Reperi shqiptar Stresi ka bërë të ditur se do të marrë një pauzë të përkohshme nga muzika, pas publikimit të disa prej projekteve të tij të cilat kishin mbetur të bllokuara për shkak të çështjeve teknike dhe procedurave kontraktuale me YouTube.
Këngët pritet të jenë të disponueshme për fansat në orën 19:00, ndërsa njoftimi për publikimin e tyre u shoqërua edhe me paralajmërimin për një tërheqje të përkohshme nga aktiviteti muzikor.
Stresi sqaroi se kjo pauzë nuk nënkupton një largim përfundimtar nga muzika, por një periudhë gjatë së cilës ai synon t’i përkushtohet projekteve të tjera profesionale.
“Kam kaluar shumë gjëra në këtë rrugë. Kam rënë, jam ngritur, kam humbur njerëz, kam fituar njerëz… por një gjë nuk ka ndryshuar kurrë: respekti dhe dashuria për ata që më kanë qëndruar pranë”, u shpreh reperi.
Ai falënderoi fansat, mbështetësit, kolegët dhe edhe kritikët, duke theksuar se të gjithë kanë lënë gjurmë në rrugëtimin e tij artistik.
Ndërkohë, Stresi la të kuptohet se gjatë kësaj periudhe mund të merret me projekte të reja profesionale.
“Kjo nuk është lamtumirë. Thjesht po marr pak kohë për të ndërtuar diçka tjetër. Do të shihemi shumë shpejt”, përfundoi ai.
