INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Derbi Partizani-Tirana mbyllet pa gola,

Derbi Partizani-Tirana mbyllet pa gola,

Publikuar më: 08:59 26-09-2016

Ka përfunduar me rezultatin 0-0 ndeshja mes Partizanit dhe Tiranës, e luajtur në “Elbasan Arena”. Gjatë 90 minutave të lojës dhe shtesës së gjatë të dhënë nga gjyqtari, asnjë nga skuadrat nuk ka arritur të shënojë. Pavarësisht se rastet në të dyja portat nuk kanë munguar, futbollistët nuk kanë patur saktësinë e duhur për të realizuar.

Ndeshja nisi në një atmosferë elektrizuese të krijuar nga dy tifozëritë, të cilat në këtë takim zgjodhën të vendosen pas portave. Në tribunën VIP nuk munguan as politikanët. Braçe e Klosi e ndoqën derbin pranë njëri tjetrit. Rasti i parë i takimit i takoi Partizanit. Në minutë e 14 një prej lojtarëve të Partizanit goditi fort nga distanca, por portieri Lika i Tiranës reagoi bukur duke e dërguar topin në këndore.

Në minutën e 31-të, Tirana i pati të gjitha mundësitë të kalonte në avantazh me anë të Merveille, por futbollisti hezitoi të godiste në momentet e fundit kur ishte i vetëm me portierin Hoxha. Më pas, një mundësi e artë për Torasën, dy minuta para fundit të pjesës së parë, por edhe këtë herë lojtari nuk është treguar i saktë para Likës. Edhe me nisjen e pjesës së dytë, ishte sërish Torasa në minutën e 55. Pasi i shmanget bukur njërit prej lojtarëve të Tiranës, lëshon një të djathtë të fuqishme drejt portës, por topi përplaset në shtyllë. Në minutën e 61 loja u ndërpre për pak çaste pas hedhjes së tymueseve nga tifozët. Porta e Tiranës u trondit sërish në minutën e 69, këtë herë me Bathën, i cili goditi nga 25 metra, por topi përfundoi në traversë.

Tirana mund të cilësohet me fat në minutat e fundit të takimit. Partizani shfaqet disa herë rrezikshëm, flagrant rasti i Bardhit pak para fundit, por edhe Ekuban. Megjithatë rrjetat mbetën të paprekura. Dy ekipet e kryeqytetit ndajnë nga një pikë në këtë derbi, ku “fitues” mund të cilësohet Skënderbeu, i cili tashmë është shkëputur në 4 pikë nga Partizani i vendit të dytë. Ndërsa Tirana mban vendin e 6 me 4 pikë me vetëm barazime. Ndërkohë, ekipi i Sormanit, pas 4 javësh ende nuk ka pësuar gol.

Article Logic
Execution time: 0.0038609504699707