INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Sandër Lleshaj merr detyrën si Ministër i Brendshëm. Në ceremoni mungon Rama

Sandër Lleshaj merr detyrën si Ministër i Brendshëm. Në ceremoni mungon Rama

Publikuar më: 13:07 27-11-2018

Sandër Lleshaj ka marrë detyrën e Ministrit të Brendshëm. Në një ceremoni të organizuar në Ministrinë së Brendshme ka munguar Kryeministri Edi Rama. Edhe pse vetë kryeministri e përcolli në Ministri Sandër Lleshaj si Zv Ministër, tashmë kur Presidenti i tha ‘po’ emrit të tij në krye të këtij dikasteri Edi Rama ka Munguar. Vetë Sandër Lleshaj zgjodhi që ceremoninë e marrjes së detyrës ta mbajë në oborrin e Ministrisë ndërsa të pranishëm ishin efektivë të Policisë së Shtetit. Në mesazhin e tij të parë si Ministër Sandër Lleshaj zgjidhi të vlerësojë maksimalisht figurën dhe uniformën e Policisë së Shtetit.

Sandër Lleshaj:
“Zgjodha këtë rrugë për të hyrë në zyrë si Ministër i Brendshëm me bindjen e plotë se nderimi i atyre punonjësve të Policisë së Shtetit që kanë dhënë jetën në krye të detyrës është një detyrim i përhershëm për këdo që merr përsipër të shërbejë apo të drejtojë Ministrinë e Brendshme.
Nëpërmjet këtij akti të thjeshtë, por simbolik, unë dëshiroj së pari të shpreh nderimin tim më të thellë për shërbimin pa kushte, deri në sakrificën sublime, për të gjithë ata burra, që i kanë dhënë Shqipërisë dhe qytetarëve të saj gjithçka që kishin.
Policia e Shtetit është organizata që në vitet e demokracisë ka mbajtur barrë të jashtëzakonshme dhe që ka paguar një çmim shumë të rëndë, përballë të cilit çdo shqiptar duhet të tregojë respekt të lartë. Por më së pari, përballë kësaj sakrifice kërkohet që të përulet vetë Policia e Shtetit dhe çdo pjesëtar i saj. Profesioni i policit është i bazuar tek nderi, sensi i detyrës dhe integriteti. Një sens i fortë dhe i qartë për nderin personal dhe nderin profesional për punonjësin e policisë janë pjesë thelbësore e identitetit, pjesë e ADN-së së tij.
Vetëm këtë mesazh dua të theksoj sot gjatë kësaj ceremonie. Për programin tim, do të kemi kohë që të diskutojmë së shpejti. Vetëm nëpërmjet nderit dhe integritetit të lartë, Policia e Shtetit, ne, mund të gjejmë rrugën e sigurt për tek besimi i qytetarëve të këtij vendi, besim i cili është parakusht absolut për plotësimin e misionit të vështirë, që kemi marrë përsipër. Në një epokë turbulente, kur dallgët e relativizmit dhe të komercializmit kërcënojnë shumëçka, evokimi i vlerave të “vjetra” dhe tradicionale, e ka me vete njëfarë risku për të tingëlluar disi jashtë kohe.
“Detyra, nderi, atdheu: këto tri fjalë të shenjta në mënyrë solemne, ju diktojnë se çfarë duhet të jeni, çfarë mund të jeni dhe çfarë do të jeni. Ato janë pika juaj e referencës për të ndërtuar kurajë, atëherë kur ajo duket se po ju braktis; për të rifituar besim, atëherë kur duket se pak gjë ka mbetur për t’u besuar; për të krijuar shpresë atëherë kur ajo ka humbur.
Të pabesët do t’ju thonë se këto janë vetëm fjalë, vetëm slogane, vetëm fraza boshe. Të gjithë pedantët, demagogët, cinikët, hipokritët, ngatërrestarët... do të përpiqen t’i zhvlerësojnë ato deri në skajin e talljes.
Por ato ju mësojnë:
si të jeni krenarë dhe të papërkulur pas një humbjeje të ndershme, por të përulur dhe fisnikë pas një suksesi;
si të mos i zëvendësoni veprat nga fjalët;
si të mos kërkoni shtegun e lehtë, por të përballoni stresin dhe të rendni drejt vështirësisë e sfidës;
si të mësoni të qëndroni në sulm, por dhe të ndjeni për ata që bien;
si të zotëroni veten përpara se të përpiqeni të drejtoni të tjerët;
si të keni një zemër të pastër dhe një qëllim të lartë;
si të mësoni për të qeshur, pa harruar kurrë si qahet;
si të arrini të ardhmen, pa harruar kurrë të shkuarën;
si të jeni seriozë, po pa e marrë kurrë shumë seriozisht veten;
si të jeni aq të përkorë sa të kujtoheni për thjeshtësinë e madhështisë së vërtetë, për modestinë e mençurisë së vërtetë, për butësinë e forcës së vërtetë”.

Article Logic
Execution time: 0.0037031173706055