INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Rikthimi i vizave, Rama flet në Parlament: Shqiptarët kokë turku në Holandë...

Rikthimi i vizave, Rama flet në Parlament: Shqiptarët kokë turku në Holandë...

Publikuar më: 13:07 18-04-2019

Kryeministri Edi Rama gjatë fjalimit të tij në Kuvend ka folur për herë të parë për mocionin e votuar në parlamentin holandez, që i kërkon Brukselit rikthimin e vizave për shqiptarët. Rama garantoi se nuk do të ketë rikthim vizash dhe se vendimi është politik në kuadër të një procesi elektoral, ku disa parti i cilësojnë shqiptarët si kokë turku.

Kryeministri gjithashtu theksoi se në Holandë është një lojë me interesa të brendshme dhe që nuk ndikon në lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë.

Pjesë nga fjalimi i Ramës:

''Vendimi Holandës është një vendim politik në vazhdën e një procesi elektoral. Holanda ka një politikë kundër shqiptarëve. Shqiptarët janë zgjedhur nga disa parti në atë vend si kokë turku. Për lëvizjen e lirë duhet të plotësohen disa kushte dhe nuk përkojnë me realitetin.

Ministri holandez për Drejtësinë reagoi duke thënë se nuk ka asnjë kriter negativisht të përmbushur. Nuk ka dyfishim të emigracionit të paligjshëm, nuk ka rritje dyfish të azilkërkuesve, por ka rënie.

Së treti duhet të konstatohet mungesë vullneti për kthimet e emigrantëve të parregullt, jo vetëm nuk ka rënie të bashkëpunimit, por rritje.   Gjithashtu, duhet të konstatohet kthimi mbrapa në zbatimin e të gjitha kritereve teknike të përcaktuara për lëvizjen e lirë dhe këto kritere teknike vlerësohen në Komision Europian, që në dhjetor të vitit të kaluar nënvizoi se Shqipëria i plotëson tërësisht të gjithë këto kritere.

Qeveria holandeze nuk ka dhënë shenja se do të ndërmarrë hapin për pezullimin e vizave. Shqiptarët janë bërë mish për top nga disa parti që duan vota. Parlamenti Holandez i drejtohet Komisionit Europian dhe ky i fundit nëse ka një adresim nga qeveria holandeze shqyrton kriteret që janë objektive.

Shqiptarët përbëjnë 0.2% të personave me precedent penalë në Holandë , në burgjet e atij vendi ka rreth 500 të burgosur. Kjo nuk do të thotë që nuk ka organizata kriminale. Nëse shihet dyfishim I emigrantëve , azilkërkueseve, rënie e bashkëpunimit për kthimet, rreziku i Shqipërisë si vend që kërcënon sigurinë e Holandës, janë të gjitha të ndryshme, atëherë Komisioni nuk vendos ia dërgon këshillit të BE, ku duhet konsensus nga të gjitha vendet et BE për të çuar më tej procedurën.

Nëse garantohet shumica e cilësuar për të pranuar këtë procedurë, atëherë i çohet Parlamentit Europian.   Në Holandë është një lojë e brendshme me interes të brendshme dhe që nuk ndikon në lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë."

Rama sulmoi edhe opozitën duke u shprehur se festojnë dhe bëhen zëdhënës të atyre që i shohin shqiptarët si kriminelë.

Ajo që nuk gëlltitet është festa në Tiranë. Ata të dominuarit nga urrejtja kanë humbur logjikën, kanë humbur disa vlera që politika shqiptare i ka ruajtur instinktivisht edhe në ditët e saj më të errëta. Kjo është një festë e neveritshme, një grupi deputetesh që duan ti vënë zjarrin të ardhmes së vendit. Duan të bëhen zëdhënësit atyre që i shohin shqiptarët si mish për top."

Article Logic
Execution time: 0.0035500526428223