INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Covid-19: 135 raste të reja, ndërron jetë infermieri 63-vjeçar

Covid-19: 135 raste të reja, ndërron jetë infermieri 63-vjeçar

Publikuar më: 15:26 05-09-2020

Numri i të prekurve dhe të vdekurve me COVID-19 është rritur ditën e sotme në vendin tonë, ku 6 persona kanë ndërruar jetë, mes tyre edhe një infermier 63-vjeçar dhe janë regjistruar 135 raste të reja duke e çuar numrin në total të të prekurve mbi 10 mijë.

Sipas Marjeta Dervishit nga Instituti i Shëndetit Publik, 94 persona janë shëruar gjatë 24 orëve të fundit. Që nga fillimi i epidemisë janë mbi 10 mijë të prekur nga COVID 19, prej tyre, 60% janë të shëruar, ndërsa 3814 janë persona aktivë me COVID-19. Nga 860 testime qe janë kryer në 24 orët e fundit, ku përfshihen edhe testime të kryera në laboratorët jo publike, 135 persona rezultuan pozitivë, ku 33 raste janë në Tiranë, 29 në Elbasan, 13 në Lezhë, 10 në Krujë, 7 në Lushnje, nga 4 raste në Durrës, Kamëz, Gjirokastër, nga 3 raste në Fier, Kurbin, Kavajë, Pukë, Berat, Librazhd, nga 2 raste në Vlorë, Mirditë, Pogradec, Sarandë, Kolonjë, nga 1 rast në Shkodër, Rrogozhinë, Gramsh.

Në spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 189 pacientë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, ku 12 janë në terapi intensive nga të cilët 4 pacientë janë të intubuar. Gjithashtu në dy spitalet COVID janë duke marrë shërbim të specializuar 17 qytetarë të cilët kanë qenë pozitivë me COVID-19 dhe aktualisht janë negativë por po vijojnë të marrin trajtim spitalor për pasojat e sëmundjes.

Infermieri 63-vjeçar nga Tirana që ndërroi jetë ditën e sotme ushtronte detyrën në spitalin e Traumës dhe vuante nga sëmundje bashkëshoqëruese. Gjithashtu kanë ndërruar jetë një 64-vjeçar nga Mati, një 71 vjeçare nga Divjaka dhe 3 qytetarë nga Tirana : një 77 vjeçar ; një 72 vjeçare dhe një 80 vjeçare.

Ministria e Shëndetësisë bën apel për të gjithë qytetarët që të respektojnë rregullat etë mos rrezikojnë jetën e tyre dhe të afërmve, duke theksuar se një pjesë e rasteve pozitive janë nga ceremoni mortore apo dasma.

“Nisur nga fakti se një pjesë e rasteve pozitive lidhen me grumbullime në ceremoni festive apo mortore, rikujtojmë qytetarët se ndalohen të gjitha grumbullimet pasi janë burim i përhapjes së infeksionit, duke vënë në rrezik shëndetin tuaj dhe të afërmve tuaj. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale apelon edhe një herë për më shumë kujdes për respektimin e rregullave të higjienës, vendosjes së detyrueshme të maskës në ambientet e mbyllura dhe respektimit të distancimit fizik. Nëse dyshoni se jeni i prekur ose keni shenja të sëmundjes duhet të qëndroni të izoluar dhe telefononi në numrin e Urgjencës Kombëtare 127. Ministria e Shëndetësisë ka vënë në dispozicion të qytetarëve linjën e gjelbër 0800 40 40 për të kontaktuar mjekun e familjes apo për çdo informacion tjetër rreth Covid19“, thotë MSH.

COVID-19 – Statistika (5 Shtator 2020)

Testime totale 67057

Raste pozitive 10102

Raste të shëruara 5976

Raste Aktive 3814

Humbje jete 312 (Qarku Tiranë 149, Durrës 41, Shkodër 36, Elbasan 19 , Fier 16, Korçë 12, Lezhë 12, Kukës 8, Vlorë 6, Dibër 7, Gjirokastër 4, Berat 2)

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:

Tiranë 2054

Durrës 466

Shkodër 296

Lezhë 204

Elbasan 154

Korçë 135

Kukës 129

Vlorë 125

Fier 113

Berat 69

Dibër 35

Gjirokastër 34

Article Logic
Execution time: 0.0020380020141602