INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Vrasja e shqiptarit në burgun e Athinës, MPJ: Janë pamjet filmike, do bëhet autopsia

Vrasja e shqiptarit në burgun e Athinës, MPJ: Janë pamjet filmike, do bëhet autopsia

Publikuar më: 09:15 16-08-2016

Shqipëria kërkon zbardhjen e plotë të vrasjes së 29 vjeçarit shqiptar Pëllumb Marnikolaj, në rajon policie të Athinës. Nëpërmjet një komunikate të shpërndarë për mediat, Ministria e Jashtme bën të ditur se ekzistojnë pamjet filmike të kësaj ngjarje të rëndë, ndërsa i ka kërkuar palës greke hetim të plotë të kësaj ngajrje të rëndë. Gjithashtu bëhet e ditur se është urdhëruar kryerja e autopsisë mjeko-ligjore.
Njoftimi i Ministrisë së Jashtme:
“Ministria e Punëve të Jashtme ka ndjekur hap pas hapi nëpërmjet të gjitha kanaleve zyrtare rastin tronditës të humbjes së jetës së shtetasit shqiptar Pëllumb Marnikolaj në një rajon policie të Athinës.
Duke u shprehur familjareve ngushëllimet më të ndjera për këtë humbje tragjike, dëshirojmë të informojmë opinionin publik se:
Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Greqi ka kërkuar nga pala greke bashkëpunimin e menjëhershëm dhe maksimal të të gjitha organeve ligjzbatuese.
Nga kontaktet e deritanishme me autoritetet greke, bëhet e ditur se ekzistojnë pamjet filmike të ngjarjes, si dhe është urdhëruar kryerja e autopsisë mjeko-ligjore.
Ministria e Punëve të Jashtme do të vijojë të ndjekë me vëmendje të veçantë rastin dhe kërkon nga autoritetet greke kryerjen e një hetimi të plotë dhe transparent, në respekt të të drejtave të njeriut dhe standardeve ndërkombëtare.
Pala shqiptare mbetet në pritje të rezultateve paraprake të hetimit të nisur dhe bashkëpunimit të plotë të autoriteteve greke, duke rezervuar të gjitha të drejtat për trajtimin e mëtejshëm të rastit.
Ambasada jonë në Athinë do të ndjekë në vijimësi këtë çështje në çdo instancë dhe do të vijojë t'i gjendet pranë të afërmve të viktimës.
Deri në zbardhjen e plotë të situatës, MPJ fton të respektohet dhimbja e familjareve dhe të mos instrumentalizohet politikisht kjo ngjarje”.

Article Logic
Execution time: 0.0036289691925049