INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Trump ndërron mendje për NATO-n: Mbështetje, por do paguani!

Trump ndërron mendje për NATO-n: Mbështetje, por do paguani!

Publikuar më: 10:22 01-03-2017

Presidenti Donald Trump mbajti fjalimin e tij të parë përpara të dyja dhomave të Kongresit, ku bëri thirrje për reformimin e sistemit shëndetësor dhe për rigjallërimin e ekonomisë.

Fjalimi vjen në një moment të rëndësishëm për një president të ri, të zgjedhur me synimin për të shkundur me shpejtësi Uashingtonin dhe për të bërë realitet premtimet e dështuara të politikanëve të karrierës.

Presidenti bëri thirrje për një angazhim më të madh dhe të drejtpërdrejtë me botën. Kjo, – tha ai, – është një politikë e rolit udhëheqës amerikan në bazë të interesave jetike të sigurisë që SHBA ndajnë me aleatët.

“Ne mbështesim fuqimisht NATO-n, një aleancë e farkëtuar përmes lidhjeve gjatë dy luftërave botërore që rrëzuan fashizmin dhe Luftës së Ftohtë që mundi komunizmin. Por partnerët tanë duhet të përmbushin detyrimet e tyre financiare. Dhe tani, bazuar në diskutimet tona shumë të fuqishme dhe të sinqerta, ata kanë filluar të bëjnë pikërisht këtë,” – tha Presidenti Trump.

Presidenti tha se pret që partnerët e SHBA, qoftë në NATO, në Lindjen e Mesme, apo në Paqësor – të luajnë një rol të drejtpërdrejtë dhe kuptimplotë si në operacionet strategjike dhe ushtarake si dhe të paguajnë pjesën e tyre të shpenzimeve.

Zoti Trump tha se SHBA do të respektojnë të drejtat sovrane të popujve:

“Vendet e lira janë mjeti më i mirë për të shprehur vullnetin e popullit dhe Amerika respekton të drejtën e të gjitha vendeve që të hartojë rrugën e tyre. Detyra ime nuk është të përfaqësoj botën. Detyra ime është të përfaqësoj Shtetet e Bashkuara të Amerikës.”

Presidenti Trump tha se Amerika është më mirë kur në botë ka më pak konflikt dhe se duhet mësuar nga gabimet e së kaluarës; “Ne kemi parë luftra dhe shkatërrimet që ato kanë sjellë në botë,” – tha Presidenti.

Article Logic
Execution time: 0.0035979747772217