INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Çfarë ju shkon nëpër mend meshkujve kur janë në një lidhje? E thonë vetë ata

Çfarë ju shkon nëpër mend meshkujve kur janë në një lidhje? E thonë vetë ata

Publikuar më: 16:57 26-07-2017

Femrat janë të etura të dinë se çfarë u kalon në kokë partnerëve të tyre; çfarë mendimesh kanë, që nuk i thonë.

Çfarë mendojnë ata vërtet për seksin, takimet, marrëdhëniet dhe gratë... Rich Santos, bloger dhe specialist marrëdhëniesh, tregon disa gjëra që duhet t’i dimë ne femrat...

NEVE NA PËLQEN TË PËRKËDHELEMI
Përqafimet kanë lidhje me gjendjen shpirtërore dhe mjedisin. Është kënaqësi të rrish shtrirë në krahët e dikujt në errësirë, me muzikë të bukur në sfond ose dhe me televizorin ndezur e me zë të ulët (dhe pse ndonjëherë ky i fundit të shpërqendron). Është një ndjesi fantastike të ndiesh frymën e të dashurës tënde në qafë, në mbrëmje ose në mëngjes. Të mbash dikë afër në krevat, gjithashtu të bën të ndihesh i sigurt për njëri-tjetrin në marrëdhënie.

NE MENDOJMË SE JEMI TË MIRË NË KREVAT
Burrat e kanë mësuar se vetëbesimi zgjidh gjithçka. Mund të jemi duke gabuar totalisht, por për sa kohë kemi besim tek vetja, çdo gjë do të shkojë mirë. Kjo mund të shpjegojë se pse meshkujt janë kaq të sigurt në krevat, edhe kur nuk e kanë idenë se çfarë po bëjnë dhe vazhdojnë të sillen sikur e dinë.

TË BËHESH TAPË NË NJË TAKIM, NUK ËSHTË EKSITUESE
Disa njerëz transformohen totalisht kur pinë. Lëre që tjetri të mësojë për ty teksa je esëll, përpara se të bëhesh tapë me të. Alkooli duhet të prezantohet në marrëdhënie ngadalë. Një ose dy gota zgjerojnë ca kufijtë, ndërsa vera shton romanticitetin, por mos e teproni.

TUALETI I RËNDË NUK ËSHTË EKSITUES
Kam qenë gjithnjë ai lloj djali që vlerëson një pamje natyrale dhe nëse një vajzë bën makijazh të mirë, rezultatet mund të jenë magjike. Por gjëja që s’duhet të ndodhë kurrë është aplikimi me tepri: shumë laps, shumë ngjyra, një shtresë e trashë pudre etj. Me kalimin e kohës makijazhi fshihet dhe s’ka gjë më të shëmtuar se njollat e tij të shpërndara nëpër veshje dhe çarçafë, në mëngjesin pas mbrëmjes së kaluar bashkë.

NE I BËJMË PRESION VETES PËR T’U MARTUAR
Gratë më thonë se ato e ndiejnë më shumë presionin për “t’u sistemuar” ose për t’u martuar, sepse ato s’mund të bëjnë fëmijë aq lehtë pas njëfarë moshe. Unë s’e ndiej këtë lloj presioni, por kam frikë se pamja dhe “loja” ime (jo se për momentin po funksionojnë!) do të zbehet teksa plakem. Është argëtuese të jem njëri nga djemtë e paktë në grupin tim që s’e ka gjetur ende dashurinë, por njëkohësisht pyes veten se çfarë ka që nuk shkon me mua... dhe po mundohem të vendos nëse jam vonë apo jo. Kam ngelur prapa; s’e imagjinoj dot që një vajzë me të cilën dal prej muajsh, të më kërkojë që të takohemi të dielën për një drekë e aq më pak të kem fëmijë ose të martohem!

NE DUAM TË “SHPËTOJMË” NË MËNGJESIN PAS NJË “ONE NIGHT STAND”-I
Mos u sorollat nëpër krevat e dehur. Unë jam keq pas një nate që kam qenë tapë, kështu që jam i sigurt që kështu janë dhe të tjerët. Nuk mund “të infektosh” krevatin e tjetrit me këtë gjendje. Njerëzit kanë punët e tyre në fundjavë. Jepini njëri-tjetrit një përqafim, urojini gjithë të mirat dhe mos thoni asgjë për ndonjë telefonatë ose mos e besoni atë nëse ju thotë se do t’ju telefonojë.

JU NUK DO TA KUPTONI KURRË FIKSIMIN TONË ME SPORTIN
E di që disa gra e duan sportin. Por a janë të fiksuara me sportin siç janë djemtë? Lexoj për sportin çdo ditë, shikoj statistikat. Flas me motrën time për lojtarët, jetën e tyre, ku e kanë bërë gjimnazin. Ajo më sheh çuditshëm. Nuk ka ndonjë arsye pse femrat s’do ta kuptonin ose njihnin sportin si djemtë, nëse do të ishin po kaq të fiksuara. Unë thjesht mendoj se djemtë e kalojnë këtë kufi dhe janë më të fiksuar sesa femrat.

NUK JENI TË VETMET QË E ZBATONI TERAPINË E SHOPPING-UT PAS NDARJES!
Unë bëj pazar gjatë periudhave emocionalisht të dobëta. Veshjet e reja më bëjnë të ndihem më i sigurt. Ka gjithashtu një aspekt social kjo gjë, sepse je me miq, duke u shoqëruar me ta, me shitëset etj. Ke harxhuar shumë para me ishin tënd në të kaluarën, tani është momenti të harxhosh ca para për vete.

SEKSI NË DUSH ËSHTË I MBIVLERËSUAR
E kam provuar një herë, por gjatë gjithë kohës shtrembëroja gjithë trupin, duke u munduar që çdo gjë të hynte në mënyrë korrekte. Ai varianti “përplas pas murit” është shumë më i vështirë nga ç’thuhet. I gjithë ambienti në dush është shumë rrëshqitës dhe nëse ka shampo gjithandej, mund të kthehet në një zonë të rrezikshme. Plus që unë mundohem ta mbaj tualetin shumë të pastër, megjithatë s’besoj se dua të bëj ndonjëherë seks afër diçkaje që quhet “myk”.

NE MENDOJMË SE JU JENI TË ÇMENDURA NDONJËHERË, POR VETËM SEPSE I BËN GJËRAT MË TË THJESHTA PËR NE
Sapo e pranova faktin që gratë janë “të çmendura” (shumë djem të rritur këmbëngulnin prej vitesh në këtë gjë), u duk sikur u zhduk një sasi e madhe presioni prej meje. Nuk po përpiqesha më të racionalizoja lëvizje që gratë bënin dhe më fusnin nëpër cikle të çmendura analize. Kur i futa të gjitha në thesin “të çmendura” dhe i hodha të gjitha nga dritarja, u bë më e thjeshtë për t’u menaxhuar për mua. Ne nuk mendojmë vërtet se gratë janë të çmendura, thjesht themi këtë gjë në mënyrë që të mos lodhemi duke menduar dhe analizuar veprimet e tyre e të ecim përpara.

LËRI BAGAZHET TEK DERA!
Djemtë janë të lumtur t’i ndihmojnë partneret e tyre me problemet emocionale. Por nëse bagazhi bëhet shumë i dukshëm shumë herët në marrëdhënie, atëherë ka shumë mundësi që djali do të dojë “të shpëtojë”. Gjithashtu, bagazhet shkaktojnë presion në marrëdhënie dhe e dëmtojnë atë. Një marrëdhënie mund të jetë e dënuar që në fillim që të marrë fund.

NE KEMI FRIKË NGA ANGAZHIMI
Angazhim do të thotë se kam vendosur që gruaja me të cilën jam stabilizuar, është e përsosur dhe s’ka asnjë tjetër atje jashtë për mua. Angazhim do të thotë se kam gjetur shpirtin binjak dhe se jam tërësisht i sigurt tek vetja dhe nuk ka kthim prapa. Nuk e di se çfarë mendoni ju, por e gjitha kjo është e rëndë. Mendoj se shprehja e vjetër “vajzat piqen më shpejtë se djemtë” mund të vijë në ndihmë këtu. Angazhimi është shenjë pjekurie dhe për disa nga ne duhet pak më shumë kohë.

VETËBESIMI ËSHTË ÇELËSI NË DHOMËN E GJUMIT
E kuptoj nëse një vajzë është e pasigurt tek vetja në krevat, është e shpërqendruar dhe e gjithë gjëja bëhet e pakëndshme. Gjëja më e mirë për të bërë, është të sillesh sikur ke përvojë dhe të mos pyesësh për asgjë. Më kujtohet këshilla që na dha babai im mua dhe motrave kur u futëm në zonën “vetëm për pjesëtarë” të klubit të tenisit në një resort të shtrenjtë në plazh. Ndërkohë që luanim atje, rojat e sigurisë na shikonin nga afër dhe babai im, kur shikonte që ne ishim në ankth, na thoshte: “Silluni sikur jeni në vendin e duhur dhe ata s’do të bëjnë asnjë pyetje”. Funksionoi!

NE JEMI TË PASIGURT PËR TË FOLURIT “E PISTË”
Pasi e kam futur një vajzë në krevat, s’kam ndër mend ta lë gojën time të pistë t’i prishë gjërat. Në fakt, ka shumë shanse që këtu kemi arritur duke mos konsideruar ato që thotë goja ime. Ka shumë gjëra jokorrekte që mund të thosha, që nga të dobëta, të shpifura ose të çuditshme. E fundit që dua, është t’i jap kësaj vajze material për bisedat e saj me shoqet në mbrëmje.

NDONJËHERË NE FAJËSOJMË SIMPTOMAT PARAMENSTRUALE PËR HUMORIN TUAJ TË KEQ
Por nëse jeni e mençur, ne nuk e themi këtë gjë. Ndershmërisht, ndonjëherë inati i një femre duket hormonal. I kam thënë diçka një vajze, me të cilën një ditë mund të qeshë, por një javë më pas mund të më kafshojë në kokë nëse bëj të njëjtën gjë. Por kam mësuar të mos i përkeqësoj gjërat, duke i thënë se është në fazën paramenstruale.

NE BËHEMI XHELOZË, SEPSE JEMI TË PASIGURT
Nëse një djalë ndjen se nuk e meriton atë grua ose nuk është mjaft i mirë për të, ai do të bëhet xheloz shumë lehtë ose do të shqetësohet se do ta humbë për një mashkull tjetër. Nga ana tjetër, e pranoj që më parë jam munduar t’i bëj xheloze me dashje vajzat që kam pëlqyer.

NE KEMI SHUMË INAT KUR JU MUNDOHENI TË BËHENI “NJË NGA SHOKËT TANË”
Nuk është gjë e bukur që unë dhe shokët e mi shpikim fjalë dhe pastaj qeshim si fëmijë. Por ka diçka dhe më pak të bukur se kjo: kur dikush, një “i jashtëm”, mundohet ta përdorë këtë gjuhë, pa aftësinë për të lënë përshtypje të mirë. Një nga ishtë dashurat e mia u mundua ta bënte diçka të tillë. Unë me miqtë e mi e diskutonim faktin që ajo mundohej të fliste si ne dhe arriti një pikë ku më ngriheshin qimet përpjetë sa herë e dëgjoja të përdorte ndonjë nga fjalët tona të shpikura.

NE E VËMË RE ÇFARË KENI VESHUR
Sigurohu që ajo që ke veshur të ketë lidhje me atë që po bën. Unë mundohem të mos e bëj të ecë shumë një vajzë nëse ka veshur taka. Kam parë vajza me perla dhe bluza të shtrenjta në festa në oborr me alkool të keq ose taka në ndeshje sporti. Nuk është e këndshme.

SEKS NË PLAZH? NE PREFEROJMË PIJEN
Deti është shumë romantik, por unë do të isha nervoz gjatë gjithë kohës. Ka lloj-lloj krijesash atje. Ndërsa ecja në oqean, kam prekur krijesa të paidentifikuara dhe jemi larguar të dy me frikë. Ndoshta në breg është më e sigurt?! Në asnjë mënyrë, sepse rëra të futet gjithandej! Ka mendjen e saj. Rëra e bën seksin të parehatshëm, madje të dhimbshëm. Zgjidhja ime është të gjesh një zonë afër plazhit ku mund të shohësh dhe të dëgjosh dallgët. Seks afër plazhit, jo në plazh!

NE BËJMË SI TË VËSHTIRË, DHE E DIMË
Ndonjëherë unë sillem sikur vajzat s’kanë asnjë shans, edhe pse mund të më pëlqejnë. Flirtoj hapur me vajza të tjera para tyre dhe flas për vajza të tjera seksi me to. E bëj veten të dukem shumë i vështirë dhe krijoj mundësinë sikur unë po zgjedh. Më pas, bëhem shumë i ëmbël dhe i jap gjithë vëmendjen time kësaj vajze që mendonte se s’kishte asnjë shans.

NE I SHOHIM FEMRAT E TJERA (EDHE NËSE JEMI NË NJË MARRËDHËNIE)
Më vjen keq, por ne e vëmë re një vajzë seksi në çdo kohë dhe në çdo vend. Fatmirësisht, disa prej nesh nuk e bëjnë kaq të dukshme, por e shikojmë një bukuroshe sa herë që mundemi. E keqja është nëse motra jote e vogël ose shoqja e ngushtë është seksi! Edhe atë do ta shohim!

NDONJËHERË NA PËLQEN TË NA THONË SE ÇFARË TË BËJMË
Një nga arsyet pse nuk angazhohemi, është sepse nuk na pëlqen të na thonë se çfarë të bëjmë. Por nuk është sekret se nuk na pëlqen të mendojmë ose të luftojmë me detajet. Kështu që kur ju na thoni qartësisht se çfarë doni, si e doni dhe bëni një hartë se ku ndodhet, ne mund ta mbarojmë një punë pa ankth. Gjithashtu, nëse ne ndjekim saktësisht udhëzimet dhe ju vazhdoni të jeni të pakënaqura, atëherë duhet të jeni të pakënaqura me udhëzimet dhe jo me ekzekutimin e tyre.

NE QAJMË DHE KEMI MOMENTE EMOCIONALE ME MIQTË TANË
Pas dasmës së motrës sime të vogël, fola për atë që ndieja me disa nga miqtë e mi. Ne mund të ulemi në divan duke parë filma me një shishe verë dhe të flasim për gjëra emocionale me njëri-tjetrin. Ndodh! Dhe ne qajmë – thjesht nuk e bëjmë në prani të kujtdo. Më dalin lot kur risjell në mendje kujtime, kur shoh diçka të trishtë në televizor ose kur ndonjë këngë më prek në mënyrën e duhur.

NE JEMI TË NDJESHËM PËR PESHËN TONË
Shkova të merrja masat për një kostum kohët e fundit dhe, kur u ktheva, në zyrë një nga kolegët më pyeti se si shkoi. U përgjigja: “Nuk më bëri të ndihesha i shëndoshë.” Kohët e fundit ndihem i shëndoshë, sepse s’kam pasur mundësi të shkoj në palestër aq shpesh sa do të doja dhe shoh stomakun që zgjerohet më shpejt se universi. Edhe pse ne mendojmë se femrat nuk shqetësohen për pak bark tek meshkujt, ne sërish shqetësohemi për peshën tonë. Dhe po: shqetësohemi edhe nëse disa veshje na bëjnë të dukemi edhe më të shëndoshë.

NE KEMI FRIKË NGA PLAKJA
Kjo është e lidhur ngushtë me ndjeshmërinë ndaj peshës. Teksa vitet kalojnë, ne shtojmë peshë, humbasim flokët dhe lodhemi më shpejt, ndërsa djemtë e rinj duken dhe më mirë në praninë tonë. Është veçanërisht e dhimbshme për djemtë atletikë, që nuk mund të bëjnë më gjërat që bënin fizikisht. Kalojmë depresione, kriza të moshës së mesme etj., derisa në fund thjesht dorëzohemi!

NE THEMI SE DO TË TELEFONOJMË EDHE KUR NUK E KEMI SERIOZISHT
Ne themi gjithnjë se do t’ju telefonojmë, sepse është gjëja më e këndshme për t’u thënë. Është po aq e pamenduar sa përgjigjja “mirë”, kur dikush na pyet se si jemi. A mos do të ishte më mirë të thoshim: “Shiko, nuk kam në plan të të marr në telefon!”?! Dhe ndonjëherë në atë moment që themi se do t’ju telefonojmë, mund edhe ta kemi seriozisht, por pas 24 orësh ndryshojmë mendje, pasi e kemi menduar mirë.

Article Logic
Execution time: 0.0045411586761475