INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Pensioni dhe paga e naftëtarit, ja dokumentat për të aplikuar

Pensioni dhe paga e naftëtarit, ja dokumentat për të aplikuar

Publikuar më: 09:04 17-08-2017

Të gjithë punonjësit e industrisë së naftës do të pajisen me një status të posaçëm, nga i cili do të përfitojnë jo vetëm ulje të moshës së pensionit, por edhe rritje të pagave. Instituti i Sigurimeve Shoqërore, pas miratimit të vendimit për rritjen e pagave dhe statusit të ri, ka njoftuar zbatimin e tij, i cili do të bëhet përmes aplikimit nga vetë punonjësit e industrisë së naftës. “Në kuadër të zbatimit të statusit të punonjësve të industrisë së naftës dhe gazit, Instituti i Sigurimeve Shoqërore, nis procedurën e dhënies së vërtetimeve të posaçme të vjetërsisë në punë si punonjës të Industrisë së Naftës”, citon ISSH, duke u bërë thirrje të gjithë personat që kanë qenë punonjës në këto sektorë dhe aktualisht janë në pension pleqërie, të paraqiten pranë sporteleve në Agjencitë Lokale të Sigurimeve Shoqërore pranë vendbanimit të tyre për të depozituar kërkesën për pajisjen me këtë dokument. “Për të eliminuar çdo vonesë dhe ecejake të qytetarëve, ky vërtetim së bashku me kopjen e njësuar me origjinalin e librezës së punës do të dërgohet zyrtarisht nga Drejtoritë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore pranë Komisionit të Posaçëm, në Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë, që do të bëjë pajisjen me Dëshminë zyrtare të Statusit të Naftëtarit”, njofton ISSH.

Përfituesit

Rreth 5 mijë punonjës të kësaj industrie marrin status dhe 2 mijë të tjerë përfitojnë pensione.. Në profesionin dhe punën e përcaktuar në vendimin nr.526, datë 20.12.1958, të Këshillit të Ministrave, si dhe personeli inxhiniero-teknik dhe punonjësit e tjerë që kanë punuar në ish-ndërmarrjet e sistemit të naftës, si shpëtim-kërkim, shpim-shfrytëzim, prodhimit, sizmikës, gjeofizikës, institutet gjeologjike, teknologjike, Albpetrol, AKH (AKBN), përpunimit, transportit me naftësjellës dhe gazsjellës, si dhe nga institucionet tekniko-shkencore dhe administrative të naftës dhe gazit. Statusin sipas këtij ligji e përfitojnë të gjithë shtetasit që kanë punuar dhe punojnë në industrinë e naftës dhe gazit. Këtë status e përfitojnë edhe ata persona që janë të aksidentuar në punë pavarësisht kohës së punës në këtë industri. Paga minimale e personave me këtë status propozohet të bëhet minimalisht sa 150% e pagës minimale në rang vendi. Përgjegjësi propozohet që t’u ngarkohet dhe kompanive të naftës, të cilat në raste ristrukturimi apo largimi nga puna për arsye që nuk varen nga naftëtari, u paguajnë atyre një shpërblim 60 për qind ose 80 për qind të pagës minimale neto në shkallë vendi.

Financimi
Sipas ligjit të ri, përfitimet financohen nga kontributet shtesë dhe nga buxheti i shtetit. Për personat, të cilët kryejnë punë në industrinë e naftës dhe të gazit, në profesionet e përcaktuara në ligj të këtij ligji, do të paguhet kontribut shtesë në masën 5 për qind të pagës bruto. Kontributi shtesë paguhet 3 për qind nga punëdhënësi dhe 2 për qind nga punëmarrësi. Kontributi i sigurimeve shoqërore në masën 5 për qind mblidhet dhe derdhet në fondin e sigurimeve shoqërore të detyrueshme, sipas procedurave për mbledhjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore të detyrueshme, të përcaktuara në ligjin “Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”.

Trajtimet
Përfituesit e statusit të naftëtarit dy herë në vit duhet të bëjnë kontrolle mjekësore falas në institucionet shtetërore apo private në vend. Ministria përgjegjëse për Shëndetësinë ndërton ose detyron kompanitë që operojnë në industrinë e naftës dhe të gazit të ndërtojnë qendra mjekësore të pajisura me aparatura dhe mjekë specialistë që trajtojnë problematikën shëndetësore të shkaktuar nga puna në këtë industri: a) Në rast sëmundjesh që vërtetohet se vijnë direkt ose indirekt nga puna në industrinë e naftës e të gazit, përfituesit e statusit të naftëtarit përfitojnë kurim falas në institucionet publike apo private që janë në marrëdhënie me FSDKSH- në. Nëse kurimi nuk ofrohet nga këto institucione, përfituesit e statusit kurohen në institucione private brenda vendit që ofrojnë këtë kurim dhe financohet nga buxheti i shtetit për ish-naftëtarët dhe nga kompanitë për personat që janë të punësuar. b) Në rastet e sëmundjeve që vërtetohet direkt ose indirekt nga puna në industrinë e naftës dhe të gazit, që nuk kurohen brenda vendit, përfituesit e statusit duhet të kurohen falas jashtë vendit. Financimi i kurimit jashtë vendit bëhet nga buxheti i shtetit për ish-naftëtarët dhe nga kompanitë për personat që janë të punësuar.

Dokumentet

Për ish-naftëtarin, libreza e punës, e shoqëruar nga një vërtetim i posaçëm zyrtar, i lëshuar nga ndërmarrja ose institucioni ku ka qenë i punësuar personi, i konfirmuar nga ministria përgjegjëse për industrinë e naftës dhe të gazit, në të cilin përcaktohen kryerja e aktivitetit të punës, sipas nenit 2, të këtij ligji, dhe kohëzgjatja e punës. 2. Për ish-naftëtarin që ka dalë në pension, vërtetimi i posaçëm lëshohet nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe konfirmohet nga ministria përgjegjëse për industrinë e naftës dhe të gazit. 3. Për naftëtarin që është i punësuar në industrinë e naftës dhe të gazit, libreza e punës, e shoqëruar me vërtetimin e posaçëm, të lëshuar nga ndërmarrja ose institucioni ku është i punësuar, dhe i konfirmuar nga ministria përgjegjëse për industrinë e naftës dhe të gazit, në të cilin përcaktohen kryerja e aktivitetit të punës sipas nenit 2, të këtij ligji, dhe kohëzgjatja e punës. 4. Për ish-naftëtarët dhe naftëtarët në marrëdhënie pune, konsiderohet punë në industrinë e naftës e të gazit edhe periudha e punës në të njëjtin profesion ose ekuivalente me të, në shtete të tjera, me të cilat Republika e Shqipërisë ka marrëveshje në fushën e mbrojtjes shoqërore./neritan gjergo/shekulli

Article Logic
Execution time: 0.0034990310668945