INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
30 qershori/ Policia merr masat. 7779 punonjës policie në gatishmëri, kush cënon zgjedhjet 1-5 vjet burg

30 qershori/ Policia merr masat. 7779 punonjës policie në gatishmëri, kush cënon zgjedhjet 1-5 vjet burg

Publikuar më: 17:43 28-06-2019

Policia e Shtetit ka marrë masa shtesë për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, për zgjedhjet vendore që do të zhvillohen të dielën.

Plot 7779 punonjës policie do të angazhohen ditën e dielë. Në një deklaratë për mediat, drejtori i rendit publik Albert Dervishaj bëri publike masat e marra nga policia për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

“Rreth 5400 qendra votimi do të hapen në të gjithë Shqipërinë në orën 07:00 dhe do të mbyllen në orën 19:00. Për të garantuar procesin do të angazhohen mbi 7700 efektivë policie në të gjitha nivelet, të cilët janë trajnuar për procesin e votimit të 30 qershorit. Rreth 5900 policë do të vendosen në qendrat e votimit në të gjithë vendin”, tha Dervishaj.

Gjithashtu në deklaratën e tij para mediave Dervishaj u shpreh se protestat apo tubimet në datën 29 dhe 30 qershor janë të kundraligjshme dhe të dënueshme nga ligji penal.

‘’Çdo organizim dhe zhvillim i tubimeve dhe protestave në datat 29 dhe 30 Qershor 2019, data që korrespondojnë me periudhën e “heshtjes zgjedhore”, janë të kundërligjshme dhe të dënueshme nga ligji penal, pasi konsiderohen vepra penale të cilat prekin dhe cenojnë të drejtat kushtetuese dhe ligjore të zgjedhësve apo personave për të ushtruar të drejtën e votës, të parashikuara në Kreun e X-të të Kodit Penal. Sipas dispozitave të këtij Kodi, këto vepra penale kanë si masë dënimi atë me burgim nga një deri në pesë vjet’’, tha drejtori i rendit publik.

Article Logic
Execution time: 0.0037400722503662