INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Firma “Atelier4” me administrator Alban Efthimin kërcënon newsbomb.al: Po folët për projektet tona, do shkojmë në gjyq [FOTO]

Firma “Atelier4” me administrator Alban Efthimin kërcënon newsbomb.al: Po folët për projektet tona, do shkojmë në gjyq [FOTO]

Publikuar më: 14:11 15-10-2016

Atelier 4 me Administrator Alban Efthimi, mikun e kryeministrit Edi Rama, kërcënon se do të hedhë në gjyq Newsbomb.al për artikujt e botuar nga agjencia informative lidhur me aktivitetin e firmës Atelier 4, përfitimet nga tenderat e punët publike, dhe parave të taksapaguesve shqiptarë.
Në një letër të gjatë, me raste dhe me ligje, Alban Efthimi, thotë se redaksia bën gabim që e konsideron atë dhe firmën që drejton “të preferuarin” e kryeministrit Rama. Në çdo rrethanë, të qenurit i preferuari i kryeministrit, duket se nuk ka qenë joproduktiv për firmën. Atelier 4 beson se projektet që financohen nga paratë e shqiptarëve ata i kanë fituar se janë më të mirët në proceset e konkurimit. Dakord, ata janë më të mirët…Por vetëm 1 firmë të mirë paska në Shqipëri?????
Atelier4, dhe administratori Alban Efthimi shkruajnë se do të kërkojnë nga newsbomb.al dëmshpërblimin për kontratat e humbura për prishje imazhi, por që në fakt, redaksia është marrë vetëm me projektet që kjo firmë ka fituar.
Ndërkohë, redaksia kujton firmën fituese të të gjithë projekteve, në shumicën dërrmuese të rasteve, se cdo para publike që shpenzohet në këtë vend, është pjesë e informimit të publikut. Nëse firma Atelier4, do të fitojë projekte të tjera që do të bëhen me paratë e buxhetit të shtetit, patjetër do të ketë raportim për këto projekte dhe për mënyrën sesi fitohen ato.
Duke ruajtur të dhënat dhe të drejtën e firmës, Newsbomb.al, në asnjë rast nuk do të merret me kontratat private të kësaj agjencie, me firma private që nuk harxhojë para nga buxheti i shtetit.
Më poshtë, mund të lexoni reagimin e plotë dhe pretendimet e Atelier4 për redaksinë e Newsbomb.al, ndërkohë që ne garantojmë lexuesit tanë se do të vazhdojmë të raportojmë për projektet dhe fondet e buxhetit të shtetit që do të përfitojë firma, edhe në të ardhmen.
E nderuar,
Në mënyrë të vazhdueshme faqja elektronike të cilën ju administroni dhe e furnizoni me informacion për publikn ka transmetuar informacione dhe lajme mbi aktivitetin tregtar të shoqërisë “Atelier4” shpk dhe njëkohësisht mbi administratorin e kësaj shoqërie, z.Alban Efthimi.
Një pjesë e mirë e lajmeve që janë transmetuar dhe shpërndarë bazohen mbi fakte të pavërteta të cilat ndikojnë drejtpërdrejtë në imazhin që ka Shoqëria në jetën e saj tregtare dhe në imazhin që ka administrator i saj në aspektin professional por edhe personal.
Më poshtë do të gjeni disa prej linkeve në të cilat transmetohet informacion me të dhënat për të cilat u trajtua më sipër.
“Alban Eftimi dhe Atelier 4 firma që po bën Loro Boricun i preferuari i Ramës merr projektet kryesore”. Në këtë shkrim ju përmendni që ky project por edhe projekte të tjera të ngjashme me këto janë përfituar pasi sipas jush, Atelier 4 konsiderohet firma e privilegjuar arkitekturore. Ju sqarojmë që ky process është një process I cili nuk është ndjekur nga ndonjë institucion publik por nga FSHF, organizatë jo-fitimprurëse e pavarur nga shteti në aktivitetin e saj. Kjo e fundit ka vlerësuar përvojën dhe eksperiencën e disa viteve të Atelier 4 dhe i ka besuar këtë project të rëndësishëm por edhe projekte të tjera të ngjashme.
“Në skenë prapë Alban Eftimi, bashkia i jep parkun te liqeni, zbulohet se cfarë do të ndërtohet në hapësirën e mbrojtur”. Lidhur me këtë project ju bëjmë me dije se procedura e prokurimit nuk është realizuar nga Bashkia Tiranë e Atelier 4 nuk është përzgjedhur për këtë project nga kjo e fundit, por eshtë zhvilluar nga FSHZH nëpërmjet një konkursi ndërkombëtar “Shërbim Konsulence”.
“Superskandali, Atelier4 fiton të gjitha projektet qeveritare këtë herë pa nisur konkursi”. Subjekti juaj në këtë shkrim, që në titull është paragjykues dhe i painformuar duke gjykuar negativisht mbi seriozitetin e Atelier4. Kur citojmë që ju jeni të painformuar dhe jo serioz në dhënien e lajmit mbi këto procese mbështetemi në fakte reale. Më konkretisht, konkursi për këtë procedurë kishte filluar më parë ku nga institucioni që realizonte konkursin AKPT, ishte ezauruar faza e parë e përzgjedhjes së subjekteve të cilat kualifikoheshin për të vazhduar në fazën e dytë që ishte prezantimi i projekteve. Midis fituesve të fazës së parë ndër të tjerë ishte edhe firma Atelier 4. Eshtë turp dhe shkelje e ligjit të gjykosh në padije vetëm me një qëllim për të shpifur dhe për të përpunuar opinionin public që subjekti atelier4 shpallet fitues pa iu nënshtruar procedurave, pasi ashtu ju vlen ju që të trajtoni lajmet dhe të bëheni më tërheqës për tu ndjekur nga publiku, por gjithmonë në dëm të Atelier4. Ju kujtojmë që cdo lajm i pavërtetë ka efekte negative në marrëdhëniet në të cilat përfshihet Atelier4 duke i shkaktuar jo vetëm dëm moral, por edhe financiar të vërtetueshëm. Në raste të këtilla do tju sugjeronim thjesht të publikonit njoftimet zyrtare të institucioneve kompetente pa bërë komente dhe pa dhënë opinione personale pa baza.
“Nga projektet e dështuara, te ato me shumë lekë, miku I qeverisë Atelier4 përlan 17 miliardë leke vetëm për një vit”. Në këtë shkrim ju i referoheni projekteve që janë fituar nga Atelier 4 në konkurset e zhvilluara nga institucionet shtetërore bazuar në procedurat ligjore te realizuara nga këto institucione. Ju sqarojmë që si cdo subject privat, ne kemi të drejtë të marrim pjesë në cdo lloj procedure prokurimi dhe të shpallemi edhe fitues në rast të përmbushjes së kritereve për kualifikim të shpallur nga institucioni. Fakti që Atelier4 i plotëson kriteret dhe parametrat për të realizuar shërbimet e kërkuara, nuk mundet kurrsesi të konsiderohet penalizim. Sigurisht që cdo marrëdhënie kontraktuale shoqërohet me efekt financiar që rrjedh jo vetëm nga kontratat e përmendura nga ju, por dhe nga gjithë kontratat dhe bashkëpunimet kombëtare dhe ndërkombëtare publike dhe private që realizohen nga subjekti ynë. Qëllimi i vetëm i shkrimit tuaj është të përpunojë opinionin public negativisht duke prishur imazhin e Atelier4.
“Në skenë Atelier4, vëllai i mikut të kryeministrit prezanton projektin për teatrin e ri Turbina a do të favorizohet Alban Eftimi?” Në këtë shkrim që mban datën 7 shtator 2016, ju përpunoni opinionin public duke I vënë në vëmendje që Atelier4 apo administrator Alban Eftimi do të përfitojë këtë project. Ju informoj që ky project është fituar nga Atelier4 në vitin 2015 nëpërmjet një konkursi të zhvilluar nga AKPT. Ky prezantim është kërkuar nga përfituesi Ministria e Kulturës në vijim të punimeve të zbatimit të saj. E vetmja detyrë e Atelier4 gjatë këtij aktiviteti ka qenë prezantimi I punës së realizuar dhe dorëzuar 1 vit më parë. Shkrimi është vetëm dizinformues me qëllim të vetëm prishjen e imazhit të subjektit tonë.
Atelier 4, fitues i tenderit për terminalin e transportit publik”. Nëpërmjet këtij shkrimi ju keni paragjykuar procesin e konkurrimit duke vënë në vështirësi studion tonë për finalizimin e bashkëpunimit me studio e huaja për të qenë pjesë e këtij procesi. Ju keni konkluduar në shkrimin tuaj që “e vetmja shoqëri që i plotëson kriteret për të fituar është Atelier4”. Ndërkohë ju nuk keni paraqitur asnjë analizë për arritjen e këtij përfundimi. Kjo gjë na ka dëmtuar për të negociuar me subjektet të cilat me të drejtë shtangen përpara paragjykimeve mediatike.
Në vijim sa më sipër, por edhe të shkrimeve të tjera të cilat nuk janë reflektuar nga ana jonë, në pjesën më të madhe të shkrimeve, ju flisni për afera, preference, trajtim jo të barabartë në procedura, përfitime të padrejta duke shmangur procedurat ligjore, paramendoni që Atelier4, do të shpallet fituese e procedurave të cilat nuk janë shpallur akoma duke përpunuar opinionin public dhe jo vetëm.
Të ndodhur në këto kushte, duke pasur parasysh lirinë e fjalës dhe të të shkruarit por duke pasur parasysh dhe limitet që kjo liri të mos cënojë të drejtat dhe moralin dhe integritetin e kujtdo, duhet tu bëjmë me dije mbi referencat ligjore të cilat jeni duke shkelur me transmetimin e këtyre të dhënave të pavërteta.
1. Ligji nr.9887, datë 10.03.2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale” I ndryshuar
Neni 2
“Përpunimi I ligjshëm I të dhënave personale bëhet duke respektuar dhe garantuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut dhe, në vecanti, të drejtën e ruajtjes së jetës private”
Neni 3
20. “Përhapje” është komunikimi I informacionit për të dhënat personale palëve të papërcaktuara, në cfarëdoforme, edhe përmes vënies në dispozicion të konsultimit”.
24. Pëlqim I subjekteve të të dhënave” është cdo deklarim me shkrim, e dhënë shprehimisht me vullnet të plotë e të lirë dhe duke qenë në dijeni të plotë për arsyen pse të dhënat do të përpunohen, cka nënkupton që subjekti I të dhënave pranon që të përpunohen të dhënat e tij.
Neni 6
Kriteret ligjore për përpunim
1. Të dhënat personale përpunohen vetem:
a) Nese subjekti I të dhënave personale ka dhënë pëlqimin:
b) Nëse përpunimi është thelbësor për përmbushjen e një kontrate për të cilën subjekti I të dhënave është palë kontraktuese, apo për diskutime ose ndryshime të një projekti/kontrate me propozimin e subjektit të të dhënave
c) Për të mbrojtur interesat jetikë të subjektit të të dhënave
d) Për përmbushjen e detyrimit ligjor të kontrolluesit
e) Për kryerjen e një detyre ligjore me interes public ose ushtrimin e një competence të kontrolluesit ose të një pale të tretë, të cilës I janë përhapur të dhënat
f) Nëse është thelbësor për mbrojtjen e të drejtave dhe interesave legjitime të kontrolluesit, marrësit, apo personave të tjerë të interesuar. Por në cdo rast përpunimi I të dhënave personale nuk mund të jetë në kundërshtim të hapur me të drejtën e subjektit të të dhënave për mbrojtjen e jetës personale dhe private.
2. Përpunimi I të dhënave personale të përcaktuara në kuadër të veprimtarive të parandalimit dhe ndjekjes penale për kryerjen e një vepre penale kundër rendit public dhe të veprave të tjera në fushën e të drejtës penale, si dhe në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare, kryhet nga autoritetet zyrtare të përcaktuara me ligj.
3. Kontrolluesi apo përpunuesi që merret me përpunimin e të dhënave personale me qëllim ofrimin e mundësive për biznes apo të shërbimeve mund të përdorë për këtë qëllim të dhëna personale të marra nga lista publike të dhënash. Kontrolluesi apo përpunuesi nuk mund të vazhdojë përpunimin më tej të të dhënave të specifikuara në këtë paragraph, nëse subjekti I të dhënave ka shprehur mospajtim ose ka kundërshtuar përpunimin e mëtejshëm të tyre. Asnjë e dhënë personale shtesë nuk mund ti bashkëlidhet të dhënave të specifikuara më lart, pa pëlqimin e subjektit të të dhënave.
4. Kontrolluesit I lejohet të mbajë në sistemin e vet të arkivimit të dhënat personale edhe pasi subjekti ka kundërshtuar përpunimin, sipas pikës 3 të këtij neni. Këto të dhëna mund të përdëron përsëri vetëm nëse subjekti I të dhënave personale jep pëlqimin.
5. Mbledhja e të dhënave personale, që lidhen në mënyrë unike me një subject të dhënash, për arsye të tregtimit të drejtpërdrejtë, lejohet vetëm nëse subjekti I të dhënave ka dhënë pëlqimin e shprehur qartë.
Në pjesën më të madhe të shkrimeve, ju keni përdorur shprehje të rënda dhe akuza të forta pa pasur asnjë fakt dhe provë mbi vërtetësinë e asaj që shkruani. Ju aludoni se procedurat në të cilat subjekti Atelier4 merr pjesë janë fictive dhe preferenciale për faktin që administrator I kësaj shoqërie është sipas jush “I preferuari”.
Me publikimin e këtyre shkrimeve ju shkaktoni dëm financiar dhe moral si shoqërisë ashtu edhe individit duke I cënuar rëndë të drejtat sikurse janë: e drejta e personalitetit, dinjitetit, familjes, pronës, dhe e drejta e biznesit të lirë etj.
Atelier 4 në të gjithë jetën e saj tregtare, por edhe Administratori I saj asnjëherë nuk ka përfituar në rrugë të padrejtë ndonjë kontratë procedurë apo të ketë kryer shkelje të cilat përmbajnë elementet e cituara nga Ju.
Përkundrazi, ju jeni duke përdorur biznesin tuaj për të përpunuar opinionin në kundërshtim me normat ligjore dhe ndërjkombëtare që trajtojnë lirinë dhe të drejtën e të shprehur dhe transmetimit të lajmit. Më saktësisht do tju përmendim një vendim të Gjykatës Evropiane të të drejtave të njeriut nr9815/82, datë 24 qershor 1986 “Lingens kundër Austrisë”, në të cilën trajtohen kufizimet e lirisë së të shprehur në gazetari si më poshtë:
“…liria e të shprehurit përbën një nga bazat e shoqërisë demokratike, kurse garancitë, të cilat duhet ti sigurohen shtypit, janë shumë të rëndësishme. Megjithatë shtypi nuk mund të tejkalojë disa kufij të përcaktuar, midis të tjerave në interest ë mbrojtjes së emrit të mirë dhe të të drejtave të personave të tjerë, mbi të bie detyrimi të përhapë informacione dhe ide për të cilat tregon interes opinion publik..”
Sipas vendimit të sipërcituar nuk janë të mjaftueshme dëshirat e mira nga të cilat nisen gazetarët sidomos kur vetë gazetari provokon shprehje me përmbajtje shpifëse (neni 119 120 Kodi penal) paragjykuese dhe nxitëse.
Në rastet konkrete edhe pse nuk ka ekzistuar asnjë rrethanë apo fakt për të shkruar dhe publikuar në formë elektronike artikuj të tillë, ju jo vetëm që I keni botuar por edhe keni përdorur fjalë shpifëse që cënojnë nderin dhe personalitetin e shoqërisë dhe administratorit të saj.
Në një nga principet bazë të së drejtës civile dhe pergjegjësive civile jashtëkontraktore parashikohet se kushdo që I shkakton dëm të tretëve detyrohet ta dëmshpërblejë atë. Dëmshpërblimi në rastin konkret do të llogaritet nga ana jonë duke pasur parasysh të gjitha negociatat në të cilat ka qenë Atelier 4 për të bashkëpunuar ne kontrata kombëtare por edhe ndërkombëtare dhe të cilat janë ndërprerë si pasojë e shkrimeve tuaja të cilat ndikojnë në procesin e konkurrimit.
Për sa më sipër kërkojmë nga ana juaj të ndërprisni këto informacione që shpërndani në mënyrë të vazhdueshme në të kundërt, do të detyrohemi ti drejtohemi organeve gjyqësore kompetente për shkelje të dispozitave ligjore të sipërcituara që sjellin dëm financiar, moral dhe prishje të imazhit.
Duke besuar në mirëkuptimin tuaj, jemi të hapur për cdo lloj informacioni që mund tju nevojitet me qëllmin realizimin e aktivitetit tuaj në mënbyrë që ai të jetë I saktë, serioz dhe ligjor.
Me respekt
Atelier 4
Administrator
Alban Efthimi

/Newsbomb.al

Article Logic
Execution time: 0.0054330825805664