INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION TECH MED+ SPORTS VIDEOS
Search
Topi i Artë 2026, zbulohet data e finalistëve: 30 emra në garë për trofeun prestigjioz

Topi i Artë 2026, zbulohet data e finalistëve: 30 emra në garë për trofeun prestigjioz

Publikuar më: 10:36 04-09-2026

Edicioni i 70-të i “Topit të Artë” premton të jetë një nga më të veçantët në historinë e çmimit prestigjioz. Këtë vit, ceremonia do të sjellë një ndryshim historik, pasi pas shumë vitesh nuk do të organizohet në Paris.

Më 26 tetor 2026, Londra do të presë ceremoninë e madhe, në një event që përkon me 70-vjetorin e trofeut. Zgjedhja e kryeqytetit britanik nuk është rastësore: ceremonia do të zhvillohet në vendin që lidhet me fituesin e parë të “Topit të Artë”, anglezin Stanley Matthews, i cili triumfoi në vitin 1956.

30 emra për meshkuj dhe 30 për femra

Emrat e kandidatëve do të bëhen publikë më 8 shtator, kur “France Football” do të publikojë listat zyrtare.

Si në edicionet e mëparshme, në kategorinë e meshkujve do të jenë 30 futbollistë në garë, ndërsa 30 do të jenë kandidaturat për çmimin e femrave.

Por ndryshe nga disa vite të fundit, këtë herë gara duket e hapur dhe pa një emër që të konsiderohet favorit i padiskutueshëm.

Mes futbollistëve që pritet të jenë në qendër të vëmendjes janë Rodri, Lamine Yamal, Fabián Ruiz, Khvicha Kvaratskhelia, Harry Kane, Kylian Mbappé dhe Lionel Messi. Performancat në klub dhe me kombëtaret, veçanërisht në Botëror, do të kenë një peshë të rëndësishme.

Si do të përcaktohet fituesi?

Vlerësimi do të bazohet në paraqitjet gjatë sezonit 2025/26, duke përfshirë edhe performancën në Kupën e Botës.

Fituesi do të përcaktohet nga një juri ndërkombëtare gazetarësh. Për meshkujt votojnë përfaqësues nga 100 vendet e para të renditjes së FIFA-s, ndërsa për femrat juria përbëhet nga gazetarë nga 50 vendet e para.

Çdo anëtar i jurisë zgjedh 10 futbollistë nga lista e 30 kandidatëve dhe i rendit sipas preferencës. Pikët shpërndahen në këtë mënyrë:

15, 12, 10, 8, 7, 5, 4, 3, 2 dhe 1 pikë.

Në fund, futbollisti që grumbullon totalin më të lartë shpallet fitues i “Topit të Artë”.

Edhe trofe të tjerë në ceremoninë e madhe

Mbrëmja e 26 tetorit nuk do të jetë vetëm për “Topin e Artë”. Gjatë ceremonisë do të ndahen edhe disa prej çmimeve më prestigjioze individuale dhe ekipore.

Në listë janë Kopa Trophy për talentin më të mirë të ri, Yashin Trophy për portierin më të mirë dhe Gerd Müller Trophy për golashënuesin më të mirë.

Gjithashtu do të jepet Johan Cruyff Trophy për trajnerin më të mirë, çmimi për Klubin e Vitit në kategorinë e meshkujve dhe femrave, si dhe Sócrates Award, që vlerëson kontributin në iniciativa sociale dhe humanitare.

Me listat që do të publikohen më 8 shtator, nis zyrtarisht një tjetër garë për trofeun që çdo vit kurorëzon futbollistin më të mirë në botë.