INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Basha: 30 qershori nuk është datë zgjedhjesh, të ndëshkohen ata që vodhën votat

Basha: 30 qershori nuk është datë zgjedhjesh, të ndëshkohen ata që vodhën votat

Publikuar më: 14:29 23-06-2019

Kreu demokrat, Lulzim Basha deklaroi se nuk do të ketë dalje nga kriza pa u ndëshkuar personat që janë përfshirë në vjedhjen e votave.

Në një intervistë të dhënë për Radio Evropa e Lirë, Basha akuzoi kryeministrin Rama se është shkaktari kryesor i krizës dhe se ka bërë pakt me krimin me qëllim që të mbaj pushtetin e tij.

“Ftesat për dialog që bëhen sa për sy e faqe apo akoma më keq, për propagandë nuk jane ftesa por janë përpjekje për t’i hedhur hi syve njerezve. Në krizën aktuale në Shqipëri është qartë se shkaktari kryesor është zoti Rama, i cili, për pushtetin e tij ka lidhur një pakt me krimin, çka faktohet edhe nga këto dosje hetimore, 339, 184. Disa gjëra dalin qartë nga këto dosje hetimore, megjithëse pak minuta janë zbardhur. E para, që në Shqipëri zgjedhjet janë vjedhur në të gjithë territorin” u shpreh Basha.

Duke u ndalur tek përgjimet e BILD, Basha tha se gazeta gjermane tregoi qartë se në shitblerjen e votës janë mobilizuar të gjithë kriminelët e Shqipërisë.

“Asgjë nuk do ta zgjidhë këtë krizë pa u ndëshkuar hajdutët e votave, qofshin kriminelë të rrugës apo politikanë të bërë njësh me krimin. Ky është një kusht i panegociueshëm, jo thjesht për opozitën, po në qoftë se nuk arrijmë këtë, nga kjo krizë do të shkojmë në një krizë tjetër akoma më të thellë” tha kryedemokrati.

Më tej kreu demokrat, bëri me dije se ne 30 qershor nuk do të ketë zgjedhje.
“Për ne është fare e qartë, 30 qershori nuk është një datë zgjedhjesh. Votime ka edhe në Korenë e Veriut, për liri dhe demokraci flet edhe Maduro i Venezuelës. Procese farsë mban edhe Berdinmuhamedovi i Turkmenistanit. Po këto nuk janë standarde perëndimore. Nuk mund të ketë zgjedhje pa opozitën. Nuk mund të ketë zgjedhje me një kandidat” tha ndër të tjera Basha për Radio Europa e Lirë.

Article Logic
Execution time: 0.0040609836578369