Në “Pardon my French” me Jonida Aliçkollin dhe Elona Duron ka gjithnjë personazhe interesantë, e sigurisht nuk mund të mungonte Ylli Limani, i cili me muzikën e tij ngroh zemrat e njerëzve në mbarë botën (nëse kujtojmë këtu videon virale që postoi dhe Kendall Jenner e Kourtney Kardashian).
Biseda ka qenë mjaft interesante duke nisur me projektet, përjetimin e luftës dhe jetën sentimentale.
Që në fillim të bisedës, Ylli zbuloi se është duke punuar me një projekt që lidhet me Top Median në tërësi. Duhet thënë se Ylli u vu në qendër të vëmendjes këto kohë prej spektaklit Big Brother Vip, fillimisht me rikthimin në skenë të bashkëpunimit me PM&Dagz dhe më pas me baladën e ndjerë që krijoi për Semin.
Sa i takon situatës së krijuar nga agresioni rus në Ukrainë, këngëtari tha se po përpiqej ta përjetonte sa më pak, ndërsa tregoi se kur është bërë lufta në Kosovë ai ka qenë shumë i vogël.
Po jeta sentimentale? Ylli nuk mundi t’i shpëtonte kësaj pyetje, që e kaloi me goxha diplomaci.
“Normalisht që jeta personale ka qenë gjithmonë e mbrojtur hermetikisht, jam i turpshëm për të folur për këtë situatë. Edhe njerëzit janë të lidhur shumë emocionalisht me muzikën time. Po të them që jam në një lidhje dhe bëhet publike, do mendojnë njerëzit që tërë kohën po i shkruaj asaj, prandaj e kam ruajtur gjithmonë,” u shpreh ai.
Kujt ja priste mendja që aq romantik sa shfaqet në tekstet e tij, Ylli mund të ishte i turpshëm për të folur për jetën sentimentale.