INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Zbardhet letra e Ruçit drejtuar ''Venecias'' për vettingun në politikë dhe 8 pyetjet janë këto

Zbardhet letra e Ruçit drejtuar ''Venecias'' për vettingun në politikë dhe 8 pyetjet janë këto

Publikuar më: 20:17 03-10-2018

Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi i është drejtuar Komisionit të Venecias me një letër ku ngre një sërë pyetjesh lidhur me propozimin e opozitës për vetting në politikë. Në letrën dërguar Presidenit të Komisionit të Venecias Gianni Buquiçhio Ruçi shtron 8 pyetje për opinion që lidhen me nismën e PD dhe LSI për vettingun në politikë.

Në letër ngrihen pyetjet nëse; Nisma është legjitime, a ka dallim ndërmjet standardeve të vlerësimit të figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe të zgjedhurve, a cenon nisma konventën evropiane të të drejtave të njeriu dhe jurisprudencën e Gjykatës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut dhe mbi të gjitha a ndikon vettingu në politikë në punën e strukturës posaçme prokurorisë së posaçme dhe njësisë së posaçme hetimore?

LETRA:

Me anë të kësaj letre dëshiroj t’ju vë në dijeni se në Kuvendin e Shqipërisë, me nismën e grupit parlamentar të Partisë Demokrati dhe grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim është depozituar projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin nr.8417, datë 21.10 1998, Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, i cili po shqyrtohet në Këshillin e Legjislacionit dhe në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut.

Gjatë diskutimit të projektligjit, nisur nga rëndësia e tij, mbledhja e përbashkët e Këshillit të Legjislacionit dhe Komisionit për Çështjet Ligjore, vendosi t’i drejtohet dhe të kërkojë opinionin e ekspertëve të Komisionit të Venecias, nëse projektligji është në përputhje me standardet dhe praktikat evropiane në këtë fushë.

Bazuar në këtë kërkesë, do të vlerësonim opinionin tuaj mbi çështjet e mëposhtme:

1) Cili është qëllimi i projektligjit për vettingun e politikës? A është ky një qëllim legjitim?

2) A është ndërhyrja në të drejtën për t’u zgjedhur e balancuar dhe në përputhje me standardet e Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (KEDNJ) dhe jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDN), në kuptim të parimit të proporcionalitetit dhe parashikimit me ligj”?

3) Cilat janë standardet ndërkombëtare dhe praktikat më të mira lidhur me kontrollin e figurës së të zgjedhurve (deputetë/të zgjedhur vendorë)?

4) A ka dallim ndërmjet standardeve dhe kontrollit të figurës së gjyqtarëve/prokurorëve dhe të zgjedhurve (deputetë/të zgjedhur vendorë)?

5) A është ndërhyrja në të drejtën për mbrojtjen e reputacionit, në kuptim të nenit 8 të KEDNJ, e balancuar dhe në përputhje me standardet e KEDNJ dhe jurisprudencën e GJEDN?

6) A është ndërhyrja në të drejtat për një proces të rregullt ligjor (akses në gjykatë), në kuptim të nenit 6 të KEDNJ, në përputhje me standardet e KEDNJ dhe jurisprudencën e GJEDNJ?

7) A janë formuluar nenet e projektligjit për vettingun e politikës në mënyrë korrekte nga pikëpamja e teknikës së hartimit të një norme kushtetuese?

8) A mund të sjellin implikime, ndikim të papërshtatshëm apo edhe mbivendosje parashikimet e projektligjit për vettingun e politikës në drejtim të zbatimit dhe efektivitetit të dispozitave që rregullojnë funksionimin e gjykatave të posaçme (neni 135/2 i Kushtetutës), Prokurorisë së Posaçme dhe Njësisë së Posaçme Hetimore (neni 148/4 i Kushtetutës), të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit (ILDKPI), ligji nr. 9367/2005), të institucioneve që merren me procesin e dekriminalizimit (ligji nr. 138/2015)?

Për sa më sipër, në frymën e bashkëpunimit të deritanishëm me Komisionin e Venecias, si dhe bazuar në procedurat që janë ndjekur më parë nga Kuvendi i Shqipërisë, më lejoni t’ju paraqes kërkesën për opinion për projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.8417, datë 21.10.1998, “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”.

Article Logic
Execution time: 0.0033900737762451