INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Dita Botërore Kundër Punës së Fëmijëve. Jeta e vështirë e 8-vjeçares që lyp

Dita Botërore Kundër Punës së Fëmijëve. Jeta e vështirë e 8-vjeçares që lyp

Publikuar më: 12:18 12-06-2017

Fenomeni i shfrytëzimit të fëmijëve për punë vazhdon të jetë shqetësues në vendin tonë. Në Ditën Botërore kundër Punës së Fëmijëve, të miturit i ndesh duke lypur apo duke shitur në rrugë, pavarësisht aksioneve të ndërmarra nga Qeveria dhe njësitë vendore për t'i nxjerr ata nga situata e rrugës. Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve raportoi disa muaj më parë se autoritetet kishin hequr 345 nga 808 fëmijët rruge të identifikuar midis korrikut 2015 dhe qershorit 2016. Ndërkohë gjatë vitit 2016 numri i të miturve që shfrytëzohen për punë rezultoi të ishte 190. Këta fëmijë janë gjetur duke punuar në ndërrmarrje prodhuese, ato tregtare dhe call center.

Të dhëna

Sipas Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve “Bazuar në studimin e parë kombëtar, të prezantuar në prill 2014, 2527 fëmijë jetonin në situatë rruge në Shqipëri dhe mbi 700 prej tyre vetëm në Tiranë. Fëmijët në situatë rruge janë ndër grupet më vulnerabël dhe shpesh herë janë subjekt i formave të ndryshme të dhunës, abuzimit dhe shfrytëzimit.

Historia e 8-vjeçares që lyp

Rozina është vetëm 8 vjeç, por duket shumë më e rritur për moshën që ka. Afrohet me shkathtësi dhe të kërkon lekë duke të parë drejt në sy. Kur e pyet se përse i do, përgjigjet për të blerë bukë dhe ushqime. Thotë se ka dal vetëm për të lypur, e kur e pyet nëse ka frikë mohon me kokë. “Më bërtet ndonjëherë faturino i autobusit kur me sheh, thotë shpejtë zbrit”- tregon, 8-vjeçarja. Sapo ka përfunduar klasën e dytë, në shkollën “Ramazan Jarani”, megjithëse i duhet të përballet me një jetë të vështirë. “Jetojmë në çadër, nuk kemi drita, as televizor, asgjë”-rrëfen ajo. Jeton vetëm me gjyshen dhe hallën, ndërsa prindërit kanë ikur prej 5 muajsh në Greqi. “Kanë ikur për të punuar, unë nuk kam motër dhe as vëlla”-rrëfen ndërsa tregon se gjyshja në këto momente ndodhet në punë. “Gjyshja punon pastruese”-thotë. “Edhe halla del për punë, unë nuk kam çfarë të bëj se jam vetëm. Të gjithë ata që jetojnë në çadra dalin të punojnë, të lypin. Dal edhe unë, ndonjëherë me fëmijët e çadrave të tjera, e ndonjëherë vetëm”. Këshillës se ajo duhet të vazhdojë të ndjekë shkollën e të mësojë, për të marrë një profesion që të mundet të jetojë në kushte më të mira, i përgjigjet me qetësi. “E dini i kam ende librat e shkollës, nuk i kam grisur”-thotë ndërsa pyet e shqetësuar për orën. “Deri në orën 12:00, kërkojë lekë pastaj kthehem në çadër”-thotë. Në ditët më të mira tregon se fiton deri në 5 mijë lekë të vjetra, ndërsa zakonisht 2 ose 3 mijë lekë. “Tre ditë nuk kam dal fare, po sot vendosa të dal”-shprehet Rozina. Pastaj përshëndet dhe shkon për të lypur drejt një grupi turistësh të huaj.

Article Logic
Execution time: 0.0029919147491455