INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Abuzim seksual ndaj tre motrave me probleme mendore në Lezhë, institucionet heshtin...

Abuzim seksual ndaj tre motrave me probleme mendore në Lezhë, institucionet heshtin...

Publikuar më: 14:15 18-05-2018

Tre motra me probleme të shëndetit mendor janë abuzuar prej vitesh seksualisht para syve të institucioneve shtetërore në Lezhë, të cilat e pasojnë problemin te njëra-tjetra përmes shkresave dhe ngrenë duart të dorëzuar kur pyeten nëse motrat mund të mbrohen nga shteti.

Policia e Lezhës filloi atëherë procedimin penal dhe ndoqi në gjendje të lirë një 85-vjeçar i cili u akuzua për “Marrëdhënie seksuale me persona të pazotë për t’u mbrojtur”. Por sipas dëshmisë së xhaxhait dhe po ashtu edhe zyrtarëve të Shërbimit Social Shtetëror dhe Shërbimit Social në Bashkinë Lezhë, ky nuk qe abuzimi i parë dhe as i fundit me gratë me probleme mendore.

Xhaxhai, emri i të cilit BIRN nuk e publikon për të mbrojtur identitetin e vajzave, tha se abuzimet filluan sapo vajzat u larguan nga qendra ditore që kujdesej për to.

“Tre motrat kanë rënë pre e abuzimeve që kur janë larguar nga qendra e trajtimit ditor, këtu e dy vite më parë. Qe prej asaj kohe ato ngelën në situatë rruge,” tha ai, ndërsa thotë se interesimit të tij të vazhdueshëm për t’u gjetur një strehë nuk i është përgjigjur njeri.

Të braktisuara, tre motrat ranë pre e abuzimeve nga persona të panjohur. Xhaxhai thotë se njëra prej tyre u dërgua prej tij të abortonte. Ndërsa një tjetër e çoi në fund shtazaninë dhe solli në jetë një vajzë, e cila ndodhen nën kujdestarinë e murgeshave në Elbasan.

Xhaxhai i vajzave i tha BIRN se kishte qenë një murgeshë që nuk kishte lejuar të kryhej aborti, edhe pse tha ai “vajzat nuk janë në gjendje të kujdesen për një fëmijë”.

Është e paqartë, për shkak të mungesës së kujdestarisë ligjore se sa i ligjshëm është qoftë vendimi për të abortuar qoftë ai për të mbajtur fëmijën. Sipas dëshmive që BIRN mblodhi, në bazë të një ekspertize mjeko-ligjore, vajza që lindi fëmijën u shpall e paaftë të merrte vetë vendime dhe po ashtu e paaftë të kujdesej për fëmijën.

Ndërkohë edhe vajza e tretë është sërish shtatzanë dhe pritet të lindë së shpejti.

Të pyetur nëse mund të mbroheshin nga abuzimi, asnjë prej institucioneve nuk ishte në gjendje të propozonte një zgjidhje të mundshme, përveç kërkimit të një qendre rezidenciale apo vendosjes nën përkujdesjen e një qendre komunitare. Një përfaqësuese e bashkisë tha se i ishte kërkuar policisë të “kishte kujdes” në zonën ku qëndronin motrat, por kjo nuk duket se ka pasur ndonjë efekt deri tani.

Institucionet thonë se janë ende në kërkim të një zgjidhjeje dhe e cilësojnë situatën të rëndë, por prej tre vitesh, motrat me probleme mendore vijojnë të jetojnë në situatë rruge dhe në rrezik të vazhdueshëm abuzimi.(burimi Birn)

Article Logic
Execution time: 0.0040140151977539