INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Pse fëmijëve nuk iu duhet vetëm ushqim?

Pse fëmijëve nuk iu duhet vetëm ushqim?

Publikuar më: 20:28 07-10-2016

Nga Pullman Philip, shkrimtar anglez.

Fëmijët kanë nevojë për art, letërsi, poezi dhe muzikë, po aq sa për dashuri, ushqim, ajër të pastër dhe lojë. Po nuk i dhe ushqim fëmijës, dëmi është menjëherë i dukshëm. Po nuk e lejove fëmijën të luajë në ajër të pastër, edhe në këtë rast dëmi është i dukshëm, por jo aq shpejt. Po nuk i dhe dashuri fëmijës, mund të kalojnë vite pa u bërë i dukshëm dëmi, por ai mbetet përgjithmonë.

Ama, po nuk i dhe fëmijës art pamor, histori, poezi dhe muzikë, dëmi nuk shihet dot aq lehtë. Gjithsesi dëmi është bërë. Trupin fëmija mund ta ketë të shëndetshëm; mund të vrapojë, të hidhet, të notojë, të hajë me oreks dhe të bëjë shumë zhurmë, siç bëjnë gjithmonë fëmijët, por i mungon diçka.

Është e vërtetë se disa njerëz rriten pa rënë në kontakt me artin dhe janë fort mirë të lumtur dhe çojnë jetë të mira dhe të vyera. Në shtëpitë e tyre mund të mos gjesh libra; mund të mos ia dinë fort për pikturat; dhe muzika u duket gjë pa kuptim. Nuk ka problem. Njoh njerëz të tillë. Janë fqinjë të mirë dhe qytetarë të dobishëm.

Por ca njerëz të tjerë, në ndonjë fazë të fëmijërisë ose rinisë, apo mbase edhe të pleqërisë, bien në kontakt me diçka që nuk e kishin ëndërruar më parë. Diçka të huaj, diçka mistike. Por një ditë dëgjojnë një zë në radio që reciton një poezi, ose kalojnë ndanë një shtëpie me dritare të hapur brenda së cilës dikush i bie pianos, ose shohin një afishe ose një pikturë në varur në murin e dikujt tjetër, dhe nga kjo marrin një goditje aq të fortë saqë u merren mendtë. Janë të papërgatitur. Befas ndiejnë një uri të fortë, edhe pse pak çaste më parë as nuk u shkonte mendja; ndiejnë uri për diçka që të jetë aq e ëmbël dhe e këndshme sa t’u këpusë shpirtin. Thuajse qajnë, ndiejnë trishtim, lumturi, ndiejnë vetmi, ndihen të pranuar nga kjo përvojë krejt e re dhe e panjohur më parë. Dhe duan shumë t’i afrohen më shumë radios për të dëgjuar, nuk largohen nga dritarja, nuk ia shqisin dot sytë afishes. E paskëshin dëshiruar këtë siç dëshiron ushqimin i urituri, dhe nuk e paskëshin ditur! Nuk ia paskëshin pasur kurrë haberin!

Ja, kështu ndodh me fëmijën që ka nevojë për muzikë, pikturë apo poezi, kur rastësisht bie në kontakt për herë të parë me këto mrekulli. Po të mos kishte qenë kjo rastësi, mund të mos kishte hasur kurrë në muzikë, pikturë apo poezi, dhe mund ta kishte çuar jetën në gjendje urie kulturore të përhershme, pa e ditur nga se po vuan.

Pasojat e urisë kulturore nuk janë drastike dhe të shpejta. Nuk shihen dot lehtë.

Dhe, ka ca njerëz, njerëz të mirë, miq të mirë dhe qytetarë të dobishëm, nuk vuajnë kurrë nga kjo; janë të plotësuar edhe pa këto. Edhe sikur brenda natës të zhdukeshin të gjithë librat, e gjithë muzika, të gjitha pikturat e botës, ata nuk do të ndiheshin më keq; nuk kishin për ta vënë re.

Por kjo uri ekziston te shumë fëmijë dhe shpesh kjo uri nuk ngopet sepse nuk zgjohet asnjëherë. Shumë fëmijë anekënd botës kanë një uri të pashuar për diçka që t’u ushqejë shpirtin ashtu siç nuk ua ka ushqyer apo nuk do t’ua ushqejë kurrë asgjë tjetër.

Pa gabuar themi se çdo fëmijë ka të drejtë të ketë ushqim, strehë, arsim, trajtim mjekësor e kështu me radhë. Por duhet ta kuptojmë medoemos se pa histori, pa poezi, pa piktura dhe pa muzikë, fëmijët atrofizohen.

Article Logic
Execution time: 0.0036392211914062