INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
‘Skeni asnjë fakt nga hetimet tuaja për paratë ruse’, Basha nuk shkon në Prokurori

‘Skeni asnjë fakt nga hetimet tuaja për paratë ruse’, Basha nuk shkon në Prokurori

Publikuar më: 08:24 17-06-2019

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha nuk ka pranuar të shkojë në Prokurorinë e Tiranës sot për dyshimet për para ruse për lobimin që ka bërë selia blu në SHBA në vitin 2017.

Në vend të kësaj selia blu i ka nisur prokurorisë një letër, ku mes të tjerash theksohet se organi hetimor deri më tani nuk ka gjetur asnjë fakt lidhur me akuzat. Ndaj dhe shkuarja sot në Prokurori është në shkelje të ligjit sipas PD. 

"Në lidhje me Ftesën për Paraqitje të datës 12 Qershor 2019, ju informoj se njoftimi juaj nuk përmbush detyrimin ligjor të Kodit të Procedurës Penale (KPP), neni 308, pika 3, i cili kërkon që ftesa për t’u paraqitur duhet të përmbajë “parashtrimin e përmbledhur të fakteve që rezultojnë nga hetimet e bëra deri në atë çast. Ju nuk keni parashtruar asnjë fakt që ka dalë nga hetimet në njoftimin tuaj, duke mos plotësuar detyrimet tuaja ligjore", thuhet në letrën e PD për prokurorinë.

letra_kerkese.jpg

Kërkesa e Prokurorisë

Sot në orën 09:30 kryetari i PD, Lulzim Basha ishte thirrur nga Prokuroria e Tiranës në cilësinë e të pandehurit për t'i komunikuar zyrtarisht akuzën lidhur me çështjen e financimit rus për lobimin në Shtete e Bashkuara të Amerikës. 

Në fletë-thirrjen e Prokurorisë nën hetim janë vendosur edhe ish-Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Arben Ristani si dhe ekonimisti i selisë blu, Ilir Dervishi.
Në prokurori Basha do të pyetet për shumën prej 650 mijë dollarë që dyshohet se janë dhënë për lobim në SHBA në vitin 2017.
Lideri i PD-s, Basha, Ristani dhe Dervishi akuzohen për “Pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale (pastrim parash)” dhe “Falsifikim të vulave, stampave ose formularëve”.

Historia e personazheve rusë që kanë dhënë para për PD është publikuar nga revista “Mother Jones” në muajin korrik të vitit 2018. Kjo revistë hidhte dyshime se Partia Demokratike është ndihmuar me financime nga kompani offshore të lidhura me elementë rusë të paidentifikuar për lobimin e saj në Shtetet e Bashkuara. Ndërkohë, këto akuza janë mohuar nga selia blu, me argumentin se shumat e parave janë deklaruar në KQZ sipas ligjit.
E sotmja nuk do të jetë hera e parë që Basha shkon në Prokurori për këtë çështje. Megjithatë, duhet theksuar se thirrja në prokurori është në një moment tensioni të lartë politik për 30 qershorin.

Article Logic
Execution time: 0.0034220218658447