INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunat veriore/ Ja çfarë vendimi merr Lista Serbe

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunat veriore/ Ja çfarë vendimi merr Lista Serbe

Publikuar më: 08:58 11-04-2019

Lista Serbe, subjekt politik që aktualisht përfaqëson komunitetin serb në Kosovë në institucionet lokale dhe ato qendrore, ka vendosur që të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore të Kosovës, të shpallura për datën 19 maj.

Vendimi për pjesëmarrje në zgjedhje, pasoi takimin e krerëve të Listës Serbe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Beograd.

“Nuk do t’i lejojmë as Prishtinës e as kujtdo nga bashkësia ndërkombëtare që në ato funksione të sjellin shqiptarë e as marioneta serbe, të cilët do të punojnë siç u thonë ata”, tha pas takimit me presidentin Vuçiq, kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq.

Ndërkaq, presidenti Vuçiq, deklaroi se vendimi rreth pjesëmarrjes u takon pikërisht përfaqësuesve serbë, shkruan Rel, transmeton Newsbomb.al.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka shpallur të hënën e kësaj jave zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha se ka filluar menjëherë përgatitjet për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Katër kryetarët e këtyre komunave, më 27 nëntor të vitit 2018, dhanë dorëheqje, duke kundërshtuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës 100% ndaj prodhimeve të importuara nga Serbia.

Këto komuna janë udhëhequr nga Lista Serbe.

Article Logic
Execution time: 0.0037698745727539