Prej datës 9 -13 tetor kandidatët për universitete mund të regjistrohen për raundin e tretë në institucionet akademike publike dhe private.
Të gjithë kandidatët për studentë të cilët nuk kanë mundur të shpallen fitues në dy raundet e para kanë mundësi përmes kuotave të mbetura të paplotësuara të radhiten në listën e kandidatëve të cilët mund të vijojnë studimet e larta në universitetin që ata kanë zgjedhur.
Kandidatët përzgjidhen nga njësitë bazë të universiteteve.
Procedurat e regjistrimit nga universitetet do të bëhen nëpërmjet portalit U-Albania, në programet e studimit në të cilat kanë aplikuar në raundin e dytë, ndërkohë që bëhet e ditur, sipas udhëzimit të ministrisë së Arsimit, se të drejtën e regjistrimit e kanë kandidatët që nuk rezultojnë të regjistruar në një program tjetër studimi.
Ndërkohë, brenda dates 29 tetor të këtij viti, institucionet e arsimit të lartë publike dhe private përcjellin në Qendrën e Shërbimeve Arsimore regjistrimet përfundimtare të raundit të tretë në format elektronik dhe hardcopy.
Aplikantët, të cilët e kanë bërë regjistrimin me dokumentacion dhe e kanë nënshkruar në regjistër, nuk kanë të drejtë të ndryshojnë programin e studimit për këtë vit akademik.