INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Projekti zviceran për kërkim shkencor, Veliaj: Risi në politikëbërjen lokale

Projekti zviceran për kërkim shkencor, Veliaj: Risi në politikëbërjen lokale

Publikuar më: 16:01 10-05-2018

Bashkia e Tiranës sjell risi në hartimin e politikave sociale në Shqipëri. Kryebashkiaku Erion Veliaj dhe Menaxheri i projektit zviceran “PERFORM”, Martin Dietz, nënshkruan një marrëveshje e cila nxit kërkimet shkencore, ofron ekspertizë dhe të dhëna për bërjen e politikave sociale. Ky bashkëpunim synon të krijojë një brez kërkuesish të rinj, që do të ndihmojnë Bashkinë e Tiranës në përkthimin e statistikave dhe rezultateve të marra nga terreni në politika konkrete.

Veliaj falenderoi miqtë zviceranë dhe u shpreh se edhe ky projekt do të ndikojë në përmirësimin e politikëbërjes së Bashkisë së Tiranës dhe adresimin e problematikave në mënyrën e duhur. “Jemi shumë të interesuar për të pasur një brez të ri të kërkuesve socialë, të cilët do na ndihmojnë që shumë prej statistikave, datave, informacioneve që vijnë nga terreni të përkthehen në politika konkrete, në mënyrë që në të ardhmen vendimet e Këshillit Bashkiak të bazohen mbi këto statistika e jo mbi kakofoninë që mund të krijojë një minorancë e zhurmshme në një moment të caktuar të vendimmarrjes. Kësisoj, sjellim një risi në politikëbërjen lokale në Shqipëri dhe besoj se pas Tiranës edhe qytete të tjera mund ta ndjekin këtë model”, tha ai.

Sipas tij, ky projekt mundëson që studiuesit e rinj socialë të bashkëpunojnë me përfaqësuesit e bashkisë për të evidentuar problematikat, si dhe për të dhënë zgjidhje afatgjate për to. “Zakonisht, në Shqipëri jemi mësuar të punojmë ‘me vesh’, por nga tani duhet të ecim me ‘partiturë’. Ky projekt na siguron një ‘partiturë’, pra nuk duam të dimë vetëm që plehrat duhet të pastrohen, por sa herë në ditë pastrohen; nuk duam të dimë që një shkollë është e tejmbushur, por pse tejmbushjet, si mund të planifikojmë ndërtimin e një shkolle të re”, u shpreh kryebashkiaku Veliaj.

Ambasadori i Zvicrës në Tiranë, Christoph Graf, tha se ky bashkëpunim do të prodhojë të dhëna të sakta, të cilat do t’i shërbejnë politikave dhe vendimeve të Bashkisë së Tiranës. “Është e rëndësishme, që ju të keni politika vendimmarrëse të shëndetshme. Dy përbërës ndihmojnë në përçimin e vendimeeve: mekanizmi i konsultimit dhe analiza e të dhënave të sakta. Mendoj se ky projekt i adresohet përbërësit të dytë, ku mund të përfshihen kërkuesit e rinj. Vendimet e mira pothuajse gjithmonë bazohen mbi të dhëna. Shqipëria nuk ka kohë për të humbur kur bëhet fjalë për përdorimin e kërkimit për vendimmarrje të mira politike. Ky do të jetë një shembull i shkëlqyeshëm se si shkencat sociale mund të ndihmojnë autoritetet për të përmirësuar vendimmarrjen e tyre”, tha Ambasadori Graf.

“Ky program konsiston në punë praktike dhe të prekshme me Bashkinë në projekte politik-bërëse nga shkencëtarë të rinj të fushave sociale. Puna kërkimore do t’i shërbejë kërkuesve pjesëmarrës në këtë program, por edhe Bashkisë, duke i dhënë eksperiencë në marrjen dhe përdorimin e të dhënave në politikëbërje. Projektet kërkimore janë raste reale. Programi do të mundësojë mentorim të kërkuesëve për të garantuar punime cilësore, si dhe mbështetje për personelin e Bashkisë në përdorimin e evidencave në ciklin e politikëbërjes”, tha Martin Dietz, Menaxher Projekti pranë “PERFORM”.

Bazuar në këtë marrëveshje, Bashkia ka identifikuar një numër temash/fushash për të cilat nevojitet kërkim profesional, duke ja përcjellur “PERFORM”. Programi do ta delegojë punën kërkimore për temat e përzgjedhura tek akademikë dhe studiues të rinj. Kërkuesit do të trajnohen në mënyrë që ta orientojnë punën e tyre drejt rekomandimeve për politika dhe vendimmarrje. Në fazën finale të bashkëpunimit, Bashkia do të ketë një masë të mirë me studime dhe rekomandime për të zhvilluar politikat dhe vendimet e saj.

Qëllimi i këtij projekti është të mbështesë politikëbërjen bazuar në kërkim shkencor dhe në të dhëna. Kjo do të realizohet përmes tre përbërësve: fuqizimin e komunitetit të kërkuesve të shkencave sociale, forcimin e lidhjeve mes kërkuesve dhe politikëbërësve, si dhe krijimin e kushteve më të favorshme e të mekanizmave financiarë për zhvillimin e kërkimit shkencor në vendin tonë.

PERFORM do të angazhojë ekspertë nga International Centre for Policy Advocacy (ICPA) dhe Akademia e Studimeve Politike (ASP) - një tjetër institucion me mbështetje zvicerane - për të rritur kapacitetet e studiuesve, të cilët do të punojnë për projektet kërkimore. Projekti financohet nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim SDC dhe zbatohet nga Helvetas Swiss Intercooperation.

Article Logic
Execution time: 0.0037288665771484