INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS

Raporti i Freedom House, Shqipëria ende me demokraci të brishtë[VIDEO]

Publikuar më: 10:27 05-02-2019

Organizata, Freedom House, me seli në Shtetet e Bashkuara thekson në raportin e saj se parimet demokratike siç janë integriteti i zgjedhjeve dhe të drejtat e migruesve, po dobësohen për të 13-tin vit me radhë. Sipas organizatës që ka analizuar të dhënat nga 195 vende, 86 prej tyre, apo 44%, radhiten në mesin e vendeve të lira, 59 apo 30% janë me liri të pjesshme dhe 50 apo 26% radhiten në mesin e vendeve jo të lira.

Në raport theksohet se 68 vende kanë shënuar rënie në fushën e të drejtave politike dhe lirive qytetare, ndërsa vetëm 50 prej tyre kanë shënuar ngritje. Nga vendet e Ballkanit, vetëm Kroacia është në mesin e vendeve të lira, ndërsa Shqipëria dhe Kosova radhiten në mesin e vendeve pjesërisht të lira, së bashku me Maqedoninë, Bosnje e Hercegovinën, Serbinë dhe Malin e Zi.
Serbia ishte radhitur një vit më parë në mesin e vendeve të lira, por sipas raportit, ajo shënoi rënie për shkak të parregullsive në zgjedhje, fushatave kundër gazetarëve të pavarur dhe përqendrimit jo kushtetues të pushtetit në duart e presidentit Aleksandër Vuçiç. Edhe presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, përfshihet në raport për siç thuhet, përqendrimin e pushtetit shtetëror rreth vetes dhe grupit të tij, duke tejkaluar rolin e tij kushtetues.
Nga 50 vendet e radhitura në kategorinë jo të lira, 13 syresh janë në gjendjen më të keqe si Siria, Sudani Jugor, Eritrea, Turkmenistani, Koreja e Veriut, Guinea Ekuatoriale, Arabia Saudite, Somalia, Sudani, Taxhikistani, Uzbekistani, Republika e Afrikës Qendrore dhe Libia. Ndër gjetjet e raportit, është edhe dobësimi i Shteteve të Bashkuara si një kampion i demokracisë, që radhitet lart në mesin e vendeve të lira, por më poshtë sesa demokracitë tjera si si Franca, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar apo Kanadaja.
Shtetet e Bashkuara, sipas raportit, shënuan rënie në fushën e sundimit të ligjit, pasi që politikat dhe veprimet e qeverisë kufizuan në mënyrë të papërshtatshme të drejtat ligjore të strehimkërkuesve, diskriminimi u bë i dukshëm në pranimin e refugjatëve dhe politikat e ndalimit të emigracionit ishin tepër të ashpra ose kaotike. Raporti mbi “Liritë në Botë”, publikohet që nga viti 1973, duke i dhënë mundësinë organizatës Freedom House të ndjekë rrjedhat botërore për më shumë se 45 vjet.

Article Logic
Execution time: 0.0036380290985107