INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Pas takimit me Ramën, Hahn: Lufta kundër krimit, prioritare në marrëdhëniet BE-Shqipëri

Pas takimit me Ramën, Hahn: Lufta kundër krimit, prioritare në marrëdhëniet BE-Shqipëri

Publikuar më: 10:31 18-01-2019

Zyra e delegacionit të BE në Tiranë ka dhënë një informacion më të plotë mbi takimin që është zhvilluar mbrëmjen e djeshme mes komisionerit për Zgjerimin e BE-së, Johannes Hahn dhe kryeministrit Edi Rama. Reforma në drejtësi sërish është veçaur nga komisioneri Hahn por kërkohen rezultate konkrete në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Këto dy elementë, theksohet në deklaratë, janë prioritare sa i përket marrëdhënieve të vendeve të Bashkimit Europian me Shqipërinë. “Reforma në drejtësi vazhdon të japë rezultate dhe ristrukturimi institucional i gjyqësorit duhet të përfundojë brenda javëve të ardhshme. Komisioneri Hahn vuri në dukje veprimet e kohëve të fundit kundër krimit të organizuar si një shenjë pozitive në këtë drejtim, që megjithatë duhet të bëhet pjesë e një vazhdimësie arritjesh solide dhe të pasohet me ndjekje penale dhe dënime përfundimtare. Lufta kundër krimit të organizuar dhe lufta kundër korrupsionit në të gjitha nivelet mbeten prioritete në marrëdhëniet BE-Shqipëri”, theksohet në deklaratën e delegacionit të BE në Tiranë.

Shqetësim, njësoj siç artikuloi dje ministri holandez, mbetet numri i lartë i shqiptarëve që kërkojnë azil në vendet e BE. “Komisioneri shprehu shqetësim rreth numrit ende të lartë të aplikimeve të pabazuara për azil nga qytetarë shqiptarë në disa shtete anëtare të BE-së. Shkaqet themelore duhet të trajtohen dhe bashkëpunimi me qeveritë e shteteve anëtare të BE-së, të prekura nga ky fenomen, duhet të intensifikohet më tej”, vijon deklarata, ndërsa një mesazh të fundit i ka shkuar liderve të partive, “dialogu konstruktiv politik midis të gjitha partive politike, si dhe gatishmëria për të punuar së bashku në interes të të gjithë qytetarëve shqiptarë, është thelbësore për të ardhmen evropiane të Shqipërisë”.

 

 

Article Logic
Execution time: 0.0038700103759766