INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION TECH MED+ SPORTS VIDEOS
Search
'Protesta' e Portokalli u bë temë dite në rrjet, reagon Agron Llakaj

'Protesta' e Portokalli u bë temë dite në rrjet, reagon Agron Llakaj

Publikuar më: 10:12 05-10-2026

Rikthimi i Agron Llakajt pas 16 vitesh në “Portokalli” u shoqërua jo vetëm me kureshtjen e publikut, por edhe me debate që shpërthyen menjëherë pas premierës së sezonit të ri. Një nga momentet që tërhoqi më shumë vëmendje ishte skeçi që ironizonte protestën që prej muajsh zhvillohet në Tiranë, duke shkaktuar reagime të ndryshme në rrjet.

Disa prej ndjekësve e pritën me kritika mënyrën se si u trajtua protesta përmes humorit, ndërsa drejtuesi i spektaklit, Agron Llakaj, ka shpjeguar se qëllimi nuk ka qenë të vihej në lojë vetë protesta apo njerëzit që marrin pjesë në të.

Sipas Llakajt, personazhet e përfshirë në skeç janë figura që ishin kthyer më herët në meme dhe ishin bërë virale pikërisht gjatë protestave.

“Ata personazhe që ne ngritëm në protestën tonë në ‘Portokalli’ janë personazhe që u bënë virale. U bënë meme po aty në protestë. Edhe me njerëz që kanë abuzuar me protestën duke sjellë skena qesharake. Kjo ka qenë dhe nuk ka asnjë qëllim tjetër”, u shpreh drejtuesi i “Portokalli”.

Llakaj theksoi gjithashtu se e mbështet protestën që vijon prej afro 130 ditësh dhe se humori i “Portokalli” nuk synon të denigrojë askënd. Ai kërkoi që debati të mos shndërrohet në sulme ndaj aktorëve që interpretojnë skeçet.

“Ne nuk shajmë askënd, nuk fyejmë askënd, jo më protestën dhe atë që përfaqëson ajo. Ne jemi artistë të humorit, prodhojmë humor duke përcjellë mesazhe. Konica thotë ‘ti ke gjithë të drejtën tënde për lirinë që ke, por nuk ke pse të fyhesh nga liria ime’”, tha Llakaj.

Drejtuesi i spektaklit u ndal edhe te mënyra se si “Portokalli” e trajton aktualitetin shqiptar. Sipas tij, politika, shoqëria dhe fenomenet që shfaqen çdo ditë në vend janë pjesë e materialit humoristik, pa u kursyer asnjë krah politik.

“Ne kemi marrë jetën tonë, Shqipërinë tonë, fenomenet politike e sociale dhe i kemi pasqyruar sipas këndvështrimit tonë. Aty ka qëndrim ndaj mazhorancës, Edi Ramës, opozitës, Sali Berishës. Sipas tyre, si mund të ndihen politikanët që janë në optikën tonë. Qeshni, merreni jetën më me sportivitet. Ne nuk jemi një zë kundër rrymës”, theksoi Agron Llakaj.

Prej vitesh, “Portokalli” është identifikuar me humorin që merr shkas nga realiteti shqiptar, duke sjellë në skenë personazhe, ngjarje dhe fenomene të aktualitetit përmes ironisë dhe sarkazmës.

Këtë herë, rikthimi i Agron Llakajt dhe mënyra se si u trajtua protesta e rikthyen spektaklin në qendër të vëmendjes që në puntatën e parë. Debati i hapur në rrjet tregoi edhe një herë se kur humori prek tema të nxehta të shoqërisë, reagimet mund të jenë po aq të forta sa edhe vetë batutat.