INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION TECH MED+ SPORTS VIDEOS
Search
Pas 16 vitesh rikthehet në PORTOKALLI, Agron Llakaj: Do të ketë surpriza dhe emra të rinj…

Pas 16 vitesh rikthehet në PORTOKALLI, Agron Llakaj: Do të ketë surpriza dhe emra të rinj…

Publikuar më: 10:33 31-08-2026

Agron Llakaj do të rikthehet pas 16 vitesh në “Portokalli”, këtë herë duke marrë drejtimin e spektaklit të humorit në Top Channel. Përveç drejtimit të programit, Llakaj do të rikthehet në skenë edhe si aktor. Humoristi e ka krahasuar rikthimin e tij me atë të Odisesë, ndërsa ka folur edhe për synimin që ka për sezonin e ri.

“Me mbështetjen e Lorit dhe Top Channel, mendoj se kemi të gjitha mundësitë që Portokalli të rimarrë ngjyrimin e atij që e themeloi, që i vuri këtë emër kaq të bukur. Unë isha i pari që erdha dhe ky rikthimi im, është si rikthimi i Odisesë… por unë nuk jam Odise Llakaj, jam Agron Llakaj. Mendoj se e qeshura ofron dashuri dhe ky është një mision shumë i madh për vetë kohën, ku mendoj se ka shumë urrejtje”, u shpreh Agron Llakaj.

Sipas tij, rikthimi nuk nënkupton një nisje nga e para, por bashkimin e eksperiencës së tij me aktorët dhe energjinë që spektakli ka krijuar ndër vite.

“Portokallia është tani shtëpia e vetme e humorit në Shqipëri dhe përveç kontributeve dhe energjisë që kanë përcjellë aktorët, ardhja ime nuk është nisje nga zero, por bashkim i energjive që këtë shkëlqim që të ofron Top Channel, vij me energjinë dhe eksperiencën që ky shkëlqim të rritet më shumë. T’i kthehemi publikut që duhet të na vijë javë për javë, duke bërë bashkë të gjitha brezat që dëshirojnë një humor cilësor”, tha humoristi.

Në sezonin e ri, “Portokalli” do të vijojë me satirën, skeçet dhe personazhet që trajtojnë zhvillimet në Shqipëri dhe jashtë saj. Llakaj nuk la jashtë as humorin politik, duke bërë edhe një batutë me presidentin amerikan Donald Trump.

“Humori është vëzhgues i realitetit. Nuk ka pak probleme Shqipëria, ‘përbërësit’ janë që ne të bëjmë gjellë cilësore. Sa i takon politikës, botërore, që në momentin që kam ardhur, ky sinjal i ka shkuar Trump. E ka pritur mirë, mendoj se do kemi bashkëpunim të mirë më Amerikën. Ai ka dashur që ta quajmë ‘Orange’, por unë këmbëngula që ta quajmë ‘Portokalli’”, u shpreh Llakaj.

Spektakli do të hapë dyert edhe për emra të rinj. Audicionet për personat që kanë talent në aktrim, imitim apo shkrimin e skeçeve do të zhvillohen nga 2 deri më 16 shtator.“Do të vijnë dhe do të kenë një dritare tyren, që do ta quajmë ‘dritarja e talentit të ri’ dhe nëse deri në dhjetor do të kenë talentin dhe fuqinë për t’u bërë pjesë e ‘Portokalli’ janë të mirëseardhur”, përfundoi Agron Llakaj.

Premiera e sezonit të ri të “Portokalli” do të mbahet më 2 tetor.