INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Alibeaj nxjerr EMRAT: 9 ish ‘sigurimsat’ të emëruar drejtorë në SHISH

Alibeaj nxjerr EMRAT: 9 ish ‘sigurimsat’ të emëruar drejtorë në SHISH

Publikuar më: 15:16 27-01-2019

Sipas Partisë Demokratike, nën drejtimin e Helidon Bendos ose njeriut të Edi Ramës siç e konsideron selia blu, në Sërbimin Informativ Shqiptar janë emëruar në shumë poste të larta drejtuese të paktën 9-ish-oficerë të Sigurimit të Shtetit.

Ishte deputeti Enkelejd Alibeaj që në një konferencë për shtyp renditi një listë me emra, të cilët janë emëruar në detyrat e larta pas marrjes së shërbimit sekret nën kontrollin e Edi Ramës.

Pasi mori në qeveri të gjithë pasardhësit e Byrosë Politike, miq të afërt të tij, Edi Rama riktheu në poste të rëndësishme drejtues të Sigurimit të Shtetit.  Policia e Shtetit sot drejtohet në të gjithë piramidën e saj nga ish oficere dhe bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit. Rasti i Prokurorit të Apelit të Krimeve të Rënda, Bujar Sheshi, spiun i Sigurimit, u emëruar në kundërshtim me ligjin, në mënyrë që Edi Rama dhe vegla e tij Arta Marku të kontrollojnë Këshillin e Lartë të Prokurorisë nëpërmjet shantazhit. 

Partia Demokratike disponon të dhëna se nën drejtimin e njeriut të Edi Ramës në shërbimin sekret, Helidon Bendo, të paktën 9 ish oficerë dhe operativë të Sigurimit të Shtetit janë emëruar në poste shumë të larta drejtuese në kundërshtimin me ligjin e promovimit në detyrë të personave që figurojnë në dokumentacionin e Sigurimit të Shtetit. 

Lista jep të qartë emrat dhe detyrat e larta ku janë emëruar pas marrjes së shërbimit sekret nën kontrollin e Edi Ramës. 

1- Rafail Milo: ish oficer i Sigurimit të Shtetit. Nga inspektor, ai emërohet Drejtor i Departamentit të Administratës në SHISH. Ka në varësi Drejtorinë Juridike dhe atë Ekonomike.

2- Qerim Dedja: ish oficer i Sigurimit të Shtetit, nga inspektor emërohet drejtor i Drejtorisë së Sigurisë

3- Mevlud Matraku: ish oficer i Sigurimit të Shtetit, punëtor operativ, kryesisht në Sarandë. Nga inspektor, është emëruar Drejtor i Performancës. Bën vlerësimin e të gjitha drejtorive të linjës informative operative.

4- Vladimir Elezi: ish punëtor operativ i Sigurimit të Shtetit është emëruar Drejtor në SHISH në Elbasan.

5- Gëzim Bime: ish oficer i Sigurimit të Shtetit nga inspektor, emërohet Drejtor kundër Krimit Ekonomik dhe Korrupsionit (drejtori e rëndësishme në punën operative)

6- Ilir Tafa: ish oficer i Sigurimit të Shtetit, emërohet Drejtor i Drejtorisë SHISH, në Durrës. Vëllai i tij është Afrim Tafa, ish Drejtor Policie, i cili është në listat e punonjësve të policisë, i implikuar në trafikun e drogës.

7- Sokrat Mite: ish oficer i Sigurimit të Shtetit, nga inspektor, emërohet zëvendësdrejtor i Departamentit të Kundërzbulimit.

8- Agim Karralli: ish oficer i Sigurimit të Shtetit, nga inspektor, emërohet Drejtor i Drejtorisë SHISH Tiranë.

9-  Rinald Serhani: ish oficer i Sigurimit të Shtetit, emërohet Drejtor në SHISH”.

Alibeaj u shpreh se për dy emrat e parë, Autoriteti i Dosjeve ka zbuluar dokumentacion të mjaftueshëm që i bën ata të papërshtatshëm për promovimin në detyrë. Ndërsa për drejtuesit e tjerë  ka prova të qarta në dosjet e tyre personale në SHISH se kanë qenë oficerë të shërbimit sekret të diktaturës.

Ndërkohë në një deklaratë për shtyp të shtunën, deputeti i PD-së, Gent Strazimiri tha se anëtari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Bujar Sheshi, ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit në kohën e komunizmit. Në atë reagim, PD-së theksoi se Vettingu ka mbajtur në sistemin e drejtësisë gjyqtarë dhe prokurorë në kundërshtim me ligjin, që i shërbejnë Edi Ramës për të mbajtur nën kontroll organet e reja të drejtësisë.

Article Logic
Execution time: 0.0039689540863037