INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Vip-at në liqenin e politikës!

Vip-at në liqenin e politikës!

Publikuar më: 22:00 24-01-2016

Këtë të Dielë dokumentari Zoom In, në In Tv, ju prezantoi një anë pak të njohur të personave të famshëm, ose artistëve të rinj të përfshirë në politikë. Humoristët Jul Deda e Bes Kallaku, ish gazetarja Reila Bozdo, por edhe artistët e rinj të Fressh, Albi, Jonida dhe Adela rrëfyen se si është të bësh politikë kur je i ri dhe i njohur. Sa ju merr atyre politika dhe sa përpiqen ta shfrytëzojnë për një tjetër lloj fame si dhe për pushtet. Të rinjtë tregojnë se si i hynë politikës, deri ku kanë shkuar për hir të saj, e çfarë ndodh në selitë kryesore të partive në vend. Mes humorit dhe sinqeritetit ata treguan se hyrja në politikë është një biletë e shtrenjtë që herët a vonë do të të duhet ta paguash.

Bes Kallaku ministër bujqësie?!

A është kjo ëndrra më e madhe e humoristit? Ndoshta jo, por duke u vënë përpara pyetjes se cilën nga ministritë do zgjidhte ai nuk ngurroi të përgjigjej: ministrinë e bujqësisë. Arsyen mund ta merrni me mend edhe vet…Humoristi tregoi edhe presionin që pati pasi imitoi videon e Durim Bamit e Tom Doshit dhe irritimin e fansave-militantë me të. Për Bes Kallakun, politikanët vetëm e kanë vjedhur këtë vend, madje ai mendon se ata janë më shumë hajdutë edhe se personazhi i “skifterit” që ai imiton.

Jul Deda, një artist rebel në politikë!

E kush nuk është kurioz të dijë se si vendosi Jul Deda ti hynte politikës. Edhe pse ai rrjedh nga një familje artistësh, skena politike e joshi, menjëherë pas ftesës që erdhi nga stafi i Lulzim Bashës. Deda rrëfeu se vendimin për të imituar Endri Fugën e mori, nga irritimi që ai ndjeu pas publikimit të “transparenca.al”. Humoristi është shumë I sinqertë, kur tregon se ka frikë se politika mund ta ndotë. Ai e di se karriera e tij, dëmtohet nga hyrja në politikë, por e bëri këtë sepse mendon se vetëm të rinjtë mund të ndryshojnë politikën që bëhet sot në të dy kahet politike.

Ish gazetarja Reila Bozdo: “Politika duhet të pastrohet”

Ajo e sheh politikën herë si lojë shahu e herë si poker. Di t`i luajë të dyja dhe tregon se do ti përdorë sipas asaj që do ti sjellë koha të perballet. Por për Reilën, ka ardhur koha që politika në Shqipëri duhet të pastrohet. Mjafton të shohësh pasuritë e politikanëve, pohon ajo, për të kuptuar se si pasurohen ata pas ardhje në pushtet. Meraku më i madh i Bozdos është që kur të kthejë kokën pas, të mos ketë brerje ndërgjegjeje.

Të rinjtë e Fressh më të sinqertë se kurrë…

Albi ( regjisor ), Jonida ( fotografe ) dhe Adela ( aktore- animatore ), janë vetëm 3 nga të rinjtë e Fressh, që Zoom In ju prezantoi në këtë puntatë. Duket se PS, nuk kujdeset shumë këto vite në pushtet për të sjellë pranë vetes famën, por preferon të rinjtë në rrugën e artit. Dy të parët kanë qenë pjesë në fushatën e Ramës, me autobusin me numër 23. Jonida ka fotografuar fushatën e Edi Ramës dhe tregon se si ai trajton vajzat më mirë se djemtë. Me sinqeritetin e moshës ajo rrëfen se me dëshirë ka bërë rolin e të prurit vota në parti. Ndërsa në skenën e regjisorit të ri Albit, dy janë protagonistët kryesorë: Edi Rama dhe Sali Berisha. Sa për Bashën, ai e sheh vetëm në rolin e figurantit. Adela i vendos politikanët në skenën e personazheve të njohur vizatimorë dhe ai që i mungon më së shumti është një politikan që të luajë rolin e heroit.

Article Logic
Execution time: 0.0037021636962891