INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Deklarata e policisë për protestën, reagon PD: Rama të heq dorë nga çdo skenar destabilizues

Deklarata e policisë për protestën, reagon PD: Rama të heq dorë nga çdo skenar destabilizues

Publikuar më: 16:05 12-02-2019

Partia Demokratike, nëpërmjet Sekretarit të saj të Përgjithshëm, Gazment Bardhi ka reaguar për deklarimin e Policisë së Shtetit se në protestën e 16 shkurtit do të ketë edhe elementë kriminalë që do të synojnë destabilizim të vendit. 

Bardhi tha se, ai që duhet të heq dorë nga skenarët destabilizues është kreu i qeverisë, Edi Rama. “Në një përpjekje të mjeruar, i rrethuar nga zhgënjimi, zemërimi dhe revolta e shqiptarëve, Edi Rama, i vetmuar, shfaqi sot gjithë pasigurinë dhe frikën e tij, kur urdhëroi Policinë e Shtetit të përhapë panik lidhur me protestën e 16 shkurtit. Skenari për të përdorur policinë si vegël politike është kriminal. Partia Demokratike garanton çdo qytetar për sigurinë e tij në datën 16 Shkurt. Shqiptarët do t’i bashkohen protestës së opozitës, sepse e dinë mirë që kriminelët dhe bandat janë me Edi Ramën dhe jo mes protestuesve. Ne do të protestojmë si njerëz të lirë dhe me dinjitet”, u shpreh ai, duke dhënë një paralajmërim policisë. "Paralajmërojmë Policinë Politike të Edi Ramës të rrijë larg protestuesve! Të mos pengojë lëvizjen e lirë të tyre! Përndryshe, secili prej shërbëtorëve të skenarit kriminal të Edi Ramës, do të mbajë përgjegjësi personale dhe ligjore! Në Shqipëri ka vetëm një skenar destabilizimi. Ai është skenari i Edi Ramës për të qeverisur bashkë me krimin e organizuar, i cili blen vota dhe mandate për të mbajtur në pushtet Edi Ramën. Edi Rama ka vetëm një detyrë: t’i hapë rrugë zgjidhjes politike! Ai nuk mund të qeverisë më me mandate të vjedhura dhe kundër interesit të shqiptarëve! Koha për Edi Ramën është drejt skadimit! I bëjmë thirrje të heqë dorë nga çdo skenar destabilizues që ka mbi tryezën e tij!”, theksoi Sekretari i Përgjithshëm i PD.

 

Article Logic
Execution time: 0.0034620761871338