INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
ALARM: Bankat i kanë përqendruar kreditë në sektorë të njëjtë. Rrezik moskthimi!

ALARM: Bankat i kanë përqendruar kreditë në sektorë të njëjtë. Rrezik moskthimi!

Publikuar më: 11:31 28-03-2016

Ekspertë të Bankës së Shqipërisë kanë kryer një studim në lidhje me shpërndarjen e kredive nga bankat. E në fakt ajo që bie në sy është se kreditë janë të shpërndarë në sektorë të njëjtë.
Sipas Monitor niveli i ngjashmërisë rezulton akoma dhe më i lartë, kur në aplikim përfshihet faktori risk, i përfaqësuar nga raporti i huave me probleme. Nisur nga ngjashmëria e lartë që karakterizon sektorin bankar shqiptar, kërkohet monitorim i kujdesshëm i investimeve me rrezik, të ndërmarra në sektorë të njëjtë. Studimi nxjerr në pah se, pavarësisht madhësisë së bankave portofolet e kredisë janë të ngjashme. Sektori në të cilin është përqendruar më shumë kredidhënia e bankave është sektori i tregtisë, riparimit të automjeteve dhe artikujve shtëpiakë me rreth 23.4% të totalit të sektorit bankar. Ndërsa sektorët më të ekspozuar ndaj rrezikut të kredisë, rezultojnë sektori i tregtisë, ndërtimit, industria përpunuese, transporti dhe kredia konsumatore, të cilët karakterizohen nga një nivel i ulët i koeficientit. Si rezultat i marrëdhënies së ndërsjelltë të kredive me probleme, këta sektorë rezultojnë me një nivel të lartë të raportit të kredive me probleme, thuhet në studim. Nisur nga kjo logjikë, ngjashmëria mes çifteve të bankave për këta sektorë, duke marrë parasysh rrezikun e kredisë, paraqitet e lartë.
Aplikimi i metodologjisë për periudhën para krizës (dhjetor 2008), paraqet një nivel ngjashmërie më të ulët, për rrjedhojë ekspozim më të ulët ndaj rreziqeve potenciale si rezultat i diversifikimit të portofolit të kredisë së dy bankave të sektorit bankar. Struktura sektoriale e ekonomisë së vendit, evidenton disa sektorë specifikë, të cilët kanë kontribuar pozitivisht në rritjen ekonomike. Zgjerimi i tyre me ritme të shpejta në vite, mbështetur nga kushtet e favorshme makroekonomike dhe kërkesa e lartë e brendshme, kanë bërë që këta sektorë të jenë tërheqës për orientimin drejt tyre të investimeve të sektorit bankar.
Ndër këta sektorë përmendim: sektori i industrisë nxjerrëse, prodhimit dhe shpërndarjes së energjisë elektrike, ndërtimit, transportit dhe bujqësisë. Kjo ndarje i referohet grupimit të biznesit, megjithatë mbështetje me financim ka pasur edhe grupimi i individëve, konkretisht me kredinë konsumatore dhe me atë për blerje të pasurive të paluajtshme. Aktiviteti kreditues në vend mbizotërohet nga sektori bankar, ku afërsisht 96% e kredisë akordohet nga bankat, 3.2% nga institucionet financiare jobanka dhe 1.1% nga shoqëritë e kursim-kreditit. Kreditimi i ekonomisë shqiptare ka kaluar nëpër cikle të ndryshme zhvillimi, duke regjistruar nivele të larta zgjerimi dhe njëkohësisht periudha ngërçi.
Roli ndërmjetësues i sektorit bankar shqiptar u bë më i dukshëm pas vitit 2004, si pasojë e disa zhvillimeve në të, ku përmendim: privatizimi i bankës më të madhe në vend, Bankës së Kursimeve në 2004 dhe shtimi i një numri bankash të huaja, si dhe përmirësimi i bazës rregullative. Aktiviteti kreditues nga viti 2001-2004, edhe pse me bazë të ulët, shënonte një rritje mesatare vjetore prej 33%, duke përbërë mesatarisht 7.4% të PBB-së së vendit.
Vitet 2004-2008, kanë regjistruar normat më të larta të rritjes së kredisë, mesatarisht 57%, duke përbërë mesatarisht 24% të PBB-së së vendit. Gjatë këtyre viteve, rritje më të shpejtë të kredisë, edhe pse karakterizohen nga një bazë më e ulët, njohën kredimarrësit individë (mesatarisht 67.2%) sidomos kredia hipotekare, meqenëse kërkesa për këtë lloj kredie u rrit dukshëm. Ndërsa, subjekti biznes regjistroi një rritje mesatare prej 45%.
Prirja rënëse e kreditimit vijoi edhe në vitet në vazhdim, duke kulmuar me vlera negative rritjeje (korrik 2013-korrik 2014) kryesisht si rezultat i ngadalësimit ekonomik dhe performancës së ulët të portofolit të kredisë.

Article Logic
Execution time: 0.0075919628143311