Te Juventusi është periudhë festive dhe jo vetëm për shkak të 34-vjetorit të yllit të skuadrës, Cristiano Ronaldo.
Lajme të mira veçanërisht në repartin e mbrojtjes, aty ku mungesa e dyshes Bonucci-Chiellini ka thuajse të njëjtin ndikim sa prania e portugezit CR7.
Pas problemit në kavilje që pati në ndeshjen me Lazion, ndoshta duhet pak më shumë durim e kujdes, por është një shqetësim që nuk duhet të përbëjë problem për ndeshjen në Madrid. E pavarësisht luftës me kohën, në klubin bardhezi mbizotëron optimizmi.
Por le të kthehemi te ngjarja e ditës. Sot Cristiano mbush 34 vjeç dhe është vetëm në gjysmën vitit të parë të aventurës bardhezi.
Klubi nuk mund të mos e manifestonte këtë ngjarje, pasi prej CR7 varen jo vetëm shpresat për fitoren e trofeut aq shumë të lakmuar dhe prestigjioz europian, Champions League, por edhe të ardhurat në arkat e klubit.
“Një ditëlindje të cilën të gjithë ne po e festojmë me në mendje dy golat e shënuara ndaj Parmës, të shtunën e kaluar. Dy gola që e ngjisin në krye të klasifikimit të golashënuesve, në sezonin e tij të parë në Serie A. Gola që iu shtohen paraqitjeve të jashtëzakonshme që na ka dhuruar deri më sot, e që e projektojnë atë në Olimpin e futbollit tonë me shifra mbresëlënëse. Mbi të gjitha veçojmë dy statistika: CR7 ka shënuar ndaj 13 skuadrave, nga 19 me të cilat është përballur, ndërsa ka gjetur rrugën e golit 6 herë në 5 takimet e fundit. Për të mos harruar golin e kokë që na dhuroi trofeun e parë sezonal, pak javë më parë në Jeddah. Cristiano është Cristiano, ndaj ajo që mund të bëjmë është ta presim me ovacione ngado dhe t’i urojmë Gëzuar ditëlindjen!”, shkruhet në komunikatën e klubit bardhezi.









10 Dec 2025 





