INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Tërhiqet Ilir Zela? AKEP shtyn vendimin për kompanitë celulare

Tërhiqet Ilir Zela? AKEP shtyn vendimin për kompanitë celulare

Publikuar më: 11:48 15-02-2018

Vetëm shtohet mungesa e transparencës nga ana e AKEP. Sot drejtuesi i këtij institucioni përballe interesimit të medies nuk ka pranuar as të tregojë nëse do të ketë sot një mbledhje të këtij institucioni për të vendosur mbi një vendim që do të favorizojë Albtelekom në tarifa kundrejt operatorëve të tjerë të telefonisë celulare. 

I pyetur nga gazetarët kur do të jetë mbledhja bordit, e lajmëruar për këtë të enjte, përgjigja e Zelës ishte:

“Ende nuk ka një vendim. Nuk di kur do të zhvillohet mbledhja. Të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe ndaj interesimit nëse do të lejohen mediet të ndjekin këtë aktivitet: “Është Bordi ai që vendos nëse mbledhja e AKEP do të zhvillohet e mbledhur apo e hapur”.
Në përpjekje për të shmangur çdo përgjigje pas zhurmës së ditëve të fundit kur Ilir Zela është akuzuar për konflikt interesi sepse po favorizon një kompani (Albtelekom) ku ka punuar vetë më parë, dhe i gjendur ngushtë përpara kamerave, kreu i AKEP ka shkuar edhe më tej. Ai është hedhur në sulm ndaj vetë medies (praktikë kjo e kthyer në normalitet së fundi në Shqipëri) ndërsa thotë: “Veçanërisht pres që ndonjëra prej medieve të më provojë se nuk është përfshirë në këtë konflikt interesi”.
                                                                        Propozimi i Zelës
Kreu i AKEP, Ilir Zela është personi që ka hartuar draftin që favorizon në mënyrë të paligjshme operatorin Albtelekom, por për miratuar atë i duhen edhe votat e e anëtarëve të tjerë të Këshillit drejtues. Këta janë Alban Karapici, Anila Denaj, Ketrina Topciu, Klarina Allushi.
Ky vendim, kërkon të diferencojë zbatimin e masës rregulluese të mos diskriminimit në tarifa me pakicë të thirrjeve on- net/ off net për Albtelecom dhe dy operatorët e tjerë Vodafone Albania dhe T- Mobile. AKEP kërkon t’ ja heqë këtë detyrim Albtelekom, duke filluar nga data 1 Prill i këtij viti.
Kreu i AKEP refuzoi të japë llogari edhe para parlamentit, ku është institucion varësie. Deputeti Endri Hasa pohoi një ditë më parë për IN TV se i është drejtuar zyrtarisht për informacion, por drejtuesit e AKEP kanë mohuar ekzistencën e dokumentit.
                                                                        Reagimet deri tani
Vetë anëtarët e bordit nuk kanë pranuar të reagojnë deri tani. Por ka qenë ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikes që në një reagim zyrtar i ka bërë thirrje AKEP të mos miratojë në mënyrë të fshehtë dhe të pakonsultuar vendimin që favorizon Albtelekom, duke penalizuar dy kompanitë e tjera celulare në vend. Në reagimin e saj ministria thekson se nuk mund të merret asnjë vendim i tillë pa u konsultuar me parë dhe mbi të gjitha pa marre parasysh faktin se duhet të respektohet konkurrenca e ndershme në treg.
Edhe ekspertët e konsiderojnë vendimin jo të ligjshëm. Eksperti i telekomunikacionit, deputet i Partisë Demokratike Endri Hasa sqaroi për In tv pasojat qe sjell kjo shkelje e ligjit dhe konkurrencës ne treg. Sipas tij kjo çështje rrezikon të përfundojë në gjykatë, për dëmtim të interesave ekonomike të qytetarëve shqiptarë.
Kompania Vodafone e njoftuar nga mediet për situatën, deklaroi se jo vetëm do të ndjekë të gjitha procedurat ligjore por do të shkojë ne nivel kombëtar e evropian ndaj një vendimi të tillë: “Vodafone Albania e konsideron propozimin e AKEP si të papranueshëm për shkak të mungesës së transparencës. Propozimi, që AKEP ka për qëllim të miratojë, nuk është komunikuar apo konsultuar me operatorët e tjerë në treg, edhe pse ligji e përcakton qartë se çdo masë rregullatore që ndikon tek operatorët dhe klientët e tyre zbatohet vetëm pas një konsultimi publik dhe transparent”.
Ndërsa Telekom Albania evidenton se “Ky veprim përcakton nivel jo të barabartë tarifimi mes operatorëve dhe i kërkoi AKEP të nisë konsultime”. Sipas Telekom një vendim i tillë dëmton interesat e kompanisë, një që nga investitorët më të mëdhenj e më afatgjatë në vend.
Tani pritet nëse do të ketë sot mbledhje bordi për të miratuar një propozim që vetë AKEP ka pohuar për kuvendin se “nuk ekziston”?

 

Article Logic
Execution time: 0.0041701793670654