INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Rama: Konfiskim pasurisë së kriminelëve, e nisim me automjetet

Rama: Konfiskim pasurisë së kriminelëve, e nisim me automjetet

Publikuar më: 13:36 31-07-2017

Në shtator do të nisë një tjetër aksion i madh kombëtar në mbarë vendin, e që ka të bëjë me evidentimin e më pas konfiskimin e pasurive kriminale. 

Edi Rama:
“Është momenti që Policia e Shtetit të përgatitet për një operacion të madh kombëtar kontrolli të elementëve me rekorde kriminale në gjithë territorin e vendit, që janë simbole të këtyre feudeve të kultivimit të kanabisit, por jo vetëm. Që kanë statusin e të fortit të zonës dhe që në këndvështrimin tim janë lehtësisht të evidentueshëm, lehtësisht të ndjekshëm penalisht dhe lehtësisht të goditshëm, përsa i përket aseteve që kanë në zotërim”.
Rama sqaron arsyet se përse ka vendosur që këtë operacion ta shtyjë në shtator, e që do të nisë me një element shumë të thjeshtë, automjetet që përdorin këta persona
Edi Rama:
“Mjafton që ky operacion, i cili duhet përgatitur me shumë kujdes dhe nuk duhet të bëhet pengesë në këtë fazë kulmore të sezonit turistik për lëvizjen e lirë të turistëve, menjëherë, me përfundimin apo me rënien e fluksit të turistëve, të vihet në zbatim duke kontrolluar automjetet e këtyre personazheve. Mjafton që këta elementë shumë shqetësues për komunitetet, shumë shqetësues për rendin dhe për sigurinë, shumë shqetësues për faktin se mishërojnë pandëshkueshmërinë e më shumë se një çerekshekulli, të vihen para përgjegjësisë për të justifikuar vlerat marramendëse të automjeteve dhe aseteve të tyre, që të bëhet transparencë. Nga kjo transparencë të përgjigjen aty ku duhet përpara prokurorisë dhe gjykatës”.
Për Ramën policia e shtetit e ka shumë të thjeshtë që këtë operacion ta përmbyllë me sukses, pasi emrat e personave apo grupeve kriminale janë të njohur për çdo zonë.
Edi Rama:
“Policia e Shtetit ka gjithë informacionin e duhur. Kujtesa e Policisë së Shtetit është mjaftueshmërisht e pasur me emra, me bëma, me lidhje, me lëvizje të këtyre lloj mikrobeve, që të bëjë të mundur një operacion super të suksesshëm në këtë drejtim, për t’i dhënë një mesazh shumë të qartë komuniteteve, njerëzve të zakonshëm, që koha kur shteti ishte vetëm një alternativë e sigurisë së tyre dhe kur duhet ta kërkonin sigurinë, duke iu paguar renta si biznese, apo duke iu nënshtruar këtyre elementëve, ka marrë fund njëherë e përgjithmonë”.

Article Logic
Execution time: 0.0037729740142822