarëve aktual atje është 60. Gjithnjë sipas policisë mbi 120 veta janë kthyer nga zonat e luftës në Siri dhe Irak, ndërsa edhe me tej atje ndodhen mbi 40 gra dhe mbi 50 fëmijë.

Numri i personave të vdekur në zonën e konfliktit është 74, prej të cilëve 71 persona të gjinisë mashkullore të vrarë, ndërsa 3 persona të tjerë raportohet të kenë vdekur nga shkaqe natyrore, thonë zyrtarët e policisë.

Që nga viti 2014, pesë imamë janë akuzuar për lidhje me nxitjen dhe rekrutimin e luftëtarëve të huaj. Katër prej tyre janë shpallur të pafajshëm, ndërsa Zekirija Qazimi ish imam i Xhamisë “El-Kudus” në Gjilan, rreth 50 kilometra në lindje të Prishtinës, është dënuar me 10 vjet heqje lirie për rekrutim dhe për nxitje të urrejtjes.

Article Logic
Execution time: 0.0058698654174805