INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION TECH MED+ SPORTS VIDEOS
Search
Zyrtare/ Lionel Messi tërhiqet nga kombëtarja e Argjentinës: U binda nga...

Zyrtare/ Lionel Messi tërhiqet nga kombëtarja e Argjentinës: U binda nga...

Publikuar më: 16:50 31-08-2026

Lionel Messi ka njoftuar tërheqjen nga kombëtarja e Argjentinës, duke i dhënë fund një prej kapitujve më të lavdishëm në historinë e futbollit.

Pas më shumë se dy dekadash me fanellën e “Albicelestes”, kapiteni argjentinas ka konfirmuar se rrugëtimi i tij me përfaqësuesen ka ardhur në fund. Vendimin, Messi e ka bërë publik përmes një mesazhi emocional, ku pranon se largimi është i dhimbshëm, por sipas tij ka ardhur në momentin e duhur.

“Pas gjithë kësaj kohe që nga finalja dhe pasi e kam menduar shumë, dua t’ju njoftoj të gjithëve se po tërhiqem nga Kombëtarja”, shprehet Messi.

Ylli argjentinas thekson se vendimi nuk ka qenë i lehtë dhe se dhimbja për t’i dhënë fund aventurës me Argjentinën është ende e madhe.

“Ka qenë një vendim që më ka dhembur dhe ende më dhemb thellë brenda meje, por e kuptoj se ky është momenti i duhur”, shkruan ai.

Messi ka kujtuar të gjithë rrugëtimin e tij me kombëtaren, duke theksuar se ka dhënë maksimumin edhe në periudhat më të vështira, përpara se Argjentina të arrinte sukseset e mëdha të viteve të fundit.

“Betohem se gjithmonë kam dhënë gjithçka, jo vetëm në këto vite të fundit kur fituam gjithçka, por edhe më parë. Gjithmonë kam luftuar dhe kam dhënë gjithçka për këtë fanellë, për t’ju sjellë lumturi dhe për t’ju bërë krenarë që jeni argjentinas përmes futbollit”, shprehet kapiteni.

Messi pranon se koha po kalon dhe se karriera e tij me përfaqësuesen tashmë ka arritur në kapitujt e fundit.

“Nuk ka mbetur shumë kohë dhe kapituj të ndryshëm po mbyllen. Ky është një kapitull që më dhemb shumë. E dua, e kam dashur dhe do ta dua gjithmonë të qenit pjesë e Kombëtares. Kam dhënë gjithçka që kisha dhe nuk kam më shumë për të dhënë.”

Në mesazhin e tij të lamtumirës, Messi ka falënderuar edhe tifozët argjentinas për mbështetjen gjatë gjithë karrierës së tij me Kombëtaren.

“Faleminderit për gjithë dashurinë gjatë këtyre 20 viteve. Do të më mungojë t’ju dëgjoj nga brenda. Tani do të jem një prej jush, gjithmonë duke mbështetur nga jashtë, në momentet e mira dhe akoma më shumë në ato të këqija.”

Ai ka falënderuar gjithashtu familjen, trajnerët, shokët e skuadrës dhe drejtuesit me të cilët ka ndarë këtë rrugëtim.

“Me vete marr kujtime dhe momente të paharrueshme”, shkruan Messi.

Messi largohet nga kombëtarja pasi ka përjetuar vitet më të suksesshme në historinë e saj moderne. Me Argjentinën, ai fitoi Kupën e Botës në vitin 2022 dhe dy Kupa të Amerikës, duke u kthyer në figurën qendrore të një brezi që riktheu trofetë madhorë te përfaqësuesja.

Pas më shumë se 200 paraqitjesh me fanellën e Argjentinës, Messi e mbyll aventurën ndërkombëtare me një trashëgimi të jashtëzakonshme.

“Largohem i qetë dhe krenar, duke e ditur se së bashku me shokët e skuadrës ju dhamë momente që dikur i kishim ëndërruar. Ishte çmenduri ta përjetoja gjithë këtë me ju. Ju dua!”, shkruan ai.

Në fund, Messi ka falënderuar Zotin për mundësinë që i dha të lindte argjentinas. “Faleminderit Zotit që më bëri argjentinas. Vamos Argentina!”

Vendimi u mor pas finales

Messi ka zbuluar se mesazhin për tërheqjen nga kombëtarja e kishte shkruar vetëm dy ditë pas finales së Botërorit 2026, por publikimi i tij u shty pas vdekjes së babait të tij, Jorge Messi, në gusht.

“I shkrova këto fjalë më 21 korrik, dy ditë pas finales. Sot, pas asaj që ndodhi me babain tim, jam edhe më i bindur për këtë vendim sesa më parë”, shprehet Messi.