Klubi korçar ishte vënë prej kohësh në ndjekje të një qendërsulmuesi tipik, pavarësisht se ka në dispozicion Blerim Krasniqin, i cili edhe dje në Superkupë ishte ndër më të mirët.
Mesa dukiet Skënderbeu arriti akordin dhe firmosi me një gjigant për sulmin. “Panorama Sport” mëson nga burime të sigurta në klubin korçar se 21- vjeçari nga Mali, Saliu Guindo, është afrimi më i fundit i bardhekuqve. Bëhet fjalë për një qendërsulmues tipik, i cili nga drejtuesit e Skënderbeut shihet si pasardhësi i Ali Soue.
Guindo ka luajtur deri më tani me skuadra në Mali, Bregun e Fildishtë dhe Tunizi. Në vitin e fundit ka qenë pjesë e klubit Al Ahli në kampionatin e Bahreinit. Burime pranë drejtuesve i treguan dje gazetës se sulmuesi ka firmosur një kontratë 3-vjeçare, nga e cila do të përfitojë rreth 3 mijë euro në muaj. Ai ka mbërritur dje në Shqipëri dhe ndoqi nga tribuna qendrore e stadiumit “Selman Stërmasi” finalen e Superkupës së Shqipërisë mes Skënderbeut dhe Laçit. Guindo është grumbulluar rregullisht edhe nga Kombëtaret e moshave të Malit. Për herë të fundit ka luajtur me Mali U-20.