INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
UNFPA: Pandemia po rrezikon të drejtat e grave dhe vajzave në mbarë botën

UNFPA: Pandemia po rrezikon të drejtat e grave dhe vajzave në mbarë botën

Publikuar më: 10:29 01-07-2020

Nevojitet veprim urgjent e i përshpejtuar për të ndaluar gjymtimin gjenital femëror, martesat në moshë të miturit dhe praktika të tjera të dëmshme kundrejt grave dhe vajzave, sipas një Raporti të Fondit të Kombeve të Bashkuara mbi Popullsinë (UNFPA).

Çdo vit, miliona vajza bëhen subjekt i praktikave që i lëndojnë ato fizikisht dhe emocionalisht, me dijeninë dhe pëlqimin e plotë të familjeve të tyre, miqve dhe komuniteteve, sipas raportit të vitit 2020 mbi Gjendjen e Popullsisë Botërore, e botuar të hënën nga UNFPA, agjencia e Kombeve të Bashkuara mbi shëndetin seksual dhe të riprodhimit.

Të paktën 19 praktika të dëmshme, duke nisur nga hekurosja e gjinjve e deri tek testimi i virgjërisë, konsiderohen si shkelje të të drejtave të njeriut, sipas raportit të UNFPA, i cili përqendrohet tek tre më të përhapurat: gjymtimi gjenital femëror, martesat në moshë të mitur dhe favorizimet ekstreme të fëmijëve meshkuj kundrejt atyre femra.

“Praktikat e dëmshme kundër vajzave shkaktojnë trauma të thella dhe afatgjata, duke i rrëmbyer atyre të drejtën për të arritur kapacitetin e tyre të plotë”, tha drejtorja ekzekutive e UNFPA Dr. Natalia Kanem, në një konferencë për gazetarë nga vende të ndryshme të botës ku Euronews Albania përfaqësoi Shqipërinë.

Këtë vit, është llogaritur se 4.1 milionë vajza do të jenë subjekt i gjymtimit gjenital femëror.

Sot, 33 mijë vajza nën moshën 18 vjeç do të detyrohen të lidhin martesë, shpesh me burra shumë më të mëdhenj se vetja.

Gjithashtu, favorizimi ekstrem i fëmijëve meshkuj, në kurriz të gjinisë së kundërt, ka nxitur zgjedhjen e njëanshme me bazë gjinore ose neglizhime ekstreme të cilat i çojnë ato drejt vdekjes, çka ka rezultuar në “140 milionë vajza të humbura”.

Disa praktika të dëmshme po zbehen në vende ku kanë qenë më të përhapura. Por për shkak të rritjes së popullsisë në këto vende, numri i vajzave që do i nënshtrohen atyre do të rritet në dekadat e ardhshme, në rast se nuk veprohet menjëherë.

Vendet që kanë ratifikuar marrëveshje ndërkombëtare si Konventa për të Drejtat e Fëmijëve e kanë për detyrë që t’i japin fund dëmtimit, pavarësisht nëse iu është shkaktuar vajzave prej anëtarëve të familjes, komuniteteve fetare, sipërmarrjeve tregtare apo institucioneve shtetërore. Shumë prej tyre i janë përgjigjur me vendosjen e ligjeve, por vetë ligjet nuk janë mjaftueshëm. Përvoja dhe hulumtimi në dekada ka treguar se qasjet nga poshtë-lart janë më efikase për të sjellë ndryshim, thuhet në raportin e UNFPA.

“Ne duhet ta luftojmë problemin duke sulmuar shkaqet rrënjësore, veçanërisht stereotipat me bazë gjinore. Ne duhet të bëjmë një punë më të mirë për të mbështetur përpjekjet e vetë komuniteteve për të kuptuar pasojat që këto praktika kanë tek vajzat dhe përfitimet që i vijnë shoqërisë në tërësi duke i ndaluar ato”, thotë Dr Kanem.

Ekonomitë dhe sistemet juridike që i mbështesin ato duhet të jenë të strukturuara për t’i garantuar mundësi të barabarta çdo gruaje, thuhet më tej në raport.

Ndryshimi i rregullave për trashëgiminë e pronës, për shembull, mund të asgjësojë stimujt e fuqishëm të favorizimit të fëmijëve meshkuj kundrejt atyre femra dhe mund të ndihmojë për të eliminuar martesat me të miturit.

Dhënia fund e martesave me të miturit dhe gjymtimit gjenital femëror në mbarë botën është e mundur brenda 10 vitesh duke shtuar përpjekjet për të mbajtur vajzat më gjatë në shkollë dhe duke i mësuar aftësi për jetën si dhe angazhimi i burrave dhe djemve për ndryshim social. Investime me vlerë totale prej 3.4 miliardë eurosh në vit deri në 2030 mund t’i japë fund këtyre praktikave të dëmshme si dhe vuajtjes të rreth 84 milionë vajzave, thuhet në raport.

Megjithëse ka pasur progres në heqjen e disa prej këtyre praktikave në botë, pandemia COVID-19 ka cenuar që të bëjë disa hapa pas në arritjet e deritanishme. Një analize e re ka zbuluar se nëse shërbimet qëndrojnë të pezulluara për gjashtë muaj, 13 milionë vajza mund të detyrohen nga familja për t’u martuar dhe 2 milionë vajza mund të bëhen subjekt i gjymtimit gjenital femëror deri në 2030.

“Pandemia e ka bërë punën tonë më të vështirë dhe më emergjente pasi tashmë një numër më i lartë vajzash është nën rrezik”, thotë Dr Kanem.

“Ne nuk do të ndalojmë deri të drejtat, zgjedhjet dhe trupat e të gjithë vajzave do të jenë plotësisht të tyre”.

Article Logic
Execution time: 0.00319504737854