INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Policia jep detaje për aksionin në lagjet e “të fortëve” në Shkodër: Kush janë 4 të arrestuarit

Policia jep detaje për aksionin në lagjet e “të fortëve” në Shkodër: Kush janë 4 të arrestuarit

Publikuar më: 10:45 06-09-2018

Policia e Shkodrës ka dhënë detaje për aksionin e ndërmarrë në këtë qytet gjatë natës ku u arrestuan 4 persona si u sekuestruan municione dhe armë luftarake. Sipas policisë, operacioni nisi rreth orës 2 e 30 të mëngjesit. Personat e arrestuar cilësohen si elementë me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe etiketohen si anëtarë të grupeve kriminale. Policia e Shkodrës ka ushtruar 20 kontrolle në banesat e të dyshuarve.
Deklarata e plotë
Pas një hetimi intensiv disa mujor mbi veprimtarinë e grupeve kriminale në qarkun Shkodër, zhvilluar këto hetime në kuadër të Operacionit “Forca e Ligjit”, si dhe në funksion të hetimeve të ngjarjeve të fundit kriminale të ndodhura në këtë qytet, Policia e Shtetit, përkatësisht Drejtoria Vendore e Policisë, Departamenti i Policisë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme, Forcat speciale RENEA, FNSH, Trupat e posaçme operacionale në bashkëpunim me Organin e Prokurorisë, kanë arritur të ndalojnë dje në qytetin e Shkodrës disa elementë me rrezikshmëri shoqërore të lartë, anëtarë të grupeve kriminale aktive në këtë territor, por edhe me gjerë. Veprimtaria hetimore disa mujore e Policisë së Shtetit e zhvilluar në këtë kuadër ka konsistuar në përgjimin, ndjekjen dhe gjurmimin e këtyre elementeve kriminal si dhe mbledhjen e të dhënave në rruge operative me qellim evidentimin sa me të plotë dhe sa me të qartë të veprimtarisë kriminale të personave të dyshuar për kryerjen e kësaj veprimtarie.
Bazuar në 19 urdhra kontrolli të miratuar me vendim gjykate Policia e Shtetit ushtroi kontrolle në 20 banesa e lokale tregtare të përdorura prej personave të dyshuar si anëtarët të grupeve kriminale. Operacioni nisi dje rreth orës 02:30 të mëngjesit. Gjatë këtij operacioni u arrestuan 4 persona, 1 është në kërkim. Të arrestuar janë : Ilir Rustemi (Bajri), 42 vjeç, lindur e banues në Dobraç, Shkodër; Emrah Plaku, 22 vjeç, lindur e banues në Shkodër;Astmer Bilali, 29 vjeç, lindur e banues në Shkodër dhe Erogen Brajoviç, 36 vjeç, lindur e banues në Shkodër.
Gjithashtu janë sekuestruar armë, municione, mjete të blinduara dhe sende të tjera të poseduara në mënyrë të paligjshme. Konkretisht janë sekuestruar:3 armë zjarri, (2 kallashnikovë dhe 1 pistoletë); 6 mjete të blinduara, rreth 800 fishekë, 1 armë e ftohtë, 10.500 euro, 3 makina lojërash fati, njësi kompjuterike, DVR, CD dhe USB, telefona celularë dhe karta telefonike si dhe 2 veshje antiplumb. Policia e Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë po vijon veprimet përkatëse proceduriale me këtë rast për të zbardhur rolin dhe aktivitetin anti-ligjor të të dyshuarve dhe disa personave të tjerë të lidhur me ta.
Ne dëshirojmë të falenderojmë shumë përzemërsisht qytetarët e Shkodrës për mbështetjen që na japin çdo ditë në ushtrimin e detyrës sonë të vështirë dhe veçanërisht për qetësinë dhe mbështetjen që na dhanë gjatë këtij operacioni. Ne i sigurojmë qytetarët e Shkodrës dhe gjithë Shqipërisë se do të vazhdojmë të jemi të angazhuar për të garantuar qetësi, rend e siguri për ta duke goditur me ashpërsinë e forcës së ligjit çdo individ të përfshirë në aktivitet kriminal. Operacioni “Forca e Ligjit” vazhdon.

Article Logic
Execution time: 0.0039360523223877