INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Zbulohet kur do të shkarkohet Ilir Meta

Zbulohet kur do të shkarkohet Ilir Meta

Publikuar më: 09:56 10-07-2019

Maxhoranca, në mbështetje dhe të shumë deputetëve të opozitës së re, ka ngritur tanimë Komisionin që do të hetojë atë që PS-ja e vlerëson shkelje të rëndë nga Presidenti Ilir Meta, me anulimin e datës 30 qershor për votimet të cilat u zhvilluan.

Ky komision këto ditë do të ketë mbledhjen e parë në të cilën do të miratohet plani i veprimit dhe personat që do të thirren për të vërtetuar pretendimin e Partisë Socialiste se shkelja e Metës është e rëndë.

Por sa kohë do të marrë ky proces? Rregullorja e Kuvendit parashikon disa hapa përpara finales, pra shkarkimin e Metës që kryehet në seancë të posaçme. Dhe kjo nuk do të ndodh brenda këtij muaji.

Deputeti i Partisë Socialiste, Adnor Shameti, që ishte dhe relatori i raportit përfundimtar që u votua në Kuvend, ka treguar se dhe sa ditë mund të qëndrojë në zyrë Ilir Meta.

“Komisioni nisi punën që dje, mendoj se për tre muaj do të përfundojë nga puna dhe në shtator do të kemi raportin përfundimtar ku do të kërkohet shkarkimi i Presidentit”, ka thënë deputeti i PS.

Ndërkohë, Rregulloja e Kuvendi mbi të cilët bazohet veprimtaria e komisionit nuk parashikon një afat se kur duhet të mbyllet hetimi por Parlamenti brenda 20 ditëve duhet të votojë në seancë të posaçme raportin që do të nxjerrë kjo strukturë parlamentare. Pika katër e këtij neni të Rregullores, përcakton se Kuvendi shqyrton raportin e komisionit hetimor në një seancë të veçantë. Konferenca e Kryetarëve përcakton datën e votimit në Kuvend të kërkesës për shkarkim të Presidentit të Republikës dhe kohën e debatit, sipas nenit 48 të kësaj Rregulloreje.

Në rast se kërkohet nga Presidenti i Republikës për t’u dëgjuar në seancë plenare, Kuvendi është i detyruar ta dëgjojë atë. Kuvendi vendos për shkarkimin e Presidentit të Republikës me jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij dhe me votim të fshehtë. Vendimi i Kuvendit për shkarkimin e Presidentit të Republikës i dërgohet Gjykatës Kushtetuese nga Kryetari i Kuvendit brenda 5 ditëve nga marrja e tij.

Dhe më e rëndësishmja është pikërisht këtu: që Gjykata Kushtetuese është ajo që do të vulos fatin e Ilir Metës.

Sipas nenit 90, pika 2 i librit themeltar të shtetit Presidenti shkarkohet vetëm në rastet kur ka kryer shkelje të rëndë të Kushtetutës ose kryerjen e një krimi të rëndë. Deri në mbërritjen e këtij momenti fillimisht pritet që Gjykata Kushtetuese të bëhet funksionale e më pas tëvlerësojë nëse shtyrja e datës së zgjedhjeve lokale është e rëndë.

Article Logic
Execution time: 0.0037961006164551