INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Detaje/Tani lejet e ndërtimit mund ti marrim dhe online

Detaje/Tani lejet e ndërtimit mund ti marrim dhe online

Publikuar më: 15:38 24-03-2017


Është miratuar në Parlament ligji për planifikimin e Territorit, ku parashikohet që tashmë të gjitha aplikimet për lejet e ndërtimit do të bëhen vetëm online. Po çfarë parashikojnë këto ndryshime? Ministrja e Zhvillimit Urban Englantina Gjermeni ka bërë publike të gjitha ndryshimet:

“Ndarjen e bazës së të dhënave të planifikimit të territorit nga baza të dhënave e lejeve të ndërtimit: Në ligjin në fuqi, Regjistri i Integruar i Territorit është në funksion të proceseve planifikuese dhe proceseve të zhvillimit (ose lejedhënies) dhe përmban të dhëna si për planet e miratuara ashtu edhe për lejet e ndërtimit të lëshuara nga bashkitë. Prej një viti tashmë, po punohet për përditësimin e Regjistrit të Integruar të Territorit dhe transformimin e tij në dy platforma të veçanta, njëra në shërbim të procesit të planifikimit të territorit dhe tjetra në funksion të aplikimeve dhe pajisjes me leje ndërtimi. Në kushtet kur sistemi elektronik e-lejet dhe platforma e planifikimit të territorit funksionojnë të pavarura, propozohet që secila databazë të ketë rregullimin e saj ligjor të veçantë. Ky ndryshim, nga njëra anë lehtëson dhe qartëson procedurën e miratimit të dokumenteve të planifikimit dhe nga ana tjetër lehtëson procedurat për leje zhvillimi apo ndërtimi për investitorët dhe qytetarët.

Së dyti, saktësimin e ndarjes së kompetencave të organeve të pushtetit vendor sa i përket miratimit të dokumenteve të planifikimit vendor: Në konceptin aktual të ligjit, Plani i Detajuar Vendor (PDV) është një dokument planifikimi, që miratohet nga Kryetari i Bashkisë dhe nxirret në zbatim të përcaktimeve të Planit të Përgjithshëm Vendor, për një zonë të caktuar të territorit, me kufij të përcaktuar në PPV. Pra, është Plani i Përgjithshëm Vendor ai që përcakton kushtet zhvillimore për zonën dhe ky plan miratohet nga Këshilli Bashkiak, si në momentin e nismës ashtu edhe në momentin e miratimit të dokumentit final të PPV-së. Në mënyrën se si zbatohen konretisht këto dispozita, Këshilli Bashkiak aprovon ndërmarrjen e nismës për hartimin e një PDV-je, si dhe jep konformitet pas miratimit të saj nga kryetari. Kjo mënyrë të vepruari dyfishon afatet dhe procedurat e miratimit të PDV-së, që si rezultat kthehet nga një instrument zbatues i planit, në një shkak për bllokimin e zbatimit të tij. Shoqata e Bashkive, si përfaqësuese e bashkive që janë anëtare të saj, ka sjellë në vëmendjen e Ministrisë vështirësitë që hasin bashkitë në tejzgjatjen e panevojshme, të afateve të miratimit të Planeve të Detajuara Vendore (PDV) të territorit. Kjo procedurë vonon përgjigjen në kohë ndaj qytetarëve dhe frenon zhvillimin e qëndrueshëm të territorit bazuar në kërkesat për investime nga qytetarë dhe sipërmarrje private”.

“Nisma për hartimin e PDV-së të mosketë nevojë për miratim në Këshillin Bashkiak: kjo pasi, nisma për hartimin e PDV-së mund të ndërmerret nga çdo zhvillues privat që plotëson kushtet sipas ligjit, si dhe nga bashkia, në mënyrë automatike, sipas interest publik dhe prioriteteve të përcaktuara në Planin e Përgjithshëm Vendor.
Bashkia të mos ketë më detyrimin ligjor të paraqesë Planin e Detajuar Vendor, për miratim të dyfishtë tek Këshilli Bashkiak, duke qenë i mjaftueshëm miratimi nga Kryetari i Bashkisë. Kjo është në pëputhje me nenin 13 të ligjit, që i njeh kryetarit të bashkisë autoritetin e miratimit të PDV-së.

Sa i përket rolit monitorues, Këshilli Bashkiak do të vazhdojë të ketë rol monitorues të ecurise së hartimit të PDV, sikurse e ka kryer deri më sot këtë funksion, duke kërkuar PDV-të dhe dokumentacionin shoqërues nga Drejtoria Perkatese, pa nevojën duplikimit të procedurave të miratimit / konformitetit te PDV-ve”.

“Në konktekstin e planifikimit dhe zhvillimit të territorit më lejoni t’ju informoj se për herë të parë përgjatë vitit 2016 ofruam mbështetje financiare dhe teknike për 26 bashki Cërrik, Dibër, Divjakë, Durrës, Gjirokastër, Himarë, Kavajë, Konispol, Korçë, Krujë, Kurbin, Kukës, Lezhë, Librazhd, Përrenjas, Pogradec, Poliçan, Rrogozhinë, Sarandë, Shijak, Shkodër, Skrapar, Tiranë, Ura Vajgurore, Vlorë dhe Vorë për hartimin e planeve vendore. Deri më tani janë miratuar në Këshillin Kombëtar të Territorit planet vendore për 11 bashki. Me mbështetjen e donatorëve përgjatë vitit 2016 e kemi mundësuar këtë proces edhe në 10 bashki të tjera të vendit përkatësisht:

Për vitin 2017 me buxhetin e Ministrisë së Zhvillimit Urban do të asistohen edhe bashkitë Përmet, Belsh, Këlcyrë, Pukë, Mirditë, Gramsh dhe Kolonjë. Kështu, në fund të këtij viti 43 nga 61 bashkitë në vend do të kenë të hartuara dhe të miratuara Planet e Përgjithshme Vendore. Ndryshimi tjetër në ligjin e Planifikimit dhe Zhvillimit të Territoritështë mundësia e rishikimit të Planit të Përgjithshëm Kombëtar, për ta përshtatur me ndryshimet e legjislacionit në fuqi”.

Dokumentacioni për pajisjen me leje zhvillimi
1. Dokumentet e vetme që duhet të paraqesë pronari ose zhvilluesi për t’u pajisur me leje zhvillimi janë:
a) Kërkesa për leje, sipas formatit të aplikimit, të përcaktuar në këtë rregullore dhe në sistemin elektronik të lejeve;
b) Prokura ose autorizimi, në emër të personit fizik apo juridik, në rast se kërkesa paraqitet nga një përfaqësues i pronarit ose zhvilluesit;
c) Dokument që vërteton të drejtat pasurore të pronës/ave që marrin pjesë në zhvillim dhe, nëse ka, kopje të marrëveshjeve për pronën;
ç) Planin e rilevimit të pronës, në shkallë 1:500, nga topograf i licencuar;
d) Projektidenë arkitektonike të zhvillimit;
dh) Kopje të licencës së topografit dhe projektuesit, sipas shkronjave “ç” dh “d”;
e) Mandatpagesën e tarifës së aplikimit, nëse parashikohet.”.
2. Në rastin e kërkesës për leje zhvillimi në Këshillin Kombëtar të Territorit, kërkuesi duhet, në çdo rast, të dorëzojë edhe studimin e fizibilitetit përkatës.”.

Shqyrtimi i kërkesave për leje zhvillimi
1. Autoriteti vendor përgjegjës dhe sekretariati i KKT-së, sipas fushës përkatëse të kompetencës,:
a) shqyrtojnë kërkesën për leje zhvillimi, duke bashkërenduar punën nëpërmjet sistemit elektronik të lejeve, me të gjitha autoritetet publike të specializuara, nëse pasuria për të cilën kërkohet leja e zhvillimit ndodhet në zona apo është objekt me kufizime apo kushtëzime të veçanta sektoriale, për shkak të vlerave monumentale, arkeologjike, natyrore apo mjedisore;
b) marrin vetë, kryesisht, dhe administrojnë, nëpërmjet sistemit elektronik të lejeve të ndërtimit, të gjithë dokumentacionin apo informacionin e nevojshëm nga zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, sipas rastit;
c) sigurojnë përditësimet e infrastrukturës rrugore, të kanalizimeve, atyre elektrike, telefonike, të pikave të depozitimit të mbetjeve, intensitetin e studimit sizmologjik, si shërbim me një ndalesë.
2. Në rast se dokumentacioni nuk është i plotë, autoriteti përgjegjës njofton kërkuesin që, brenda 15 ditëve, të kryejë plotësimin e dokumentacionit, sikurse parashikohet në pikën 1, të nenit 10, të këtij vendimi. Me dërgimin e njoftimit, si më sipër, pezullohet llogaritja e afatit të shqyrtimit të kërkesës deri në plotësimin e dokumentacionit nga kërkuesi. Nëse subjekti nuk plotëson dokumentacionin brenda afatit të caktuar, autoriteti përgjegjës merr vendim të arsyetuar për refuzimin e kërkesës për leje zhvillimi.
3. Nëse autoriteti përgjegjës, brenda 5 ditëve pune, nuk njofton kërkuesin për mangësi në dokumentacion, aplikimi konsiderohet i miratuar në heshtje për çështje të formës dhe autoriteti përgjegjës ka detyrimin të vijojë me shqyrtimin e kërkesës.
4. Brenda 20 ditëve pune nga marrja në dorëzim e kërkesës për leje zhvillimi, së bashku me dokumentacionin e plotë shoqërues të saj, autoriteti vendor përgjegjës ose KKT-ja, sipas fushës së kompetencës, merr vendimin për:
a) lëshimin e lejes së zhvillimit;
b) refuzimin e lejes së zhvillimit.
5. Autoriteti vendor përgjegjës ose KKT-ja, sipas fushës së kompetencës, ka detyrimin që, krahas lëshimit të lejes së zhvillimit, të shprehet, brenda të njëjtit afat, nëse projektideja është hartuar në përputhje me dokumentet e planifikimit dhe rregullat e projektimit dhe, nëse është rasti, të japë vërejtjet e veta.
6. Në rast se në lidhje me kërkesën për leje duhet të shprehen, paraprakisht, edhe autoritete të tjera publike, brenda kompetencave që u njeh ligji, autoriteti vendor përgjegjës ose KKT-ja, sipas fushës së kompetencës, u dërgon atyre kërkesë për mendim nëpërmjet sistemit elektronik të lejeve. Me dërgimin e kërkesës pezullohet llogaritja e afatit të shqyrtimit të aplikimit, sipas pikës 4, të këtij neni, deri në dhënien e mendimit/miratimit përkatës. Në mungesë të përgjigjes së autoriteteve publike nëpëmjet sistemit elektronik të lejeve të ndërtimit brenda 10 ditëve pune, kërkesa konsiderohet e miratuar në heshtje dhe autoriteti përgjegjës i zhvillimit ka detyrimin të vijojë me shqyrtimin e kërkesës për leje.
7. Kur, për shkak të detyrimeve ligjore që rrjedhin nga legjislacioni në fushën e trashëgimisë kulturore, monumentale apo arkeologjike është e nevojshme kryerja e vëzhgimeve të thelluara të pronës apo vendimmarrja e këshillave të specializuara, në lidhje me projektin e propozuar, afati për dhënien e pëlqimit/miratimit është 30 ditë pune, nga dorëzimi i kërkesës pranë sekretariatit përkatës. Në mungesë të përgjigjes, brenda afatit 30-ditor, pëlqimi apo miratimi konsiderohet i dhënë. Deri në dhënien e përgjigjes nga institucionet përgjegjëse, si më sipër, pezullohet llogaritja e afatit të shqyrtimit të kërkesës nga autoriteti vendor.
8. Leja e zhvillimit apo vendimi për refuzimin e saj i dërgohet kërkuesit nëpërmjet sistemit elektronik të lejeve të ndërtimit.”.

Shqyrtimi i kërkesave për leje ndërtimi nga autoriteti vendor
1. Brenda 15 ditëve pune, nga marrja në dorëzim e kërkesës për leje ndërtimi, së bashku me dokumentacionin e plotë shoqërues të saj, autoriteti vendor përgjegjës përfundon shqyrtimin teknik të kërkesës dhe njofton kërkuesin për vendimmarrjen përkatëse, sipas nenit 22.
2. Në përfundim të shqyrtimit teknik të përputhshmërisë së projektit me legjislacionin në fuqi, zyra/organi përgjegjës i planifikimit, pranë autoritetit vendor, përgatit raportin e vlerësimit teknik dhe ia përcjell atë për vendimmarrje, nëpërmjet sistemit elektronik të lejeve, kryetarit të bashkisë. Raporti i vlerësimit teknik dhe rezultati i njoftohet aplikuesit, nëpërmjet sistemit, dhe merret për bazë për qëllimet e gjenerimit të vendimit në heshtje, në mungesë përgjigjeje.
3. Në rast se është e nevojshme që të kryhen ndryshime në projektin e paraqitur, zyra/organi përgjegjës i planifikimit, pranë autoritetit vendor, i dërgon njoftim kërkuesit për kryerjen e tyre, duke dhënë edhe arsyet ligjore përkatëse. Këto ndryshime duhet të kryhen nga pala e interesuar brenda 5 ditëve nga njoftimi i kërkesës dhe duhet të verifikohen nga institucionet përkatëse, që i kanë kërkuar ato, brenda 2 ditëve. Në rast se ndryshimet nuk dorëzohen brenda afatit 5-ditor ose nuk pasqyrohen saktësisht në projekt, autoriteti përgjegjës vendor merr vendim për refuzimin e kërkesës.
4. Kërkesa për ndryshimin e projektit fillestar pezullon llogaritjen e afatit për kryerjen e shqyrtimit teknik deri në kryerjen e ndryshimit përkatës të dokumentacionit. Ky afat mund të ndërpritet vetëm një herë dhe vetëm bazuar në një kërkesë të arsyetuar për plotësimin apo saktësimin e dokumenteve që nuk zotërohen/disponohen nga administrata publike.
5. Afatet e përcaktuara në këtë nen nuk zbatohen për ndërtimet sipas nenit 24, të kësaj rregulloreje.
6. Në rast se në lidhje me kërkesën për leje duhet të shprehen, paraprakisht, edhe autoritete të tjera publike, brenda kompetencave që u njeh ligji, autoriteti vendor përgjegjës ose KKT-ja, sipas fushës së kompetencës, u dërgon atyre kërkesë për mendim nëpërmjet sistemit elektronik të lejeve. Me dërgimin e kërkesës, pezullohet llogaritja e afatit të shqyrtimit të aplikimit, sipas pikës 4, të këtij neni, deri në dhënien e mendimit/miratimit përkatës. Në mungesë të përgjigjes së autoriteteve publike nëpëmjet sistemit elektronik të lejeve të ndërtimit, brenda 10 ditëve pune, kërkesa konsiderohet e miratuar në heshtje dhe autoriteti përgjegjës i zhvillimit ka detyrimin të vijojë me shqyrtimin e kërkesës për leje."

Article Logic
Execution time: 0.0042529106140137