INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
DASH: Shqipëria vend burimi për trafikimin njerëzor

DASH: Shqipëria vend burimi për trafikimin njerëzor

Publikuar më: 10:59 01-07-2016

Shqipëria vazhdon të mbetet vend burimi i trafikimit të qenieve njerzore. Kështu thuhet në raportin vjetor për vitin 2016 të Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili është bërë publik nga Sekretari Amerikan i Shtetit John Kerry.
Shqipëria vazhdon të jetë në grupin e dytë, ndërsa raporti i grupon shtetet në tri kategori: në të parën bëjnë pjesë shtetet, qeveritë e të cilave pëmbushin standartet minimale, në të dytën vendet që nuk i përmbushin plotësisht standartet, por që bëjnë përpjekje të mëdha për t’i përmbushur dhe në të tretin janë vendet që nuk i plotësojnë standartet dhe që nuk bëjnë përpjekje.
Shqipëria:
Edhe në raportin e këtij viti, Shqipëria vazhdon të klasifikohet në kategorinë e dytë përsa i përket trafikut me njerëz. Raporti thekson se Shqipëria mbetet vend burimi dhe destinacioni në trafikun e seksit dhe në punën e detyruar si brenda vendit, ashtu edhe në vende fqinje si Kosova, Maqedonia, apo Greqia. Raporti ngre problemin e fëmijëve të komunitetit rom e egjiptas që shfrytëzohen si lypës apo në forma të tjera pune të detyruar, si dhe problemin e grave e vajzave që shfrytëzohen në tregtinë e seksit, pasi martohen me shkesëri në Shqipëri ose jashtë vendit. Korrupsioni dhe lëvizjet e shumta në personelin policor e bëjnë joefikase punën e forcave të rendit kundër problemit, thuhet më tej në analizën e Departamentit të Shtetit.
Por raporti nënvizon se ka rënë numri personave të identifikuar si viktima, apo i individëve të dyshuar si trafikantë të cilët ndiqen penalisht, krahasuar me 2014. Në 2016, qeveria dhe OJQ-të identifikuan 109 viktima të trafikut dhe individë të kërcënuar nga trafikimi, krahasuar me 125 në vitin 2014. Raporti thekson edhe problemin e mos-identifikimit të personave të shfrytëzuar si viktima të trafikimit, por thjesht si çështje të lidhura me “shfrytëzim prostitucioni”, duke e bërë situatën e viktimave më të vështirë si gjatë procesit të hetimeve, ashtu edhe më pas në akordimin e mbështetjes.

Në 2015, qeveria ndoqi penalisht 15 të dyshuar, krahasuar me 18 të ndjekur penalisht në 2014. Të gjithë personat e shpallur fajtorë për trafikim u dënuan me burgim nga 6-17 vjet, megjithëse dënimi për tre prej tyre ishte nën standardin minimal prej tetë vjetësh burgim. Qeveria, thuhet në raportin e DASH mbi trafikun me njerëz, ka ulur fondet për strehat shtetërore për viktimat e trafikimit, megjithëse ka vazhduar të financojë rrogat për 12 punonjës në dy qendra strehimi. Qeveria ka vazhduar praktikën e hetimit dhe ndëshkimit të viktimave për akte penale që janë kryer gjatë kohës që ishin të trafikuar, megjithëse ligji i mbron viktimat nga ndjekja penale. Raporti nënvizon se plani i veprimit 2014-2017 përsëri nuk ka pasur fonde të mjaftueshme. Departamenti i Shtetit rekomandon në raportin e tij që Shqipëria të ndalë ndëshkimet ndaj viktimave, për akte që janë kryer gjatë periudhës që ishin të shfrytëzuar nga trafikantë; të rrisë fondet e OJQ-ve për strehat e viktimave, të përmirësojë mbështetjen mjekësore, psikologjike dhe të riintegrimit për viktimat në streha. Raporti bën thirrje për infrastrukturë përmes shoqërisë civile për identifikimin e viktimave dhe për t’i mbështetur ata të raportojnë mbi trafikantët, zyrtarët e korruptuar dhe të përfshihen në procesin e hetimit të trafikantëve.

Article Logic
Execution time: 0.0035719871520996