INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Anilda Ibrahimi, shkrimtarja që paraqet në italisht realitetin e gruas shqiptare: Shumë familje rrezikuan jetën për të mbajtur besën...[FOTO]

Anilda Ibrahimi, shkrimtarja që paraqet në italisht realitetin e gruas shqiptare: Shumë familje rrezikuan jetën për të mbajtur besën...[FOTO]

Publikuar më: 10:21 26-10-2019

Shkrimtarja e njohur Anilda Ibrahimi ka bërë të mundur që figura e gruas shqiptare të njihet nga publiku italian falë veprave të saj të shkruara në gjuhën italiane. Ibrahimi përmes penës tregon figurën e grave shqiptare të para viteve ’90., të ngecura sipas saj mes mentalitetit komunist.

E rikthyer në Tiranë në javën e gjuhës italiane nga Ambasada Italiane në Tiranë, shkrimtarja ka zhvilluar një takim me të rinj në gjimnazin Ismail Qemali për të folur për jetën dhe krijimtarinë e saj letrare.

Gjatë këtij takimi, Anilda Ibrahimi ka folur për librin e saj të fundit “Il tuo nome e una premesa” që flet për një histori që i përkiste shpëtimit të gati 2 mijë hebrenjve gjatë luftës së dytë botërore të cilët u strehuan në Shqipëri.

“Shumë familje shqiptare rrezikuan jetën për të mbajtur besën, premtimin që u kishin bërë miqve hebrej dhe që i kishin strehuar. Edhe duke rrezikuar në atë moment. Unë doja të tregoja këtë histori dhe e tregova nëpërmjet jetëve të vogla që pasqyrohen në përditshmërinë e tyre. Tregova familjen gjermane si mbarriti në Shqipëri në vitin 38-39, familjet që e shpëtuan hap pas hapi duke kaluar gjithë periudhën e luftës së dytë dhe duke arritur në paradoksin e jetës që ai vend që i shpëtoi këta njerëz, ai vend i mbajti edhe të burgosur sepse në momentin e mbylljes së kufinjve në momentin e vendosjes së diktaturës komuniste këta nuk patën më mundësi të iknin dhe ngelën në të njëjtin vend që i shpëtoi dhe në të njëjtin vend që i mbajti të burgosur, në pamundësi për të dalë duke arritur deri në vitin 90, që pastaj me rënien e diktaturës mundën”, tha Ibrahimi.

Edhe pse larg vendit të saj për shumë vite, vendosi që krijimtaria e saj të cilën e shkruan në gjuhën italiane të jetë për jetesën e shqiptarëve dhe fëmijërinë e saj gjatë periudhës komunisite.

“Kështuqë për mua ky ishte paradoksi dhe nëpërmjet këtyre personazheve pata mundësinë të tregoj edhe parantezën e viteve të komunizmit, si jetonin hebrenjtë si jetonin shqiptarët në fund të fundit. Jetët e vogla të shqiptarëve sepse çdo jetë e vogël është e madhe sepse është jeta jonë, është e kaluara jonë dhe mua më intereson të tregoj gjithmonë me shkëputje duke jetuar larg prej 25 vjetësh. Kjo largësi më ka dhënë edhe mundësinë që të realizoj më mirë se çfarë ndodhi në ato vite gjatë fëmijërisë time që unë kam jetuar pjesën komuniste deri në 18 vjeç”, thotë ndër të tjera.

NILDE.jpg

 

Shkrimtarja ka gjithmonë në fokus gruan, madje rrëfen se aktualisht është në proces duke shkruar një libër ku do të bazohet mbi historinë e saj. “Kam gjithmonë gruan si pjesë qendrore të romaneve të mia dhe sidomos gruan shqiptare. Në librin e 5 që do të dalë së shpejti gjithmonë unë tregoj mungesën e edukimit sentimental të grave shqiptare, atë trysni që ushtronte presioni publik i familjes i shoqërisë dhe pyetja ime; Unë jam një nga ato gra. Çështë bërë me jetën time sot mbas shumë vitesh duke qenë unë nënë e 3 fëmijëve me një identitet tjetër dhe italian në fund të fundit që unë vazhdoj të kem në fokus gruan shqiptare”.

Në fjalën e saj, Ibrahimi theksoi se shembulli i suksesit është realizimi i ëndrrës duke qenë e lirë të zgjedhësh.

“Unë nuk dua të jap shembull për askënd në kuptimin që nuk është e rëndësishme që ti të bëhesh shkrimtar apo në jetën tënde në momentin që ti realizon që je një njeri I lirë dhe zgjedh, pra ke mundësi zgjedhje. Nëse bëhesh shkrimtar, nëse bëhesh parukiere, nëse bëhesh mësuese, nuk është shumë e rëndësishme çfarë do bëhesh, shembulli i suksesit ndoshta është vetëm në atë pjesën që të jesh njeri i lirë që të zgjedhësh dhe të mos jesh në atë maskilizëm shqiptar që unë kam jetuar, po tani kohët kanë ndryshuar. Baza e gjithçkaje në jetën e një gruaje është e lirë të zgjedhi apo jo, nuk ka rëndësi që je e suksesshme sepse edhe ëndrra e një njeriu që ka si synim të hapi një dyqan të vogël apo një dyqan estetike është realizimi, sepse realizimi i ëndrrës tënde duke qenë e lirë të zgjedhësh për gjithçka ai është shembulli i suksesit.”

Sigurisht që nga vitet ’80-’90 e deri tani figura e gruas ka ndryshuar shumë dhe këtë tematikë e preku pak edhe shkrimtarja Ibrahimi, por ajo u shpreh se nuk ka shumë informacion pasi nuk vjen shpesh në Shqipëri, mirëpo theksoi që nëse duhet shikuar gjendja e shoqërisë shqiptare, duhet parë popullsia rurale.

“Unë nuk kam shumë element sepse vij shumë pak në Shqipëri dhe në atë pak që vij mund të shikoj atë fasadën e jashtme atë sipërfaqen. Mendoj që rënia e komunizmit i dëmtoi në njëfarë mënyre. Pavarësia ekonomike është edhe pavarësi politike në fund të fundit, është edhe pavarësi e identitetit. Mendoj që kemi shembuj suksesi të paparë në Shqipëri për gra të zonja në politikë në parlament të gjitha, por për të parë në të vërtetë në çfarë gjendje është shoqëria shqiptare duhet të shikosh popullsinë rurale. Popullsia rurale, çfarë bëjnë këto gra, si punojnë. Mendoj se ka ende shumë për të bërë”, u shpreh Ibrahimi.

Nga Shqipëria është larguar në vitin 1993, menjëherë pasi përfundoi universitetin në Tiranë për Gjuhë dhe Letërsi. Dhe libri i fundit i Ibrahimit është pikërisht për fëmijërinë dhe adoleshencën e saj në komunizën, pra periudhën në të cilën ka jetuar në Shqipëri.

“Unë po shkruaj një libër të fundit siç e përmenda pak më parë për edukimin që kam marrë unë në vitet 80 dhe për herë të parë e filloj në Itali sepse tregoj rastin e një gruaje që ka një identitet, një gjuhë tjetër. Dhe ajo shikon të kaluarën, gjithë identitetin e saj kompleks, çfarë ka marrë nga ai vend, ajo mungesë edukimi sentimental që ka pasur nga ana e familjes që në njëfarë mënyre ka qenë e kompletuar edhe nga librat, sepse ne kemi qenë një gjeneratë që kemi lexuar jashtëzakonisht. Ne jemi edhe leximet që kemi bërë, ne jemi librat, personazhet që kemi parë. Është një histori që më takon në rradhë të parë, nuk është autobiografi sepse nuk është e rëndësishme që unë të tregoj historinë time po është një histori si gjithmonë e një gjenerate të asaj periudhe që unë kam jetuar fëmijërinë dhe adoleshencën në komunizëm.”, tha shkrimtarja.

Ibrahimi foli gjithashtu dhe për vendimin që mori për tu larguar nga Shqipëria dhe u shpreh se edhe ka humbur, por edhe ka fituar nga ky largim.

“Shumë gjëra i kam fituar, shumë gjëra të tjera i kam humbur. Nuk bëhen ato krahasime. Unë kam ikur në një periudhë historike që nuk mund të krahasohet me këtë moment që po kalon Shqipëria tani. Ndoshta tani nuk do kisha ikur. Kam ikur në një etje kulturale në atë moment, pas universitetit. Ideja e botës së madhe, mbas rënies së murit të Berlinit na dha atë hapësirën e idesë së lirisë, që mund të qarkullojë dhe ngela. Por që kam humbur dhe fituar, si të gjitha gjërat në jetë, që humbet dhe fiton nga ana tjetër.”

Article Logic
Execution time: 0.0031681060791016