Pas përfundimit të lidhjes disa-vjeçare me Sarah Berishën, jeta private e DJ PM ka qenë sërish në qendër të vëmendjes. Këtë herë, në rrjet kanë qarkulluar zëra për një histori të mundshme të re dashurie.
Spekulimet nisën pasi PM dhe Sarah nuk e ndoqën më njëri-tjetrin në Instagram, duke shtuar dyshimet për ndarjen e tyre. Më pas, në rrjet u përfol se DJ PM mund të kishte nisur një afrim me Almedina Ismajlin, motrën e modeles Arbenita Ismajli.
Përballë këtyre pretendimeve, PM ka vendosur të mos qëndrojë më në heshtje. Përmes një postimi në InstaStory, ai ka mohuar kategorikisht se është në një lidhje të re.
DJ-i ka kritikuar publikimet që, sipas tij, i paraqesin aludimet si të vërteta pa marrë më parë një konfirmim prej tij. Ai theksoi se lajme të tilla ndikojnë negativisht në imazhin dhe reputacionin e tij.
Në reagimin e tij, PM bëri të ditur gjithashtu se është i gatshëm të japë sqarime sa herë që të jetë e nevojshme dhe paralajmëroi se mund të ndjekë rrugë ligjore nëse pretendimet e pavërteta vazhdojnë të publikohen.
Në fund, ai falënderoi ndjekësit që zgjedhin të informohen nga burime të besueshme, duke u bërë thirrje të mos i marrin thashethemet si fakte.
