Numri i rasteve me COVID-19 vijon të rritet çdo ditë në vendin tonë duke bërë që kjo e enjte të regjistrojë shifra rekord të të infektuarve. Ministria e Shëndetësisë në komunikimin e përditshëm tha se në 24 orët e fundit janë testuar 291 raste të dyshuara, prej të cilëve 44 kanë rezultuar pozitivë.
Një 59-vjeçar nga Lushnja ka ndërruar jetë në Spitalin Infektiv duke e çuar numrin total të viktimave në 35.
“Mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë në spitalin infektiv një pacient 59 vjeçar nga Lushnja, i shtruar prej 6 ditësh në terapi intensive, i konfirmuar me Covid19. 59-vjeçari vuante nga Kardiomiopati e dilatuar, sëmundje renale kronike, diabet mellitus, anemi. Pas asistencës së madhe të stafit mjekësor në terapi intensive, 59 vjeç ari nuk ka mundur të mbijetojë. Ministria e Shëndetësisë i shpreh ngushëllime familjarëve të të ndjerit”, tha Cami.
Drejtorja e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, Mirela Cami u shpreh se rastet e reja janë konfirmuar 22 në Tiranë, 6 në Krujë, nga 4 raste në Durrës, Kamëz dhe Shkodër, 2 raste në Lushnjë, 1 rast në Elbasan dhe 1 në Vlorë.
Përgjatë orëve të fundit raportohet një numër i shtuar qytetarësh, të cilët janë shtruar në Spitalin Infektiv. Aktualisht siç bën të ditur Task-Forca, në Spitalin Infektiv po marrin shërbim 52 pacientë, ndërsa 8 prej të shtruarve janë në terapi intensive.
Në të gjithë Shqipërinë numërohen 349 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë ku ka transmetime komunitare. Ndërkohë Ministria e Shëndetësisë njoftoi se gjatë orëve të fundit numrit të personave të shëruar i janë shtuar edhe 21 qytetarë të tjerë, duke e çuar në total numrin e të shëruarve mbi 1 mijë./Euronews.al