Sara Hoxha duket se po përgatitet të bëjë hapin e radhës në televizion, këtë herë jo si konkurrente, por në rolin e moderatores.
Dyshimet lindin nga promoja e publikuar në faqen zyrtare të “E Diell” në Top Channel, ku në qendër të videos shfaqet pikërisht Sara. Nga materiali promovues duket se influencerja do të jetë pjesë e rubrikës së re “Me Gjithë Zemër”, e cila do t’i bashkohet programit duke nisur nga e diela, 20 shtator.
Rubrika e re duket se do të fokusohet te historitë personale dhe momentet emocionale të njerëzve. Sipas paralajmërimeve të publikuara deri tani, shikuesit do të kenë mundësi të ndajnë histori falënderimi, kërkesa faljeje, surpriza për njerëzit e dashur, por edhe momente të rëndësishme si propozimet për martesë.
Nëse promoja konfirmon atë që duket se po paralajmëron, ky do të jetë një rol i ri për Sarën në televizion, pas eksperiencës së saj si konkurrente.
Ajo u bë pjesë e “Dancing With The Stars” gjatë sezonit 2022–2023, ku garoi përballë konkurrentëve të tjerë dhe në fund u shpall fituese së bashku me balerinin Luixhino Hala.
Tashmë, Sara rikthehet në Top Channel në një tjetër pozicion, këtë herë për të moderuar një rubrikë që premton histori personale, emocione dhe surpriza.
