INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Intervistë për intv.al/ Aktorja Suela Bako zbulon detaje për filmin e parë horror shqiptar [FOTO/VIDEO]

Intervistë për intv.al/ Aktorja Suela Bako zbulon detaje për filmin e parë horror shqiptar [FOTO/VIDEO]

Publikuar më: 14:12 13-09-2017

“Bloodlands” - (Tokat e përgjakura), me siguri ishte filmi i zhanrit horror që i kishte munguar publikut shqiptar. Ai do të sjellë një ajër tjetër në ekranin e kinemasë, ndryshe nga tematikat e zakonshme që ishim mësuar të shihnim të trajtuara në filmat shqiptarë. Ne zhvilluam këtë bisedë mjaft interesante me njërën ndër aktoret kryesore të filmit, Suela Bakon, e cila na shuan kureshtjen dhe na përcjell paraprakisht emocionet e xhirimeve që menduam t’i ndajmë me ju.

eac1a0f9a4eadb79b845d35f6ce140ee.jpg

-  Suela, Bloodlands” është filmi i parë horror shqiptar që të sjell ndryshe nga herët e tjera. Çfarë do më thoje për personazhin tënd?

-          Shpresa është një personazh shumë kompleks që më ka dhuruar shumë kënaqësi profesionale në realizim. Fakti që bën pjesë në një dramë familjare dhe është në mbrojtje të familjes së saj, edhe pse në nota tejet dramatike, nuk e bën shumë të ndryshëm nga personazhet e tjerë që kam luajtur. Ndërkohë është qasja shumë e mençur "mbinatyrale" apo zhanri horror zgjedhur nga regjisori Steven Kastrisioss, që bën që ky personazh të përballet me forca dhe realitete të cilat nuk i kam hasur më parë. Kjo është një risi, edhe për kinemanë shqiptare, që vjen këtë herë me një zhaner të palëvruar. Shpresa në thelb është çdo grua, çdo nënë, dhe po ashtu si shtriga, ka gjithë të drejtën  e botës për t’u sjellë siç sillet në film. Kjo e bën të lehtë në dukje, por jo në realizim në fakt.


- Sa të vështirë e kishe të futeshe nën lëkurën e tij?

       - Kam patur skena të cilat më kanë tronditur vërtet dhe nuk  kanë qenë shumë të lehta për t’i jetësuar. Megjithatë,  nuk di të kem kaluar vështirësi shumë të mëdha.  Unë dhe  Shpresa (personazhi) teksa hynim e dilnim në lëkurën e njëra -tjetrës, shume shpejt përfunduam në të njëjtën lëkurë. Është personazhi im më i dashur deri tani në film.

-           - Të është dashur të sakrifikosh diçka apo të dalësh nga vetja për të perfeksionuar personazhin?

-          Jo, më është dashur të punoj fort  dhe sigurisht të lë pak mënjanë Suelën dhe gjithë ç'mbart Suela me vete (fëmijët, bashkëshortin)  Por  kështu është kjo punë, nuk zgjati shumë. Të dal nga vetja pastaj, e kam për profesion. Megjithatë,   nuk parapëlqej ta quaj "dalje nga vetja". Është  më shumë një kërkim brenda vetes. Unë me personazhet e mi, përpiqem të hyj më shumë brenda vetes për të gjetur skutat ku personazhi që luaj po fle dhe çdo personazh ka nje skutë të tijën. Mjafton të kërkosh thellë.

-          Mendimi i parë që të erdhi në mendje kur tu propozua? Çfarë të bëri të vendosje ta pranoje?

-          Ishte një rol  i fortë dhe  as që kam hezituar ndonjë moment . Mendimi i parë ishte: "Po, unë mundem ta bëj këtë rol shumë mirë!"

-           Përveç afktit se me këtë rol rrëmbeve çmimin e aktores më të mirë në “Nashville Film Festival” në SHBA, çfarë tjetër ke përfituar nga ky rol ?

-          Shumë, kam përfituar shumë. Shumë besim, shumë eksperiencë, shumë forcë. Miq të mirë, një bashkëpunim të shkëlqyer profesional. Një mundësi për të treguar sa vlej. Plot..

-           Si mendon se do të pritet nga publiku shqiptar duke qenë se me 22 shtator ka edhe premierën?

-          Mezi pres ta kuptoj se si do ta presë publiku, nuk dua të krijoj asnjë pritshmëri.  Dua vetëm që ai të vijë në kinema e ta shohë dhe pasi ta shohë të ndajë mendimin e tij për filmin.

-          Çfarë emocioni ndryshe përcjellin xhirimet e një filmi të këtij zhanri?

-          Ka adrenalinë tjetër, ka emocion tjetër.  Çdo skenë sjell një të papritur shumë pranë ankthit dhe të frikshmes. Kjo e bën shumë interesant proçesin e krijimit.

-           Njërin prej momenteve që do të veçoje nga xhirimet?

-          Momentin kur personazhi kryen vrasjen e parë. E kam përjetuar sikur po e kryeja realisht atë vrasje. Një lëmsh i vërtetë ndjesish.

-          Si ndihesh kur sheh filmat e tu të shfaqen në ekran?

-          Skeptike, por arrij të perceptoj nese ja "kam futur kot" apo jo. (Buzëqesh) Ndodh që edhe qëlloj.

-           Cilin nga filmat shqiptarë do të doje që të risillej në mënyrë të modernizuar?

-          "Muri i gjallë" filmat historikë.  S'e kisha menduar ndonjëherë. "Yjet e netëve të gjata. Kryesisht historitë  e forta.

-          Për çfarë kanë nevojë kinematografia shqiptare dhe aktorët shqiptarë?

-          Kinemaja shiptare dhe aktorët shqiptarë kane nevojë për mundësi, për buxhete, për të punuar, për t’u rritur  dhe pas kësaj jam e sigurt se sukseset janë tek pragu i derës.Përreth nesh ka energji krijuese pa fund që ndodh të mbyten për shkak të pamundësisë.

Bisedoi: Mia Buci 

 

562c9835747987aca025284a497f1d47.jpg

 

4f2ff35c799305bb8b9a0566927ded7c.jpg

 

af03002517e75b1a888e5e30d1f37456.jpg

Article Logic
Execution time: 0.0039489269256592