INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS

Strakosha: Shkarkimet e nëpunësve civil antiligjore [VIDEO]

Publikuar më: 15:55 16-06-2017

Janë me dhjetra pezullime në administratën publike, për shkak të angazhimit të tyre në fushatën elektorale dhe mes tyre ka disa persona me statusin e nëpunësit civil. Por, ky akt është cilësuar antiligjor nga komisionerja për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil Pranvera Strakosha në një intervistë ekskluzive për IN tv.
Pranvera Strakosha:
“Nëse është shkarkuar nga një person apo institucion apo që është shkarkuar nga ministri nuk ka të drejtë, pasi ministri nuk ka asnjë kompetencë në administrimin e shërbimit civil”.
Deri në këto momente janë 3 raste, kur komisioneri për Shërbimin Civil ka konstatuar shkelje të ligjit me vendimin për pezullimin nga detyra.
Pranvera Strakosha:
“Kemi rastin e Sekretares së Përgjithshme të Ministrisë së Drejtësisë, rastin e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Arsimit dhe rastin e Drejtores së Drejtorisë Arsimore Rajonale të Vlorës. Të tre këto raste me vendim kam dalë dhe kam kërkuar nga ministrat të konstatojnë pavlefshmërinë absolute të aktit administrativ të urdhrit të pezullimit, pasi nuk e ka në kompetencë, pra është në tejkalim të kompetencave të tyre ligjore”.
Në kushtet e paligjshmërisë së titullarëve që kanë firmosur pezullimin, komisionerja e Mbikëqyrjes së Shërbimit Civil ka këtë rekomandim.
Pranvera Strakosha:
“Komisioneri ka të drejtë, që në rast të afatit të përcaktuar në vendim institucioni apo personi përgjegjës nuk e zbaton rekomandimin vendos gjobë, duke filluar nga 30% e pagës në 50% të pagës. Sigurisht subjekti, që është nëpunësi civil i drejtohet edhe gjykatës, e cila është organi kompetent për të anuluar vet aktin për të konstatuar pavlefshmërinë”.
Por, cila është rruga ligjore për pezullimin e një punonjësi, i cili mban statusin e nëpunësit civil.
Pranvera Strakosha:
“Nëpunësi civil mund të shkarkohet nga Komisioni, pra ka një procedurë të posaçme në çdo institucion në bazë të ligjit duhet të ngrihen Komisionet e Përhershme Disiplinore”.
Ndërkohë, që prej datës 5 maj, komisioneri i Mbikëqyrjes së Shërbimit Civil ka nisur një kontroll të përditshëm për rreth 12 mijë nëpunës civilë në mbarë vendin. Deri në këto momente komisioneri nuk ka konstatuar raste të shkeljes së ligjit, por Strakosha vëren me shqetësim se administrata në këtë periudhë është nën presion.

Article Logic
Execution time: 0.0031177997589111